|E mërkurë, Gusht 23, 2017

Rama , zgjedhjet ne PS formalizem dhe jo demokratike. 

Edi-Rama--Albania-Prime-Minister--Getty-Images    Tirane – Kryeministri Edi Rama e cilësoi formalizëm aspak demokratik zhvillimin e zgjedhjeve për kreun e PS, kur partia ka fituar të drejtën për të qeverisur vendin. Gjatë një interviste për televizionin “Klan”, Rama tha se PS është votuar që të qeverisë, dhe jo të zbatojë çdo procedurë formale të statutit.

“Ne jemi votuar për të qeverisur, dhe jo për të bërë mbledhje dhe as procedura për zgjedhjen e kryetarit. Ndërkohë që në statutin tonë është fare e qartë se kryetari i partisë është dhe i kryeministër. Meqenëse kryetari i partisë është dhe kryeministër, çfarë do të bëjmë ne, do të bëjmë fushatë për të pyetur a mund të jetë kryeministri kryetar?!”, u shpreh Rama. Për kreun e Partisë Socialiste, këtë interpretim të statutit i japin të gjitha partitë nga është huazuar ai. “Ky është interpretimi im i statutit dhe kjo është ajo që bëjnë partitë prej të cilave ne kemi marrë modelin kur kemi futur në statutin tonë parimin ‘një anëtar-një votë’”, tha Rama.

Duke detajuar këtë interpretim të statutit, Kryeministri Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, tha se kur partia fiton zgjedhjet, automatikisht kryetari i saj konfirmohet kryeministër dhe njëkohësisht rikonfirmohet dhe si kryetar. “Të gjitha partitë që zbatojnë parimin ‘një anëtar-një votë’ dhe shkojnë në zgjedhje për kryetarin përmes këtij parimi kur janë në opozitë, asnjëherë nuk bëjnë rikonfirmim brenda partisë të konfirmimit të vullnetit popullor me votë kur partia merr të drejtën për të qeverisur dhe kryetari merr të drejtën për të drejtuar qeverinë”, tha Rama. Sipas tij, zgjedhjet brenda partisë për kreun e saj vetëm për të kënaqur anëtarësinë nuk do të vlerësohej pozitivisht nga ajo pjesë e madhe e publikut që kanë votuar këtë parti.

“Besoj se nëse do kënaqeshin një numër i vogël njerëzish brenda partisë me këtë formalizëm aspak demokratik, do të thosha unë, populli do të thotë: Po ne për çfarë i votuam, që këta të vijnë vërdallë nëpër Shqipëri për të bindur njëri-tjetrin se kush është më i zoti të drejtojë Partinë Socialiste?!”, tha Rama. Sipas tij, vota e marrë nga pjesa më e madhe e shqiptarëve është konfirmimi më i mirë dhe për mandatin e ri të kryetarit të PS, në të kundërt ai është një formalizëm absurd.

“Partia Socialiste dhe çdo parti tjetër në kushtet e një sistemi normal demokratik, nuk është as qëllimi në vetvete dhe as një mjet në vetvete, por është një fuqi e krijuar për t’i dhënë vendit një alternativë. Dhe në momentin kur populli ka votuar që t’i besojë këtë alternativë, është absurde të mendosh se do të merret me formalizimin e një procesi që ka kaluar në një filtër shumë më të madh se filtri i anëtarësisë së partisë”, tha Rama dje gjatë intervistës në televizionin “Klan”.

alb365.com

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Hetoen të lirë 3 pjestarë të një familje për fallsifikim dokumentash.

Fier - Më datë 13.10.2014, nga Sektori Per Krimin Ekonomik Financiar, filloi procedimi penal në gjëndje të lirë për shtetasit:...

Close