|E martë, Shtator 19, 2017

Princ Henri 

Nga EDISON YPI – Kur në kohën e kurvit mes shqiptarëve të mjerë ndonjë shqiptar naiv llaftariste të pranishmit me pyetjen, A do kemi ndonjëherë makina private ? përgjigja e ndonjë shqiptari të krisur ishte; Po, do kemi makina kur nafta e planetit do ketë shterrur. Jo rrallë, mes ishullarësh flitej për rrugët. Ishullarët thoshin; kurvi është thjesht një vrasës që për rrugë as mendja i vete.

Të vetmet rrugë që kemi janë rrugët ushtarake që shkojnë majave të maleve, pra rrugët që na lanë pushtuesit, Turqia, Austria, Italia. Rrugët drejt bregdetit, drejt kufirit tokësor, drejt Kosovës, që sot nuk janë rrugë por shtigje drejt arratisjes, pra rrugë drejt burgut, a do bëhen ndonjëherë rrugë të afrimit, të paqes, të turizmit, të qefit ? Kurrë, ishte përgjigja. Optimizmi, sado i madh, mungonte. Fantazia, sado e çartun, nuk mjaftonte. Sot makina kemi, rrugët e brendëshme bashkë me heqjen e vizave për rrugëtimet jashtë, me energji prej centrali atomik, imagjinatë prej Koperniku, pasion prej Krishti, Shqipërinë me rrugë dhe pa viza, pra qefin e gatshëm dhe të rruar të udhëtimit, shqiptarëve ua mundësoi, sytë i dalçin, mishi copa i raftë kush turiçkat i rrudh, King Doktori.

Mirë që rrugët u bënë, por mbi rrugët nuk duhet të lëvizin morracakët, kotheret, por ata që ca pare i kanë, blerësat, konsumatorët. Deri afër fundit të viteve ’90 ishte e pabesueshme se në Shqipëri mund të funksionojnë supermarketat. Tregoheshin në atë kohë skenarë groteskë dhe tmerrues se si shqiptarët supermarketin do ta vidhnin, shkatërronin, digjnin, brenda një dite. Mirpo njëri më i bukur e më i ndritur se tjetri, supermarketat nisën të ngrihen gjithandej. Asgjë groteske apo tmerruese nuk ndodhi. Fill pas supermarketave, u çfaq kudo edhe çudia e çudirave, Bankomati. Me fantazi prej Galileu dhe durim prej heroi, e bëri realitet, hajvan me brirë kush e vë në dyshim, King Zamiri.
Një vend me rrugë, supermarketa, bankomata, është vend si gjithë vendet e qytetëruara por për të cilin ende nuk mund të thuhet se është i tillë pa media, informim, transparencë. Shpallja e pluralizmit solli gazetën Rilindja Demokratike. Ishte absolutisht një mbretëreshë mediatike që shqiptarëve u ndali frymën nga mrekullimi. Por pas pak, me deformimet katastrofike dhe pasojat e shkatërruese që dihen, atmosferën e lirisë mediatike e flliqi sigurimi i kurvit me hordhinë e gazetarëve spiunë. Rrugaçëria mediatike e gazetarëve sigurimista e ndoti aq keq mjedisin meditik, sa u bënë prognoza të trishta se në Shqipëri media për të qënë, media të besueshme, nuk do ketë kurrë. As kjo profeci nuk doli e vërtetë. Prej shumë vitesh një media serioze e bën, pervers i lindur kush nuk e beson, King Fevziu.
Edhepse me rrugë, supermarketa, media, Shqipëria përsëri ishte e mangët. U ndje mungesa e diçkaje tjetër, e diçkaje më tepër se materialiteti ekspansiv, ingombrant, bezdisës. Mungonte ai eteri i padukshëm dhe i paprekshëm brenda të cilit materialiteti bëhet i pranueshëm. Para 10 vitesh, kur piramidat ishin shembur, qetësia po vendosej, nga një pronë sado minimale gjithkush e kishte, shqiptarët nisën të ndjejnë nevojën e disa gjërave më të larta se birra e ftohtë me bukë të thekur dhe salc kosi, që ishin arsimimi, edukimi, kultura, Arti, latimi, sifistikimi. Ishte ëndërr që as shqiptari më optimist nuk e besonte se mund të bëhej realitet. Me talent prej Mikelanxhelo dhe punë prej sizifi, ëndërrën e shkollimit të çdo shqiptari që dëshiron të gdhendet e shndrroi në realitet, i çmendur pa shërim kush nuk e pranon, Princ Henri.

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
8 muaj hetime për të legalizuar kotecin e pulave

Fier - Caci Dhamo dhe e shoqja Zoica besojnë se rindërtimi i kotecit të shpendëve u ka sjell ters; vezët...

Close