|E diel, Dhjetor 17, 2017

Protestë në Prishtinë, arrestohet Shpend Ahmeti . 

shpend_2411Kosovë – Protesta e zhvilluar në Prishtinë në mesditë, e iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma për Kosovën ka precipituar në dhunë, duke bërë që të ketë përplasje me policinë me pasojë plagosjen e disa personave nga protestuesit.

Raportohen edhe 40 policë të plagosur. Protestuesit janë  thirrur në tubimin e organizuar në shesh kundër ministrit serb për Komunitete dhe Kthim Aleksandër Jabllanoviq dhe kundër planit që ndërmarrja “Trepça” të kthehet në pronësi të shtetit. Protestuesit kanë thyer një pjesë të barrikadës, por ndërhyrja e policisë ka bërë bllokimin e tyre.

Gjatë konfrontimit ka pasur të lënduar në radhët e protestuesve por nuk dihet ende numri i saktë i tyre. Mësohet se i lënduar ka mbetur kreu i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Visar Ymeri, i cili është dërguar në spital. Më herët Vetëvendosje i bëri thirrje Policisë së Kosovës që të heqë rrethimin minuta dhe të futet brenda rrethimit të godinës së Qeverisë, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Kundër protestuesve është përdorur gaz lotsjellës. Më herët Policia e Kosovës deklaroi se nuk do të lejohet që të përdoret asnjë akt dhune apo sulm i mundshëm. Protestuesit i kanë kërkuar Kryeministrit Isa Mustafa shkarkimin e ministrit serb Jabllanoviç dhe pas skadimit të ultimatumit të tyre, protesta ka kulmuar mesditën e sotme.

Shoqërohet në polici Shpend Ahmeti

Kreu i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është shoqëruar nga policia. Drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje kanë konfirmuar lajmin, duke thënë se arrestimi i tij është bërë në rrugën “Rexhep Luci”. Krahas Ahmetit policia ka shoqëruar edhe disa persona të tjerë të përfshirë në protestën e mesditës së sotme. Pak momente më vonë Ahmeti është lënë i lirë, ndërsa u shpreh për mediat se “Më ndaluan sepse këta ruajnë Jabllanoviq”.

Reagon Policia e Kosovës:

Ndërhymë pas sulmit nga protestuesit Plani policor në aspektin e sigurisë është duke u implementuar ashtu siç është paraparë, me ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët, ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, si dhe rritjen e perimetrit të sigurisë përgjatë objekteve të rëndësisë së veçantë. Policia e Kosovës vazhdon të njohë të drejtën e qytetarëve për tubime publike, fjalën e lirë në tubime publike, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet në fuqi dhe nuk ka asnjë qëllim të pengimit të mbajtjes së protestës së paparalajmëruar dhe lëvizjes së lirë të qytetarëve ashtu siç është deklaruar nga ana e organizatorëve. Mirëpo, rreth orës 12:45 minuta, pas fjalimeve nxitëse nga ana e organizatorëve, një grup prej disa protestuesve kanë filluar të sulmojnë policët duke hedhur gjësende të ndryshme, mjete të forta, mjete piroteknike në drejtim të njësiteve policore, të cilat detyrimisht janë dashur të intervenojnë për t’i parandaluar sulmet e tilla, duke përdorur mjetet policore të ligjshme. Policia e Kosovës deklaroi se u bën thirrje protestuesve që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve.

Pas eskalimit të situatës, si pasojë e vazhdimit të shprehjes së dhunës së disa protestuesve dhe si pasojë e vazhdimit të pandërprerë të hedhjes së mjeteve të forta, gurëve, kubëzave, shkëmbinjve të mëdhenj, koktej molotovi dhe kontejnerëve të ndezur me zjarr të shtyrë në drejtim të zyrtarëve policorë, njësitet relevante policore janë detyruar që në vazhdimësi të intervenojnë, duke përdorur pajisjet e ligjshme policore për të vënë situatën nën kontroll. Dhuna e shfaqur nga ana e disa protestuesve  të pandërgjegjshëm, deri rreth orës 15:30 ka rezultuar me lëndimin e mbi 22)zyrtarëve policorë, ku prej tyre dy zyrtarë kanë pësuar lëndime më serioze dhe janë dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor. Policia e Kosovës deri më tani ka shoqëruar mbi 27 protestues të dhunshëm, të cilët janë shoqëruar në stacione policore, për intervistim dhe procedura të mëtutjeshme ligjore.

Po ashtu në bazë të informacioneve të pranuara nga Qendra Emergjente në Prishtinë, deri në këto momente 15 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Policia e Kosovës vazhdon në implementimin e planit policor i cili ka për qëllim primar garantimin e rendit dhe qetësisë publike, lëvizjen e lirë si dhe zbatimin e ligjit, i cili është prioritet i planit të PK-së. Policia e Kosovës vazhdimisht u bën thirrje protestuesve që të mos shprehin dhunë ndaj zyrtarëve policorë dhe të mos dëmtojnë hapësirat dhe objektet publike e private

alb365.com

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Ronaldo – Franca favorite, por ne do të fitojmë

Cristiano Ronaldo, ylli i Real Madridit, e...

Close