|Saturday, December 10, 2016
  • NA NDIQ NË

Policia: Tifozët e Partizanit thyen stolat, u plagosën 2 policë 

Elbasan – Policia e Elbasanit ka reaguar mbi incidentin në stadiumin “Elbasan  Arena” gjatë takimit Skëndërbeu-Partizani, duke treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes.

Blutë bëjnë me dije se nga përplasja e tifozerisë me policinë kanë mbetur të plagosur dy efektivë policie,  ndërsa një tifoz është lënduar nga hedhja e stolave nga pjesa e tifozerisë.

“Mbi bazën e deklarimeve  të marra, sqarojmë se shtetasi F.B, 24 vjeç, banues në Tiranë  është dëmtuar lehtë nga stolat e hedhur nga pjesa tjetër e  tifozerisë”.

Lidhur me vajzën e dëmtuar, policia sqaron se shtetasja T.T, 18 vjeçe, banuese në Tiranë,  nuk ka patur asnjë lloj dëmtimi por gjëndje të rënduar  emocionale.

Pas kontrollit mjekësor të dy shtetasit, janë larguar pa probleme në banesë.

Policia thotë se tensionet nisën që para fillimit të ndeshjes.

“Gjatë  ardhjes së tifozëve të Korçës me autobuz, në orën 16:35, në  Unazën e qytetit është qëlluar me sende të forta autobuzi me targa KO 1750 B, ku  është thyer një xham. Efektivat e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë për parandalimin e mëtejshën dhe kanë kryer  veprimet  e para hetimore dhe proçeduriale, ku kanë identifikuar dy autorët  të cilët janë proçeduar penalisht në gjëndje të lirë”

Gjatë zhvillimit të pjesës së parë të ndeshjes, nuk pati probleme.

Ndërkohë në minutën e 80 rreth 670 tifozë  të  Partizanit  të dislokuar në pjesën C3 të stadiumit, filluan të hidhnin  në fushë fishekzjarre, kapsolla dhe  lëndë piroteknike.  Policia thotë se janë këshilluar disa herë me foni nga  drejtoria e Stadiumit për mospërdorimin  e sendeve të ndaluara,  të sharjeve dhe ofendimeve  karshi tifozëve të Skëndërbeut.

Pas daljes me karton të kuq të lojartit të Partizanit, tifozët e Partizanit, thyen stolat dhe tentuan të kalonin rrethimin me qëllim që të futeshin  në fushë.

Forcat e policisë  të dislokuar në  këtë sektor sipas planit të masave kanë  vepruar konform proçedurave standarte  sipas instruktazhit të  dhënë duke mos lejuar tifozët të futeshin në fushë.

Blutë nënvizojnë se “tifozët kanë vazhduar me thyerjen e stolave duke goditur punonjësit e policisë. Nga këto veprime, janë dëmtuar dy punonjës policie si dhe janë thyer  paisjet mbrojtëse të shërbimit të tyre. Kjo situatë, ka zgjatur rreth 10 min”

Punonjësit e policisë, kanë dalë në rrethimin e jashtëm duke krijuar një perimetër dhe pas komunikimit të vazhdueshëm, u bë normalizimi i situatës dhe vazhdimi i ndeshjes deri në përfundim të saj.

Nga ana e policisë, janë kryer veprimet proçeduriale, janë shoqëruar 7 shtetas në Komisariat, ndërkohë vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan po vazhdon punën për kryerjen e veprimeve  në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Materialet do ti kalojnë  Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për  veprime të mëtejshme për veprat penale  “Shkatërrim Prone” , “Prishja e qetësisë publike”  dhe”Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

12stadiumi

Add a Comment

%d bloggers like this: