|E martë, Janar 24, 2017

Partia e Blushit do ta bëjë copë-copë të Majtën 

Nga ARTUR ZHEJI – Blushi iku dhe përplasi derën nga pas. Me vete ka deputeten Hafizi, një grua e qetë, me tipare fisnike dhe e vetëpërmbajtur. Në laborator po formohet një parti e re, ku padyshim do të ketë më shumë mendim dhe ideologji, se sa veprim praktik në terren.

Ata që mendonin se Blushi, nuk do të mund ta bënte dot këtë hap të madh dhe të rëndësishëm, gabuan. Këtu përfshihem edhe unë sigurisht, ndonëse, deri në një provë të dytë, koha më vërtetoi analizën se konflikti Rama-Blushi, ishte dhe mbetet, një përplasje egoizmash politikë. Legjitime edhe kjo, sigurisht.

Çështja tani shtrohet se çfarë pozicioni do të zerë kjo Parti e Re dhe a do të ketë energjinë, që jo vetëm të marrë vota, por edhe ti numërojë dot ato?
A do të jetë në gjendje kjo parti të bëhet një hinkë mbledhëse e ujrave të shumta të pakënaqësive anti-Rama në PS dhe të mbrojë vullnetin e zgjedhësve të saj?

Dhe mbi cilat kritere?

Sepse Blushi, ka deklaruar fillimisht që do të jetë një parti e Qendrës, ndërkohë që kriticizmi që ai i bën Ramës, është nga pozicione ultra majtiste.
Kritika e tij kryesore në planin e politikave ekonomike, lidhet me koncesionet neo-liberale të kryeministrit dhe mungesën e vëmendjes sociale në lidhje me zgjedhësit e majtë. Por me këtë ligj elektoral që kemi dhe me këtë sistem që ka sot Shqipëria, një parti politike që të jetojë dhe të ketë një shtrirje kombëtare, ka nevojë për jo pak para.

A ka gjetur ndërkohë Blushi, “sponsor” apo “lobby” që janë gati ta mbështesin financiarisht një si ai, që është shprehur, për një ekuilibër të ri social, në “dëm” të më të pasurve dhe në favor të më të varfërve?

Është kjo disi e dyshimtë që ta gëzojë dot një mbështetje të tillë, duke patur parasysh se biznesi shqiptar është ende shumë primitv dhe shumë i pangopur në terma materialë. Dhe të priret, që të financojë një parti, le të themi që udhëhiqet nga një doktrinë “keinessiane”, ku formula bazë është ngritja e nivelit të minimumit jetik të popullit dhe të atyrë që punojnë ndershmërisht, në këtë vend të pandershëm.

Ata që kanë sot paratë e thata dhe paratë e ngurta, janë bërë gardh me kryeministrin “bujar”, që i ushqen ata, me mundësi të vazhdueshme fitimi, në këmbim të finacimit të sotëm dhe të nesërm zgjedhor.

Kritika e dytë kryesore e tij, lidhet me demokracinë e brendshme dhe të prishur keqas të PS. Kuptohet që në krye të herës, se nëse Partie e Re e Blushit, do të ketë sadopak sukses, duhet të sendërtojë edhe një model të ri të demokracisë së saj të vet brendshme. Porse, që në lindje kjo parti, do të ngjizet përreth karizmës së themeluesit të saj, që në këtë rast është vetë Blushi dhe që sigurisht do të jetë kryetari.

Pra do të jetë një parti e tipit: “Kryetari dhe të tjerët…”

Pavarësisht këtyre pikave të dobëta të pikënisjes, mendoj se për ekuilibrat e rinj që duhet të vendosen në shoqërinë shqiptare, partia e Blushit, është në vetvete, një gjë e mirë, sepse në mos tjetër, do të jetë një përpjekje për të kufizuar, pushtetin e pakufizuar të sotëm, të Ramës.

Duke patur parasysh mbështetjen e mirë dhe gratis, që Blushi ka sot në media, mundësitë e tij, në pikënisje të kësaj “aventure”, janë mjaft të mira për të popullarizuar nismën e tij më të re.

Nëse kjo parti që po ngjizet, do të ketë sadopak sukses, do të shënojë një copëtim të mëtejshëm të së Majtës shqiptare dhe një hutim më shumë ndërmjet zgjedhësve majtistë, që do të kenë në vitin 2017, tre sigla të majta: Ps, Lsi dhe partinë Blushi.

Është për t’u shënuar, se nga të gjitha “shizmat” ose shkëputjet nga partia nënë, vetëm LSI ka patur sukses dhe mbijetesë konkuruese, duke kaluar nëpër zigzage shumë të vështira dhe përmes konspiracionesh herë të majta dhe herë të djathta. Si dhe ishte dhe rasti dramatik i vitit 2008, kur PD dhe PS, punuan bashkarisht për eliminimin e saj.

Ndonëse në fazën e parë, kjo parti e re e Blushit, do të ngjallë entuziasmin e PD, sepse do të vlerësohet si një “aleate” në dobësimin e PS dhe të Ramës, nëse arrin të fitojë pikë në elektorat, shumë shpejtë do të ndjehet e kërcënuar nga të dy krahët, sipas të ashtuquajturit “efekti sanduiç”. Ku partitë e mëdha, bëjnë çfarë munden që partitë e “vogla” të mbeten gjithmonë të vogla dhe satelite.

Aq më tepër sepse Blushit, do ti duhet të zhvillojë një “betejë parimore”, ndaj të dy krahëve njëherësh, për tu vetëshpallur si një “Rrugë e Tretë”, në pikëtakimin me zgjedhësit e shumtë, të zhgënjyer dhe të pashpresë, nga “politika e vjetër”.

Këtu dilema kryesore e pritme e Blushit, do të jetë marrëdhënia me Lsi dhe “fejesa”, taktikisht e detyrueshme me partinë e Ilir Metës.
Mirëpo marrëdhëniet ndërmjet Metës dhe Blushit, nuk kanë qenë asnjëherë të mira, madje thuhet se janë ende plot aciditet të bartur nga koha dhe historia e këtyre dy individëve.

Dhe këtu Rama, nëse Meta dhe Blushi, nuk e kapërcejnë dot çfarë i ndan prej kohësh, padyshim do të nxjerrë përfitime të rëndësishme për fushëbetejën e vitit 2017 që është praktikisht te dera.

alb365

Add a Comment

Twitter
ALB365 on Twitter
Latest Tweet: Tirana Bank pranon zhdukjen 150 mln lekëve nga llogaria e emigrantit https://t.co/3Hyxc4OdFd https://t.co/ZdCjyRMsZw
505 people follow ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Nuk mbahen ! Cili cift puthet ne mes te ruges ?!

    USA - Cilat dashuri ... vdesin! Fokusi i kameras ka kapur 'sukses' çiftin e famshëm duke shkëmbyer puthje dhe përqafime jashtë restorantit Carlitos Gardel në Los Angeles, sigurisht...

Close