|Friday, December 9, 2016
  • NA NDIQ NË

Përfundon Panairi i Librit? S’e dija as që ishte hapur! 

Bjorn Runa

Panairi i Librit në Tiranë është ndoshta një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të kryeqytetit, por edhe një nga më monotonet e më të mërzitshmet. Dhe, kjo, jo thjesht sepse ka të bëjë me librat, apo njerëz të vetmuar, të cilët do t’i kalonin më mirë disa orë duke lexuar, sesa duke shpërndarë zemra në Instagram aq sa tashmë do të kishin kuruar gjysmën e atyre në listën e pritjes për një transplant zemre. Arsyet në fakt janë krejt të tjera.

Gjithçka nis qysh në edicionin e lajmeve të pasdites, ku organizatorët shfaqen të lodhur e fytyrëvarur duke përsëritur ndoshta për të 15-in, apo 16-in vit rresht, se iu mungojnë fondet. Nuk kanë mbështetje. Apo se në Shqipëri tregu është tepër i vogël. Në fakt, po! Kanë njëfarë të drejte në ankesat e tyre dhe diçka me siguri do të duhej të ishte bërë për këtë gjatë gjithë këtyre viteve.

Por, ai është një panair i mërzitshëm, jo vetëm sepse organizohet në mënyrë të mërzitshme, apo se i vetmi aktivitet gjithëpërfshirës është shitblerja e librave me po të njëjtën vëmendje dhe kujdes që iu kushtohet shitjes së sufllaqeve dhe sandviçëve në fast-food. Pasi ke sfiduar shiun e fundjavës nën një çadër, që duket se nuk bën më punë kur uji hyn vertikalisht nga pellgjet drejt mjekrës dhe pulovrit që mban veshur, ti hyn brenda sallës që gumëzhin nga njerëzit, nën duhmën mbytëse të rrobave të lagura.

Prej vitesh nuk është më e vështirë t’i gjesh shtëpitë botuese që të interesojnë. Ato janë gjithmonë të njëjtat, me stendat në po të njëjtat vende, e ç’është më e keqja, thuajse me të njëjtët tituj që duket sikur nga çasti në çast do të ofshajnë të rraskapitur nga pritja e gjatë njëri-mbi-tjetrin. Madje, nëse je një vizitor i përvitshëm, një pjesë e shitësve mund të të përshëndesin me buzëqeshjen e zakonshme “Prapë këtu ti?”, ndërsa përpiqesh të kapësh me sy ndonjë botim të ri, që e ke pritur prej disa kohësh.

Por, kjo është gati-gati e pamundur. Pasi ke luftuar me po të njëjtët njerëz, me të cilët shtyhesh prej 15 vitesh në po të njëjtat shtëpi botuese, ato që herë pas here sjellin diçka të re, tërhiqesh më i zhgënjyer se një fëmijë, i cili sapo ka zbuluar se kutia e dhuratave nën pemën e krishtlindjeve, është thjesht një zbukurim i zbrazët. Nëse tenton të kërkosh ndonjë rekomandim, shitësja e buzëqeshur të zgjat ndonjë libër të Blendi Fevziut: “Ky ka ecur shumë këto ditë, ka patur shitje pafund”! Sikur ta dija!

Megjithatë, ndërsa largohem me po të njëjtin nxitim që përpiqesh t’i shpëtosh një sëmundjeje ngjitëse, kujtohem se nuk do të kem mundësi t’iu provoj të tjerëve se isha në panair dhe se herë pas here, edhe përpiqem të lexoj diçka. Në fund të fundit, nëse nuk poston nëpër rrjete sociale një fotografi me librin e Blendi Fevziut, apo të Ben Blushit, zëre se nuk ke qenë në panair. Askush nuk i llogarit autorët e tjerë, pavarësisht peshës së tyre letrare. Ndërsa ti, nuk merr vesh nga librat dhe je një injorant i thjeshtë e i parëndësishëm. Pak rëndësi ka nëse nuk i lexon kurrë librat me të cilët del në fotografi, e ndoshta në rastin konkret është më mirë të mos i hapësh kurrë.

Ai është një panair monoton, i cili në kohën kur të gjithë janë duke i ngarkuar jetët e tyre në Cloud dhe rrjete sociale, të ofron njësoj si njëqind apo dyqind vjet më parë, vetëm letër dhe bojë të shtypur mbi të. Shumë pak interaktivitet, thuajse asnjë botim elektronik. Aq sa, mund të pyesësh veten se ç’mund të kërkojë aty një i ri, 14-15-16 vjeçar, i cili për çdo pyetje i drejtohet vetëm Google, Reddit apo Quora, ndërsa ne i ofrojmë ende vetëm librat e shtypur, të mërzitshëm, që për të vlejnë ndoshta vetëm për një foto me filtër vintage në Instagram, apo Facebook.

Në fund, kur nuk arrini të gjeni mënyrën për të shkuar edhe tek lexuesi më i painteresuar, apo për ta bërë leximin më tërheqës, mos filloni të pyesni veten se përse komplimenti më i mirë që njerëzit mund të thonë sot, është “Je nona!”, apo kur Donald Trumpët e ndryshëm të nisin të mbijnë në poste presidentësh e kryeministrash. Nëse libri, botimet dhe eventet e lidhura me to nuk i përshtaten kohës, të vetmit që do të mbeten të interesuar për to, do të jemi ne, primitivët që vazhdojmë të pëlqejmë aromën e faqeve dhe të letrës së shtypur. Ndoshta, edhe për pak kohë.

Add a Comment

%d bloggers like this: