|E mërkurë, Gusht 23, 2017

Realizëm socialist apo realizëm demokratik ?! 

1 Ilirian Zhupa    Realizëm, realizëm kritik, neorealizëm, realizëm socialist, realizëm magjik… Mënjëzime teorike, që përpiqen të vënë mbi shina …shkencore me bazë të përbashkët: realizmin. Rreken të sistemojnë në raftet e bibliotekës së botës produktin letrar dhe artistik, që zor se mund të mbajë një etiketë standarde. Ndryshe nga gjithë realizmat, ai socialisti që nisi nga “Nëna” e Gorkit, me baballarë dhe mama politike, ishte shembulli klasik se si letërsia e arti mund t’i largohen objektit të vet dhe të deformohen.

Realizëm që pati filizat e vet edhe në Shqipëri, filiza që me kalimin e kohës u rritën dhe në stinën e gjatë dhe të thatë socialiste, u bënë si kulpri i harlisur që u merr frymën pemëve të shëndetshme. Në fillim të viteve ’80, qeshnim me të madhe me një poezi, të botuar mbas plenumit të katërt, me titull “Aksioni”, që thoshte: “Autobusi/ Fill te pusi/ Minatorët po i çon/ Derdhet djersa/ Me bidon” Modele të tilla, përmbytën tekstet shkollore; brezat tanë kanë ende në mend se si “Punojnë së bashku njëzet pendë qe…”; apo Hasanin që rri pranë oxhaku dhe i thotë tymit të zi: “Mjaft ke ndej n’kasollat tona/ Sot ka ardhë një mot i ri/ Ta çojmë jetën porsi dona.”; apo partinë që kishte mbirë “Si një rrap madhështor/ Ndanë rrugës ku shkonin shtrëngatat..”; apo betimin patetik “I përkasim komunizmit”… Abeja e socrealizmit është ende e gjallë, me gjithë deformimet e veta.

Ajo dallon qartë, siç dallonin në Kinën e lashtë, fëmijët e rritur në qypat e baltës. Në qypin e realizmit socialist, pati shumë sosh që hynë vullnetarisht (të patalentuarit), siç pati shumë që e paguan taksën e qypit në atë masë sa të mos dëmtonin krijesat e tjera të njëmendta artistike. Me kësisoj “magjish” mbijetuan dhe erdhën të shëndetshme te ne lirikat e mrekullueshme të Fatos Arapit; proza tronditëse e Ismail Kadaresë; krijimtaria e gjerë e Dritëro Agollit, Xhevahir Spahiut, Bardhyl Londos etj., etj; pikturat, filmat, muzika, aktorët, këngëtarët me të cilët vazhdojmë të krenohemi. “Bukën” e tyre letrare dhe artistike e kemi ende të ngrohtë mbi tryezë dhe ajo vazhdon të kënaqë urinë tonë artistike e shpirtërore.

Por vitet e fundit, fatkeqësisht ndër ne, gjithmonë e më shumë po forcohet një tendencë e re, e përvijuar dukshëm si tendencë e promovimit të një “realizmi antisocialist”, përndryshe të një realizmi demokratik. Ana tjetër e pasqyrës tejet të politizuar të metodës famëkeqe. Siamezja e saj. E ardhur jo me dhunë, si një fatkeqësi (siç erdhi e para), por me dëshirë, protagonizëm, filistinizëm e përfitime. Flamurtarët e saj, nën gjasme detyrën e fshirjes nga memoria kombëtare të metodës së dështuar, duan të fshijnë dhe përkeqin edhe ato vepra që e sfiduan diktaturën e na mbajtën shpirtin gjallë, të krijuara nën syrin dhe shtjekëzën e Vëllait të Madh.

Demorealistët (le ta quajmë kështu këtë eksperiment shqiptar), nëse do të arrijnë të bindin botën në metodën e tyre, do të kenë meritën jo vetëm që sollën një metodë të re në faqe të dheut, dyqind vjet mbas realizmit të parë, por edhe që kjo metodë pati pikënisjen dhe hodhi shtat në një vend të vogël ballkanik si Shqipëria. Në një vend të vogël, me një popullsi të firaksur ngjarje pas ngjarjeje, me një gjuhë të pakfolur, me një terren të shkalafitur; me një qenie njerëzore të tronditur në besimin dhe shpresën e saj; me një treg të produkteve të shpirtit gjithnjë e më të rrëgjuar, gjithnjë e më të paragjykuar.

Këta kalorës të rinj, ashtu si kalorësit e rinj të viteve ’40, përpiqen t’i fusin në një poçe të gjithë paraardhësit e ta derdhin në një përrua gjithçka u krijua në gjysmë shekulli. Gjithçkaje i vënë damkën socrealiste, duke harruar se për krijuesin vepra lind në mënyrë të vetvetishme, të brendshme, të thellë, spontane, të pashmangshme. Si fëmija mbas një akti dashurie. Duke harruar se letërsia dhe arti, ose janë me të vërtetë, ose nuk janë; gjithçka tjetër është mashtrim dhe profkë. Por demorealistët, këta agjitatorë dhe zboristë vullnetarë, rreshtohen në abuzet dhe kulluzmat politike dhe, me të shtëna epitetesh e mohesh i turren gjithkujt e gjithçkaje që është bërë më parë. Letërsisë, muzikës, filmit, pikturës, teatrit etj.

Më tej u kërkojnë hesap burrave dhe grave që na kanë mbajtur gjallë mendjen dhe zemrën, në atë burg të madh ku bota vinte përmes pasqyrave të thyera, përse nuk e mbyllën gojën për inat të diktaturës, përse nuk u bënë vuvër. E më tej, përse lindën dhe krijuan pikërisht në ato kohë dhe në ato rrethana burgu. Shumë para, përkujdesje, letër, bojë, beze, podiume, ekrane, tryeza, janë shpenzuar për ta. Për ata që siç thotë Fridrih Niçe, duan të jenë edhe barinj të tufës, edhe qen të saj. Që harrojnë se “Ai që krijon kërkon bashkudhëtarë e jo të vdekur…”.

Që as më shumë e as më pak, por për përfitime banale duan ta rifusin krijimtarinë sërish në qypat kinezë, por kësaj radhe me të vetmin ndryshim, se qypat i kanë kthyer me kokë poshtë. Parazitë mendjeshterpë, që luftojnë t’u zënë frymën krijimeve të reja e të shëndetshme, që përpiqen të rriten në tokën dhe ajrin e lirisë sonë të brishtë.

alb365.com/Ilirjan Zhupa

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Tifozët “Kuq e Zi” pa bileta në Euro 2016

Tifozët Kuq e Zi nuk kanë siguruar asnjë biletë për ndeshjet e Euro 2016. Për këtë grupi i tifozëve të...

Close