|Monday, December 5, 2016
  • NA NDIQ NË

Rebelohet Endri Xhafo – E përuruat bunkerin? U zënçin hakat e të përndjekurve 

auto_4351479569984

Gazetari Endri Xhafo ka shprehur revoltën kundër Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, që inauguruan bunkerin e komunizmit, që ndodhet në oborrin e Ministrisë së Brendshme.

Në një status në Facebook, gazetari Xhafo i quan neo-komunistë këtë klasë drejtuese të qeverisë, që vetëm inaugurojnë bunkere dhe objekte të kohës së diktaturës komuniste, të cilat risjellin në kujtesë vuajtjet e asaj periudhe të errët.

Reagimi i gazetarit Endri Xhafo:

E përuruat Bunkerin?

E përuruat Bunkerin?! Epo ju zënshin haqet e ish-të përndjekurve, pra! Po nuk ju zënë juve, se s’bie rrufeja në ca vende! Dhe të mos vijë kush të më thotë këtu se ai bunker është vepër arti, sepse nëse ai bunker është vepër arti, unë jam Picasso!
Por mirë more, se ju e mbani veten edhe për sqimtarë, për njerëz të lëçitur, që gjoja merrni vesh nga e bukura; po ai bunker, tani që e zbuluat, është gjëja më “cheap” në mes të qytetit! Një gjë aq “du mauvais goût”, sa nuk duhet të zinte kurrë vend në piacat publike! Idem si kulla phallus e erektuar në mes të Korçës, apo busti i gjoja-Hillarit në mes të Sarandës, që vetëm me Hillarin nuk ngjan! Por mirë more, se ju jeni të çuditshëm ndonjëherë, ju keni qenë edhe në Paris, – përveç që ndonjëri prej jush edhe ka jetuar ca kohë aty, – po hyrja e Katakombave kështu është? Diçka e shëmtuar që gërthet? Apo një hyrje e padukshme dhe misterioze, siç janë vetë tunelet e fshehtë nëntokësorë si ai që gjendet poshtë bunkerit tuaj?

A e keni menduar ndonjëherë se Sali Berisha, makthi i juaj më i madh, përuronte rrugë dhe hidrocentrale, kurse ju po përuroni bunkere dhe shatërvanë? A e keni parë ndonjëherë në këtë prizëm? Unë nuk kam lidhje me Sali Berishën, dhe ata që më njohin e dinë mirë se më shumë shoqëri kam pasur me këta talentet e Bashkisë, sesa me figura të PD-së. Por kjo është e vërtetë: Jeni katandisur që përuroni me tam-tame një bunker që lëndon ndjenjat e 95% të shqiptarëve, ju që talleshit në opozitë me 10 mijë km rrugë të Sali Berishës. Mbase ai 10 mijë s’i bëri, por disa mijëra km, po!

Ne ecim sot në rrugët e Sali Berishës në veri, verilindje, Shqipërinë e mesme, juglindje dhe jug! Po ju, ç’keni bërë ju? Ju zgjoni kujtimet e Qoftëlargut me festat neo-komuniste të tipit Peza n’Fest dhe me bunkerin në mes të Tiranës! Unë nuk jam nostalgjik i Berishës, sepse mendoj që ai e kreu kohën e vet. Unë nuk mendoj as edhe që Luli është shpresa e vetme e këtij kombi, sepse Luli është shumë “funny” për t’u marrë seriozisht! Por fatkeqësia e këtij vendi, që ka shkuar prej kohësh për lesh, është se ju jeni bërë në 2-3 vjet ajo që Berisha u shndërrua në 8! Dhe, për më tepër, tani, përveçse se politikisht dhe ekonomikisht, jeni bërë edhe simbolikisht të urryer! Mjerë ne ku na ka rënë për hise të rrisim fëmijët tanë!

alb365/syri

Add a Comment

%d bloggers like this: