|Saturday, December 10, 2016
  • NA NDIQ NË

Pak salcë mbi kryet e njerëzve që nuk skuqen 

andi bushati

Nga ANDI BUSHATI – Ka një keqkuptim me aktin e bujshëm të vajzës që la një shenjë mbi kryet e ministres së arsimit. Të shumtë janë ata që po tregojnë empati, për historinë e saj të dhimbshme: largimin nga familja në Fier, babain e sëmurë dhe të pasiguruiar, nënën shtëpiake, borxhet për të vazhduar shkollën, zbritjen në Tiranë me po aq para në xhep, sa një rilindaseje i kushton kalimi i zakonshëm tek parukieri dhe së fundi, braktisjen e studimeve për mungesë të ardhuarash.

Të gjithë ata që e kanë parë nga ky këndvështrim, me dashje ose jo, e kanë reduktuar aktin e saj tek një mëri personale e nxitur nga pezmi, varfëria dhe dëshpërimi.

Skemave të gatshme të shpjegimit të kësaj ngjarjeje nuk i kanë shpëtuar as komente të tjera.

Dikush në mënyrë absurde, paragjykon ngritjen e dorës mbi një grua, duke harruar se detyra e ministrit të shtetit i tejkalon kufijtë gjinorë. Dikush tjetër përdor termin “vandal”, njësoj si siç i quanin byroistët e rrjedhur, studentët e sapo dalë të dhjetorit ‘90. Një i tretë flet për spurdhiakë, që i ka trimëruar era e lirisë pas rënies së Berishës. Ndërsa ka nga ata qe e shohin atë që ndodhi, thjeshtë si pakënaqësi ndaj reformës së arsimit të lartë.

Unë besoj se Mirela Ruko, nuk e bëri atë akt, as vetëm sepse është e varfër, as vetëm sepse u detyrua të braktiste studimet, as vetëm sepse ndihet e majtë dhe as sepse është rritur me tingujt e këngës “shoqet tona ilegale”.

Jo, veprimi i saj nuk është as një shpërthim nga pezmi i njeriut të pashpresë dhe as një çast heroizmi i një fanatikeje të përbetuar.

Ai është më shumë se kaq.

Ai është sinjali i parë i mijra shqiptarëve të lodhur nga një tallje e gjatë.

Në këtë kuptim, ajo që ndodhi, nuk qe thjeshtë një sulm mbi një grua. As një atak mbi një ministër të veçantë. As thjeshtë një inat apo zhgënjim me një përfaqësuese të Rilindjes.

Ajo përbën një simbol. Një shenje të parë kundër një kaste shurdhe dhe memece, që i ka humbur lidhjet reale me njerëzit e zakonshëm.

Eshtë e njëtja kastë që megjithëse vazhdon të bëjë zgjedhje dhe të luajë me rotacion, përsëri asgjë nuk ndryshon. Eshtë e njëjta që të shurdhon po me ato media, që një herë shërbejnë si atoporlantë blu dhe herën tjetër si të kuq . Eshtë e njëta që vazhdon e vjedhë dhe mbetet e pandëshkauar nga po ata gjyqtarë dhe prokurorë që i përgojon gjithë ditën. Eshtë e njëjta që firmos koncesione maramendëse kur është në pushtet dhe përbetohet se do ti zhbëjë kur është në opozitë. Është e njëjta që voton pro importit të plehrave kur e ka në dorë dhe që çiret kundër tij kur mbetet jashtë pazarit.

Shkurt është e njëjta që i shërben vetëm një grupi të vogël njerëzish.

Atëherë pyetja që shtrohet është: Si duhet ti’a bëjë një njeri që nuk e pranon dot këtë farsë? Si duhet të sillet dikush që i është drejtuar kutive të votimit, për të ndërruar me radhë në krye të vendit, Berishën e parë, Nanon e parë, Majkon, Metën, sërish Majkon, Nanon e dytë, Berishën e dytë, pastaj Ramën dhe përsëri gjërat kanë vajtur keq e më keq? Si mund të veprojë një qytetar që e ka humbur edhe shpresën e fundit se diçka mund të përmirësohet, pasi e ka parë se të gjithë janë njësoj?

Këtyre pyetjeve, të gjithë ata që ndjejnë empati për Mirelën, por që dënojnë metodat e saj ekstreme, i japin përgjigje që shkojnë në favor të kastës.

Sipas tyre, njerëzit si Mirela, nëse nuk kanë para për shkollën, duhet të coptohen që të fitojnë pak më shumë. Nëse e arrijnë këtë edhe marrin një diplomë, që nuk veln as sa një tesër partie, duhet të përpiqen që ta rregullojnë këtë anomali. Nëse pastaj figurojnë të papunë, duhet të binden se “ka vende bosh, por mungojnë profesionistët”. Po qe se arrijnë ta kapërdijnë edhe këtë, duhet të mësohen të presin reformën në drejtësi, nëse gjykatat u hanë hakun; duhet të stërviten të shpresojnë tek shëndetësia falas, nëse nuk blejnë dot ilaçet; duhet të edukohen të presin përmirësimin e planit urbanistik, nëse dikush u ndërton në të vetmen hapsirë të gjelbër të mbetur.

Pra, me një fjalë, të gjithë ata që pretendojnë se Mirela theu rregullat e bashkëjetesës sonë të përbashkët, se ajo e teproi me atë që bëri, se e kapërceu të drejtën e saj, në thelb prtetendojnë diçka absurde.

Në pamundësi për të ndryshuar kastën, ata duan të zbusin popullin. Të pafatë për të dënuar shkaktarët e padrejtësve, ata duan të përshtasin viktimat e tyre.

Por, fatmirsisht, ka dhe ca të paktë që mendojnë ndryshe. Që besojnë se për të klithur se gjërat duhet të jenë tjetërlloj, mund të përdorin edhe vezët edhe salcën. Madje edhe ato si paralajmërim përpara se të kalojnë tek mjete më të forta.

Unë mendoj se studentja nga Fieri, Mirela Ruko, është njëra prej tyre. Ndaj në këtë pikë nuk e shoh, as vetëm si një bijë të dëshpëruar nga varfëria e prindërve. As vetëm si një studente të hidhëruar nga ndërprerja e studimeve. As vetëm si një kamikaze që e ka radikalizuar mungesa e shpresës.

Përkundrazi ajo është e kthjellët. E di se çfarë do dhe se me kë e ka.

Ndaj nxitoi të vërë pak salcë, mbi fytyrat e njerëzve që kanë harruar të skuqen.

Add a Comment

%d bloggers like this: