|Saturday, December 10, 2016
  • NA NDIQ NË

Ravajol Hasani, guzhinjeri Made in Albania mbrrin të hënën në Tiranë 

Shqiptari me famë botërore në kuzhinë, Ravajol Hasani mbërrin të hënën në Tiranë, në një vizitë që ai e pret me padurim. Ai do të qëndroj nga data 21 deri më 25 nëntor ku do të ketë disa takime në Tiranë dhe Prishtinë.

Ravajol Hasani është i ftuar në disa biznese të gastronomisë si “Neranxi” etj. ndërsa do të jetë edhe në një darkë gala në restorant “Otium” ku do të gatuajë për personalietet të vendit tonë.

Gjithashtu ai do të vizitojë edhe një shkollën e kulinarisë në Shqipëri, “Art in food” ku do të shpalosë disa nga gatimet e tij speciale.

Por kush është Ravjol Jorgo Hasani?

Jeta e një emigranti shqiptar në Greqi, më shumë se dy dekada më parë, pa asnjë dyshim ngjan me një serial televiziv, sepse gati çdo peripeci, çdo pengesë, aventurë, gëzim e dhimbje përzihen brenda një dite që të sjell të papritura me sekonda, jo me minuta apo me orë.

Kështu filloi edhe për kuzhinierin Ravajol Hasani, që të gjithë e njohin me emrin Jorgo (edhe pse nuk ngjan aspak me konceptin qe kemi ne për Jorgot e Greqisë apo të shqiptarëve që janë kthyer në Jorgo nga halli), sot ndër emrat më të njohur të kulinarisë në vendin fqinj dhe ambasador i kuzhinierit Jamie Oliver në Shqipëri, një prej emrave më të njohur në fushën e kulinarisë në botë.

Me një gjuhë shqipe të shkruar jo aq mirë sa do të donte, Ravajoli ndihet keq e vazhdimisht kërkon falje për gjërat që nuk i shkruan apo nuk i thotë mirë në shqip (ai nuk e di se shumë bashkëmoshatarë të tij që jetojnë e kanë studiuar këtu, për fat të keq, nuk e kanë aspak problem këtë pjesë). Por nuk është aspak e vështirë të kuptosh përmes atyre rreshtave të shkruar jo aq mirë sa e madhe është modestia e një të riu, që më shumë se gjithçka tjetër ndihet krenar për ermin që mban, ndaj edhe do të dijë më shumë për vendlindjen e tij, jo vetëm në fushën e gatimit, por gjithandej.

Ishte vetëm 4 vjeç kur së bashku me familjen u nis drejt Athinës. Natyrisht, një fëmijë aq i vogël nuk mund ta dinte ç’plane kishte familja për të ardhmen e tij, sepse prindërit në atë kohë nuk mund të parashikonin të ardhmen e askujt: “Isha vetëm 4 vjeç kur arritëm në Athinë. Nuk kuptoja asgjë se ç’ndodhte dhe as e mbaj mend sot, por kujtoj që im atë punonte shumë që t’ia dilte mbanë. Ishin vite të vështira për të gjithë familjen”, – tregon Ravajoli. Vitet e para të fëmijërisë i kujton me vështirësi. Natyrisht, nuk ishin vitet më të lumtura, siç mund të ishin për të gjithë moshatarët e tij, sepse prindërit duhet të sakrifikonin shumë, madje edhe fëmijët. Kur ishte vetëm adoleshent, Ravajoli vendosi të ndihmonte familjen me sa të mundte: “Në moshën 16-vjeçare, në një restorant të njohur të Athinës kërkonin pjatalarës. Vendosa të provoj pa as më të voglin dyshim, edhe pse punoja për shumë pak para. Pastroja deri në orët e para të mëngjesit dhe, çuditërisht, nuk lodhesha. Diçka doja të arrija, e dija. Një ditë, shefi i restorantit dhe mentori im vendosën të më provonin në kuzhinë. Dalëngadalë fillova ta shihja gatimin si një lloj arti, i cili po më hynte në gjak. Punoja si ndihmës në tre restorante, fillimisht nga pak orë dhe pas 2-vjetësh, vendosa të studioj në Athinë në Institutin e Kulinarisë në degën e shefave.”

Gjatë kësaj kohe, për Ravajolin ishin bërë të zakonshme drekat dhe darkat në restorantet më luksoze të Athinës, por nuk donte të ndalej me një kurs kulinarie. Tani që gatimin e shihte si një lloj arti dhe kishte kuptuar që gjithçka i përkiste kësaj fushe ishte pasioni i tij, mund të arrinte edhe më lart. Ambicia kishte filluar t’i bëhej pjesë e vetes: “Studimet çdo ditë më rrisnin standardet. Pas mbarimit në Athinë, kërkova një hap më të madh – një shkollë me class të kulinarisë botërore, ndaj edhe aplikova për të ndjekur një Master në Francë, në shkollën më të madhe dhe më të famshme në botë –  Le Cordon Bleu – Instituti i Artit të Kulinarisë dhe Menaxhimit të Hoteleve në Paris, pas së cilës ndryshoi krejtësisht koncepti im për mënyrën e të gatuarit.”

Standardet kishin filluar të rriteshin. Pas një pune të gjatë në restorante dhe hotele, por sidomos pas studimeve të Francë, sprova e radhës ishin restorantet në vendet skandinave: “Tanimë e ndjeja veten më të plotë, edhe pse vazhdimisht tentoja ta çoja më lart nivelin tim. Kjo ishte detyra ime themelore. Por në këtë kohë, ajo që më ndihmoi shumë ishte bashkëpunimi me P.H.C (kompani gjigante në fushën e gastronomisë dhe restoranteve) në Qipro, me rreth 200 restorante nën menaxhim. Me shumë punë dhe vullnet, fitova besimin e menaxherëve të mi, të cilët më lanë në dorë drejtimin e disa restoranteve me emrat më në zë në botë. Kuptohet, edhe përgjegjësia ishte e madhe, por kisha besim tek vetja, sepse tashmë i kisha kaluar hapat më të vështirë.”

Pas 8-vjetësh punë në Qipro, vendin ku ushtron profesionin edhe sot e kësaj dite, një bashkëpunim shumë i suksesshëm ishte edhe ai me kuzhinierin e famshëm britanik, Jamie Oliver: “Bashkëpunimi me shefin anglez ishte një arritje shumë e madhe në karrierën time. Për mua është një emër i madh, legjendë do ta quaja në kuzhinën botërore, sepse e respekton ushqimin e të gjitha anëve të botës, shëtit me të dhe merr gjithandej vlerat. Bashkëpunimi me Jamie nisi pas punës dhe eksperiencës sime në disa shtete të Europës. Punoja me një kompani gjigante, e cila kishte nën menaxhim rreth 200 restorante në fushën e turizmit dhe të restoranteve.”

Pozicioni si shef dhe menaxher në shumë prej restoranteve të kompanisë, edhe pas bashkëpunimit me Jamie Oliver, ndonëse i dha të drejta të plota, me sa duket, nuk e kishte kënaqur ende Ravalojin. Sigurisht, të qenit pjesë e një emri kaq të rëndësishëm si ai në fushën e kuzhinës nuk ishte pak, sepse, siç tregon shefi, ai është një emër me peshë, i rëndë dhe shumë i vështirë, por nuk ishte puna këtu. Ravajoli kishte edhe një peng tjetër të cilin deri tani e kishte lënë mënjanë. Suksesin nuk mund ta shijojë dhe nuk mund të ndihet i plotësuar pa kontribuuar për vendlindjen – dëshira për të qenë pranë shqiptarëve jo vetëm për t’u treguar atyre shembullin e tij të mirë, por mbi të gjitha, për t’u dhënë zemër atyre që duan të ndjekin pasionin, atyre që nuk dinë të ndalen edhe kur rrëzohen dhe sidomos, atyre skeptikëve, që mendojnë se të kesh sukses në një vend të huaj është pothuaj gjithmonë e pamundur.

Shqipërinë arriti ta vizitojë pas 25-vjetësh pasi ishte larguar. I ftuar fillimisht nga disa kolegë, shokë dhe biznesmenë, Hasani kishte edhe një ide në kokë: “Doja të shikoja si janë standardet dhe niveli i gastronomisë shqiptare. Për të qenë i sinqertë, vura re shumë ndryshime, edhe pasi bisedova me shumë shoqata të këtij biznesi në vend.” Përveçse është ambasador i  Jamie Oliver në Shqipëri, tani Ravajoli është edhe ambasador i Shqipërisë në Qipro në fushën e gastronomisë. Me disa nga bizneset  ka filluar edhe projekte (hapi i parë është informimi, organizimi i disa eventeve provë, por edhe surpriza të cilat do t’i themi më vonë.) Qëllimi i këtyre projekteve është t’i afrojë më shumë shtetet sidomos në fushën e turizmit, që është një ndër burimet kryesore të ekonomisë së dy vendeve: “Unë përpiqem, mbi të gjitha, të ngre lart ditë pas dite emrin shqiptar. Kjo është përgjegjësia ime më e madhe. Dua ta çoj Shqipërinë në të gjitha anët e botës. Jam shumë krenar që jam shqiptar, këtë e them gjithmonë dhe gjithandej, por po ashtu jam krenar që arrita t’ia dal nga e gjithë kjo rrugë e vështirë.”

Sot, pasi ka kaluar periudhën më të vështirë të jetës dhe vitet më të lodhshme, Ravajoli tregon se gjërat kanë ndryshuar – edhe për emigrantët, krahasuar me afro dy dekada më parë. Në Greqi emigrantët shiheshin me sy tjetër. Tek ata racizmi ishte mjaft i dukshëm: “Në kohën kur fillova të ushtroj profesionin e kuzhinierit, vështirësitë ishin shumë të mëdha, por me kalimin e viteve gjërat ndryshuan, janë bërë më të thjeshta. 15 vjet më parë ishte e pamundur që një emigrant shqiptar të arrinte të tilla nivele siç mundemi ne sot, sepse pengesa kryesore ishte racizmi. Natyrisht, për të kapur majat, për askënd nuk është e lehtë, s’mund të ishte për mua. Përveç të tjerave, isha edhe i vetëm dhe pengesat ishin edhe më të mëdha, goditjet të njëpasnjëshme, megjithatë isha i vendosur për të vijuar ëndrrën. Punoja shumë orë në ditë dhe shkallë-shkallë kam arritur të ngjitem”, – tregon Hasani duke shtuar se sot, për të huajt rrugët janë të hapura. Kushdo që ka talent dhe punon fort për të, mund të arrijë me lehtësi në destinacionin që do: “Jeta është një lloj udhëtimi që të shpie atje ku do, por ka vetëm një kusht: destinacionin duhet ta duash me zemër.”

Ky është modeli më i mirë – ai që Ravajoli do t’u japë të gjithë shqiptarëve: “Shqipëria, së pari duhet të punojë akoma për të përmbushur standarde sa më të larta në fushën e restoranteve dhe hoteleve. Turizmi duhet të shihet me më shumë përparësi. Kjo realizohet pikë së pari nga informacioni, studimet në shkolla të ndryshme të kulinarisë, në mënyrë që kushdo që të vijë në Shqipëri të kuptojë se është një vend me kulturë kulinare. Edhe rinia, nga ana tjetër, që dëshiron ta ndjekë këtë pasion, duhet të studiojë për të pasur themele të forta në të ardhmen.”

E ardhmja, tashmë është e sigurt për Ravalojin dhe të gjitha dyert janë hapur si me magji. Për momentin, ai ka në dorë një projekt me shefin e njohur shqiptar Gëzim Musliaka, të cilin e konsideron si doktorin e gastronomisë shqiptare, por nuk është vetëm kjo ajo që e pret. Shumë shpejt, ai do të shpallet shefi më i mirë për 2016-ën, restoranti i tij do të marrë çmimin si më i miri për 2016-ën dhe shumë afër është edhe çmimi i Kapelës së Artë për 2016-ën. Pas kësaj, Ravajoli do të rikthehet në Tiranë për të nisur të tjera projekte në interes të vendit të tij. Gjithçka që ka arritur shkallë-shkallë nuk e bën vetëm për vete. Ai i ka të qarta idetë: Shqipërinë do që ta çojë në çdo kënd të botës.

Add a Comment

%d bloggers like this: