|E enjte, Janar 19, 2017
  • NA NDIQ NË

Politikanët humbasin shtëpitë nëse i fshehin paratë e pista 

Ngushtohet laku për funksionarët dhe ish-funksionarët, të cilët kanë përvetësuar paratë e shqiptarëve dhe pasuritë publike, me anë të praktikave korruptive. Deputetëve, ministrave dhe ish-ministrave, drejtorëve dhe ish-drejtorëve, gjyqtarëve, prokurorëve etj., të cilët kanë shpërdoruar apo fshehur paratë e korrupsionit, do t’u konfiskohen pasuritë e tjera të ligjshme, me vlerë ekuivalente.

Kështu parashikon ligji i ri anti-mafia, i hartuar nga misionet e SHBA-BE në Tiranë, bazuar në rekomandimet e PAMECA. Drafti i zbardhur nga Shqiptarja.com, ndër të tjera, parashikon që, nëse personi kundër të cilit propozohet masa e konfiskimit, shpërndan, transferon, shpërdoron, fsheh ose zhvlerëson pasuritë për të shmangur ekzekutimin e masës së sekuestrimit ose konfiskimit të pasurisë, sekuestrimi dhe konfiskimi kanë si objekt paratë ose çdo pasuri tjetër me vlerë ekuivalente. E njëjta procedurë do të zbarkohet edhe kur pasuritë nuk mund të konfiskohen sepse përpara sekuestrimit ato i transferohen në mënyrë legjitime palëve të treta në mirëbesim. Pra, nëse zyrtari apo ish-zyrtari i ka kaluar paratë apo shtëpitë e paligjshme në emër të një miku të besuar, me procedura të rregullta, subjektit do t’i konfiskohen pasuritë e tjera të ligjshme, në emër të tij. Drafti synon të mbyllë çdo hapësirë dhe mundësi shpëtimi për pushtetarët që janë pasuruar në mënyrë të paligjshme. Drafti adapton modelin italian në Shqipëri, i cili parashikon sekuestrimin e pasurive në mënyrë të pavarur nga dënimi penal.

Barra e provës
Masa e konfiskimit urdhërohet pas kryerjes së hetimit dhe dëgjimit të konkluzioneve të prokurorit dhe palëve të paraqitura në gjyq. Barra e provës, për të vërtetuar se pasuritë janë fituar në mënyrë të ligjshme, i përket personit, kundër pasurive të të cilit kërkohet konfiskimi. Personat kanë barrën për të justifikuar që të gjitha veprimtaritë dhe pasuritë e sekuestruara, të poseduara, pjesërisht ose plotësisht, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo, janë fituar në mënyrë të ligjshme. Po ashtu, personat e parashikuar në ligj kanë barrën e provës për të treguar që pasuritë e konfiskuara janë pronë e tyre ekskluzive dhe nuk janë në pronësi indirekte të personave të tjerë, të parashikuar në ligj.

Qëndrimi i BE
Rezoluta e Parlamentit Europian e 25 tetorit 2011, që synon të rrisë rolin e masave parandaluese kundër pasurisë, i bëri thirrje Komisionit Europian që të paraqesë një direktivë kuadër për procedurat për sekuestrimin dhe konfiskimin e të ardhurave të krimit dhe korrupsionit, dhe të zhvillojë rregullat për përdorimin e efektshëm të instrumente si konfiskimi i shtrirë dhe “konfiskimi jo ndëshkues”, të shtjellojë rregullat në lidhje me zbutjen e barrës së provës mbi të pandehurin ose autorin e një vepre të rëndë në lidhje me krimin e organizuar dhe konfiskimin e pasurive në zotërim të palëve të treta, që duket se i referohet përvojës Italiane me masat parandaluese kundër pasurisë. Këto parime janë konfirmuar edhe në Rezolutën e Parlamentit Europian më 23 tetor 2013 në lidhje me rekomandimet dhe masat e marra për të trajtuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe pastrimin e parave. Për rrjedhojë, Parlamenti Europian dhe Këshilli kanë miratuar në prill 2014 Direktivën e BE-së 2014/42/EU për ngrirjen dhe konfiskimin e mjeteve dhe të ardhurat e krimit.

Administratori i pasurisë së sekuestruar
Gjykata, në vendimin e sekuestrimit të pasurisë, cakton, gjithashtu, nga lista e ekspertëve të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara një a më shumë administratorë. Agjencia vë në dispozicion të gjykatës lisën e administratorëve, me persona të punësuar ose të autorizuar prej saj, të paktën një herë në vit dhe tregon kriteret e caktimit të tyre. Administratori ka për detyrë të ruajë dhe të administrojë pasurinë e sekuestruar. Gjithashtu, ai ka për detyrë të rrisë, nëse është e mundur, vlerën e këtyre pasurive. Administratori, i caktuar me vendim gjykate për ekzekutimin e masës së sekuestrimit dhe për administrimin e sendit, paraqet çdo kërkesë të nevojshme pranë prokurorisë, shërbimit përmbarimor apo çdo institucioni tjetër shtetëror. Gjykata, edhe kryesisht, mund ta shkarkojë administratorin nga detyra, në çdo kohë, për paaftësi ose për mospërmbushje të detyrës. Kërkesa në gjykatë paraqitet nga prokurori kryesisht ose me propozim të motivuar të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara

Konfiskimi
Deputetëve, ministrave dhe ish-ministrave, drejtorëve dhe ish drejtorëve, gjyqtarëve, prokurorëve etj., të cilët kanë shpërdoruar apo fshehur paratë e korrupsionit, do t’u konfiskohen pasuritë e tjera të ligjshme, me vlerë ekuivalente.

Masa e konfiskimit
Masa e konfiskimit urdhërohet pas kryerjes së hetimit dhe dëgjimit të konkluzioneve të prokurorit. Barra e provës, për të vërtetuar se pasuritë janë fituar në mënyrë të ligjshme, i përket personit, kundër pasurive të të cilit kërkohet konfiskimi.

Raporti i PAMECA: Modeli italian i konfirmuar nga Gjykata e Strasburgut
Raporti i PAMECA propozon përmirësime në ligjin aktual anti-mafia, që ligji shqiptar të kuptohet dhe të ekzekutohet më mirë sidomos duke marrë parasysh vështirësitë dhe problemet e hasura, por edhe përvojën e fituar gjatë zbatimit të ligjit. PAMECA ofron si model përvojën italiane, e cila është një histori suksesi. “Propozimi i projekt ligjit merr parasysh përvojën shqiptare, jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut dhe përvojën shumë të dobishme të gjykatës italiane dhe legjislacionit në këtë fushë. Dimensioni ekonomik ndërkombëtar i krimit të organizuar nxit legjislacionin europian dhe ndërkombëtar që të prezantojë ose ri-forcojë masat e konfiskimit jo ndëshkues. Duhet të theksohet që përvoja italiane në këtë fushë përbën një shembull për legjislacionin ndërkombëtar si pasojë e rezultateve të shkëlqyera të arritura në trajtimin e pasurive të paligjshme të mbledhura nga organizata të llojit të mafies dhe veprimtari të tjera kriminale përfituese nëpërmjet masave për parandalimin e pasurive”, thuhet në raport. Prandaj, legjislacioni anti-mafia shqiptar mbivendoset gjerësisht me legjislacionin përkatës italian në këtë fushë. “Thelbi i sistemit italian përbëhet nga mundësia për të zbatuar sekuestrimin dhe konfiskimin në mënyrë të pavarur nga dënimi, në kuadër të një procesi të “thjeshtuar” kundër pasurisë si një masë parandaluese. Këto procese Gjykata e Strasburgut i konsideron në mënyrë të përsëritur në përputhje me KEDNJ. Qëllimi i këtyre masave nuk është të ndëshkojë njerëzit duke konfiskuar pasuritë e tyre (përndryshe do të ishte masë penale); qëllimi është që të godasë pasuritë që në mënyrë të paligjshme i vihen në dispozicion personave “të rrezikshëm”, sidomos sepse ata dyshohen për krime të rënda; rrjedhimisht, duke mos i vënë këto pasuri në dispozicion të tyre, duke parandaluar kryerjen e krimeve të tjera (të cilat mund të shtohen pikërisht nëpërmjet përdorimit të këtyre pasurive)”, thuhet në raport. Gjykata italiane e Kasacionit dhe Gjykata e Strasburgut kanë konfirmuar gjithmonë natyrën parandaluese të konfiskimit jo ndëshkues në Itali. “Ndërhyrja në gëzimin e pasurisë, e mbrojtur nga neni 1, neni 1 i Protokollit shtesë nr. 1 lejohet vetëm nëse plotësohen kushtet e parashikuara në neni  2, – duke ju caktuar shteteve të drejtën për të miratuar “ligjet e nevojshme për të vendosur përdorimin e të drejtës së pronës, duke pasur parasysh interesin e përgjithshëm” i cili përfshin nevojën për të parandaluar “përdorimin e paligjshëm dhe të rrezikshëm të mallrave të cilave u është treguar origjina e paligjshme”. Ndërhyrja konsiderohet proporcionale me qëllimin e ligjshëm të ndjekur, të përfaqësuar nga një politikë penale parandaluese për zbatimin e të cilës ligjbërësit duhet t’i jepet një hapësirë e gjerë manovrimi duke iu referuar ekzistencës së një problemi të interesit publik dhe përzgjedhjes së mekanizmave të zbatimit”, thuhet në raport.

Add a Comment

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Pranga shqiptarit për vjedhje të veprave antike

Greqi - Një 46 vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia greke për posedim të objekteve antike. Mediat greke shkruajnë se shqiptari ka deklaruar se punonte kamerier. Bëhet fjalë për vepra...

Close