|Saturday, December 10, 2016
  • NA NDIQ NË

RAMA, PAS VUÇIÇ, SFIDOI EDHE CIPRAS 

Nga NIKOLL LESI – Edi Rama ka sport të tij debatin-duel, në publik. Aty ndjehet lojtar klasi. E njeh mirë kundërshtarin dhe kur bindet se e mund, e thërret në duel. E ka me qejf sfidën dhe nuk ngopet me kënaqësinë që i jep fitorja. E bën vetë provokimin për duel. Ndaj në terrenin ballkanik ndjehet si një lider me shumë rajonal se sa shqiptar.

E provokoi kryeministrin serb Vuçiç mu në Beograd, gjë që as fantazia më përfekte nuk e çonte ndërmend se mundet të shkohej mu në Serbi për duel live. Realisht shkoi kryeministri Rama. E hapi sfidën mu në shtëpinë serbe dhe, me pak “plagosje”, fitoi. U la edhe dronin mbi stadiumin e Beogradit. I bëri të këndojnë kengë për të në një darkë po në Beograd, i sfidoi , u dha dorën dhe u kthye.

Ishte i pari kryeministër shqiptar që tha mu në Beograd, live, se Kosovën quajeni të lirë. E shikonin gjithë tërbim, kënaqej nga djersët që i shkonin kryeministrit Vuçiç, dhe luajti pokerin e radhës. E fitoi lojën.

Si të mos kënaqej me sfidën ndaj Vuçiç iu kthye shikimit nga fqinji jugor, Greqisë. Prapë, mjeshtërisht, shfrytëzoi krizën greke, uljen e krenarisë së tyre përballë BE, radhën greke për të marrë ndonjë euro në bankomatet e radhëve pafund dhe goditi. Tamam kur Cipras akoma nuk e ka marrë veten. Natyrisht që Greqia që prej vitit 1992, sidomos pas vitit 1997, e ka rritur dozën e autoritetit mbi politikën e Tiranës, pra ndjehet komode në Tiranë. Por megallomania greke e stisur nga vitet e tyre të arta ekonomike ku punonin tre muaj e shëtisnin nëntë muaj, tashmë ka ndërruar kahet. Nëntë muaj punojnë dhe tre muaj llogarisin nëse iu del për të kapur prapë muajin e radhës.

Tamam kur janë ende të trullosur nga hallet e tyre në Greqi, Edi Rama provokon në sfidë. Ua pret shkurt se iku koha juaj kur drejtonit fijet e politikës në Tiranë. Kjo i bën të plasin grekët, por nuk kanë se nga ta luajnë prapanicën. Edhe në televizionin Sky të Greqisë, Edi Rama e ka pranuar me kënaqësi sfidën ndaj tyre, bile talljen.

I talli, i përqeshi, ua kujtoi disa herë atë që iu dhëmb nga inati e mëria; Çamërinë. Nëse nuk do ishin kaq të dobët as Sky nuk kishte ardhur, por edhe nëse hynte në kryeministrinë tonë, prapë nuk do ta transmetonin  ironinë, batutat, sfidën e Edi Ramës.

E pranuan dhe humbën. Ndaj Edi Rama ndjehet mirë. Më dy kryeministrat me nacionalistë dhe të dy vendeve që vetëm kanë përfituar ndër dekada nga shqiptarët, Vuçiç dhe Cipras, talli trapin kaq fort e kaq egër sa nuk ua ka bërë njeri.

Edi Rama kur e ndjen se është në avantazh turret dhe të shkërmoq, qofshin këta edhe kryeministra.

Add a Comment

%d bloggers like this: