|E shtunë, Tetor 21, 2017

Rama : Gatja do pasohet nga “Gatet” e prokurorisë dhe gjykatës. 

Kryeministri-Edi-Rama-Foto-ATSH-ARKIV-23    Tiranë – Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, deklaroi se në mbarë vendin dhe në mbarë botën ka jehuar fitorja e shumëpritur e shtetit mbi krimin në Lazarat.

Ai tha se kjo fitore ishte tregues kuptimplotë i luftës ndaj krimit, duke thënë se pas zhdukjes së Lazaratit nga harta e drogës, lufta ndaj krimit mbetet një prioritet themelor.

Kreu i mazhorancës deklaroi se pjesa më e vështirë e frontit të betejës për të rilindur këtë vend ishte kthimi i Policisë së Shtetit brenda 300 ditëve në krye të detyrës, duke shtuar se ky zotim është një zotim plotësisht i mbajtur, pa u mbushur ende 300 ditët e para të mandatit qeverisës.

“Nuk ka pasur një moment të vetëm, një sekondë të vetme, që unë të kem dyshuar se ne do ta përmbushnin zotimin tonë për ta kthyer Policinë e Shtetit në krye të detyrës, sepse përveç të tjerash pikërisht në orët më të vështira kam mundur të shoh dhe të çmoj cilësitë e posaçme të ministrit tonë të Brendshëm. Aftësinë e tij për drejtuar pa humbur qetësinë dhe besimin edhe atëherë kur shtegu duket se bëhet shumë i ngushtë. E, mbi të gjitha përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm në krye të detyrës.

Prandaj Saimir Tahiri sot meriton jo vetëm falenderimin tonë të megjithëzemërt për vlerën e shtuar që i ka sjellë jo vetëm qeverisjes, por dhe familjes sonë politike në sytë e publikut, por meriton besoj,- dhe kjo duhet thënë sot,- edhe ndjesën e heshtur të kujtdo deputeti që ndaj tij nuk e ka bërë si duhet detyrën elementare të deputetit, e cila për kujtesë është mbështetja pa kushte dhe as rezervë e çdo ministri, që kryen me përkushtim detyrën. E sidomos kur për shkak të detyrës, ministri përballet me sfida dhe probleme posaçërisht të vështira, me reforma dhe masa që ndryshojnë statusquo-në apo që prekin shpeshherë interesa të thella. Apo edhe më keq si në rastin e ministrit të Brendshëm që në kushtet ku i ka rënë në pjesë të punojë, i duhet të përballet nganjëherë me situata tejet të rënda. Sidoqoftë, le të ndihemi me zë të lartë sot krenarë që të gjithë në këtë 23 qershor të parë të qeverisjes sonë për faktin se ëndrrat dhe shpresat e Rilindjes së 23 qershorit 2013, jo vetëm nuk janë fikur, por përkundrazi janë forcuar falë shumë punëve të mira dhe rezultateve të prekshme. E padyshim edhe falë punës shembullore të Policisë së Shtetit në Lazarat, javën e shkuar që ishte qershia mbi tortën e kësaj dite të shënuar.

Por asnjëherë të mos harrojmë të vendosim edhe një ‘por’, pas çdo pune të mirë që bëjmë dhe çdo rezultati sado të mirë që arrijmë. Në këtë rast është me vend të thuhet; por ky është vetëm fillimi”, u shpreh Rama.

Ai tha se java e kaluar nxori në pah qartësisht dallimin mes qeverisë së kaluar dhe kësaj aktuale, ku kërkesat e qytetarëve pas rënies së “Republikës së turpit” janë po aty, e para për shtet dhe e dyta për drejtësi.

Sipas Ramës, Lazarati nuk ishte thjeshtë një plantacion droge, por shkelja e dinjitetit të shtetit dhe triumf i padrejtësisë, ndërsa tha se Lazarati tregoi se asgjë s’është e pamundur për këtë qeveri.

Kryeministri cilësoi si një problem më shqetësues se Lazarati, forcën e paligjshmërisë për të cilën tha se është shumë më e rrezikshme dhe e fortë në sistemin e drejtësisë.

“Gatja i Lazaratit, me armë dhe me thasë të mbushur me hashash në shtëpi, është askush, në krahasim me “Gatet e pushtetit gjyqësor”, që si armë kanë çekiçin e gjykatësit, ndërsa paratë i bëjnë me thasë, duke nxjerrë nga kafazet “Gatet e krimit”. Ose në krahasim me “Gatet e pazarit të prokurorisë”, që i kanë kthyer shumë prej dosjeve të luftës sonë kundër korrupsionit në letra me vlerë për karrierë dhe përfitime krejt vetjake, në kurriz të drejtësisë.

Marrja e statusit të vendit kandidat, që shpresoj, më në fund do ta marrim për Shqipërinë, edhe pse asnjëherë nuk i dihet deri në fund me këtë Europë që kemi sot, është dhe fundi i mundësisë që ne kemi për t’u justifikuar si vend, si popull, si shoqëri, por edhe si Parlament edhe si Qeveri për mjerimin e drejtësisë sonë.

Askush nuk na toleron dot më dhe askush nuk tolerohet dot më.

Me këtë sistem drejtësie anëtarësimin në Bashkimin Europian, të jemi të qartë, Shqipëria nuk e sheh dot as me dylbi”, deklaroi Rama.

Në vijim ai bëri me dije se reforma territoriale do të mbyllë këtë sesion parlamentar, duke e cilësuar si një sukses pasi kjo reformë nuk u bë për 20 vjet.

Ai deklaroi se kryefjala e sesionit të ardhshëm parlamentar do të jetë reforma në drejtësi.

Referuar një vjetorit të fitores të koalicionit të majtë në zgjedhjet parlamentare, kreu i saj shprehu vendosmërinë për të ecur përpara, duke thënë se ky është vetëm fillimi.

alb365.com

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Rama merr 3 ‘detyra shtëpie’ nga Amerika

Sekretari Amerikan i Shtetit Rex Tillerson ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin Edi Rama, gjatës së cilës i ka...

Close