|Saturday, December 10, 2016
  • NA NDIQ NË

Profesori nga Sarajeva: Giorgio Armani, Bob Dole, John Lennon dhe Novak Gjokoviq janë shqiptarë (video) 

A ju ka shkuar mendja ndonjëherë se figura të njohura botërore si John Lennon, Bob Doll, Gergio Armani e madje edhe Novak Gjokoviq janë shqiptarë. Kështu së paku thotë Besim Spahiq, Profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, por pohimet e tij zor se janë të vërteta

Profesor, Besim Spahiq, i specializuar në komunikim politik dhe tani profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, përmes kësaj videoje ku flet kundër nacionalizmit ballkanas, ai tregon edhe disa emra të shquar në botë, si në fushën e politikës, artit dhe shkencës, ku thotë se të gjithë janë shqiptarë.

Në një video të publikuar, Spahiq flet qartë për nacionalizmin ballkanas, kështu duke thënë se nacionalizmi i vendeve të Ballkanit është i kotë, e në një farë forme, ai përqesh serbët dhe kroatët për nacionalizmin e tyre.

Për kroatët thotë se ata vetëm nëse e dinë se dikush është katolik, automatikisht e quajnë kroat, të cilën ide përmes kësaj ligjërate ai e hedh poshtë.

Ai përmend emra të mëdhenj të politikës botërore, kulturës dhe artit në përgjithësi, duke dhënë fakte se ata janë shqiptarë.

Kur flet për politikanët, së pari përmend Drazhen Budisha (kandidat për president të Kroacisë në vitet 90), për të cilin thotë se është shqiptar, kështu duke thënë se edhe 7 senatorë amerikanë janë me prejardhje shqiptare. Robert Bob Doll – politikan amerikan i cili përfaqësonte Kansas në Senatin e  Shteteve të Bashkuara nga 1969 deri në vitin 1996, gjithashtu shqiptar.

Kur flet për kulturën, ai përmend një listë të emrave të mëdhenj botërorë si në fushën e modës ashtu edhe në të muzikës, si: Georgio Armani, John Lennon, Inva Mula…

“Nacionalistët e duan modën e Georgio Armanit, por kur iu thashë se është shqiptar, më shan e më fyen”, thotë Spahiq, transmeton Gazeta Express.

Bendi i njohur “The Beatles” pjesë e së cilit ishte John Lennon, Spahiq tregon se vetë Lennon në një intervistë kishte treguar se ishte me prejardhje nga Shqipëria.

“Këtë nuk po e them unë, këtë e ka thënë edhe vetë John Lennon në një intervistë kur ka treguar për inspirimin e tij kur e kishte krijuar një këngë, këngë kjo e krijuar nga populli shqiptarë në atë kohë, të cilën Lenon e kishte rikrijuar në versionin e muzikës rock”, thotë Spahiq.

Ai tregon se familja e John Lennon janë me prejardhje nga Elbasani, e që nga aty kishin shkuar në Liverpool të Britanisë së Madhe.

“Për shkak të nacionalizmit, ballkanasit nuk mund ta dëgjojnë Inva Mulën, sopranisten më të mirë që ka ekzistuar ndonjëherë. Por, nga ana tjetër, kur janë vetëm dhe nuk i sheh askush, çmenden duke e dëgjuar zërin e saj dhe duke e adhuruar në çdo paraqitje”, thotë Spahiq.

Kur flet për kroatët, për të cilët thotë se përvetësojnë çdo kënd që është katolik, ai shpjegon se tri Papa ishin me prejardhje shqiptare.

Sa i përket fushës së sportit, emrat si Josip Gjergji, Tomislav Jevciq, Novak Gjokoviq (teniser), sipas Spahiq, thotë se janë shqiptarë.

“Novak Gjokoviq të gjithë mendojnë se është serb i pastër, por serbët nuk kanë mbiemër Gjoka. Ai është katolik me prejardhje shqiptare nga Tuzla”, thotë Spahiq, transmeton Gazeta Express.

Spahiq në këtë ligjëratë thotë se shumica e banorëve në Zadar (Zarë) të Kroacisë janë pellazg që kanë ardhur nga Greqia, mirëpo pellazgët dimë se janë shqiptarë.

Ai gjithashtu disa herë potencon se shqiptarët janë banorët më të vjetër të vendit.

Duke folur për nacionalizmin, ai këtë e quan sëmundje të rëndë.

“Nacionalizmi ekstrem është sëmundje, ua merr energjinë, dëmton lukthin, ua ngrit tensionin në gjak, u shkakton stres, nuk mund të jetojmë me të, nuk mund ta shikojmë botën normalisht ashtu siç është”, thotë Spahiq.

Gjithashtu, Spahiq thotë se krijuesi i cigareve “Muratti” ishte me prejardhje shqiptare.

“Enver Murati jetonte në Amerikë. Ai u transferua në Torino për studime, ku më pas krijoi edhe kompaninë e cigareve ‘Muratti”.

Besim Spahiq u lind në Travnik në vitin 1953. Ai filloi të punojë si gazetar në Radio Televizionin e Sarajevës. Pas 2 vite e gjysmë në këtë media, ai u transferuar në Fakultetin e Shkencave Politike në Sarajevë, Departamenti i Gazetarisë. Gjatë luftës, Profesor Spahiq jetoi në Lubjanë, duke punuar si drejtor kreativ në agjencinë “Studio Marketing”, shkruan Gazeta Express.

Ai shquhet si një nga dijetarët më të rëndësishëm në fushën e marketingut politik në rajon. Ishte i angazhuar në veprimtarinë botuese dhe në teorinë e kulturës. Ai ka publikuar një seri librash në këto fusha. Ai ka shkruar 18 libra në fushën e reklamave, komunikimit politik, marketing politik dhe kulturor, imazhit të korporatës, komunikimin e biznesit dhe dizajnit.

Si një artist i pavarur, ai ka krijuar edhe muzikë të zhanreve të ndryshme dhe muzikë të teatrit.

Ai gjithashtu shkroi këngë për shumë yje të muzikës që u njohën gjatë kohës së ish-Jugosllavisë si: Niksha Bratosh, Seid Memic, Giuliano, e shumë të tjerë…

Ai flet rrjedhshëm gjuhën frënge, sllovenishten, italishten dhe anglishten./GazetaExpress/

Add a Comment

%d bloggers like this: