|Friday, December 9, 2016
  • NA NDIQ NË

Rregullat e reja – Shqiptarë, ja lista e dokumentave për të udhëtuar në BE 

Komisioni Europian propozoi krijimin e një Sistemi Evropian Informacioni dhe Autorizimi për Udhëtimet (ETIAS) për të forcuar kontrollet e sigurisë për udhëtarët pa viza. Kjo pason njoftimin e bërë në shtator nga Presidenti Junker në fjalimin e tij mbi gjendjen e BE-së 2016 dhe është rezultati i parë i përparësive për veprimet e identifikuara në Planin e Veprimit të Bratislavës.

Sipas njoftimit të Delegacionit të KE-së në Tiranë, ETIAS do të mbledhë informacion mbi gjithë ata që udhëtojnë pa viza në Bashkimin Evropian për të lejuar kontrolle të avancuara për migrimin e parregullt dhe sigurinë. Kjo do të kontribuojë për një menaxhim më efikas të kufijve të jashtëm të BE-së dhe do të përmirësojë sigurinë e brendshme, ndërsa do të lehtësojë në të njëjtën kohë udhëtimet e ligjshme përmes kufijve “Schengen”.

Zëvendëspresidenti i parë, Frans Timmermans, tha se, “sigurimi i kufijve tanë dhe mbrojtja e qytetarëve tanë është prioriteti ynë i parë. ETIAS do të mbyllë një hendek informacioni duke verifikuar informacionin e aplikantëve të përjashtuar nga vizat kundrejt gjithë sistemeve tona të tjera. Njëkohësisht, sistemi i ardhshëm ETIAS do të jetë i lehtë, i shpejtë, i lirë dhe efektiv”.

Ndërsa komisioneri për Migracionin dhe Punët e Brendshme, Dimitris Avramopoulos, u shpreh se, “ETIAS është hallka e munguar në menaxhimin tonë të kufijve, që lidh pikat me politikat tona të migrimit dhe sigurisë dhe forcon hyrjen ‘Schengen’ për të paktën 95% të udhëtarëve pa viza. Hapja e Evropës nuk vjen me koston e sigurisë së saj”.

Komisioneri për Bashkimin për Sigurinë, Julian Kingtha, nënvizoi se, “terroristët dhe kriminelët nuk merakosen shumë për kufijtë kombëtarë. E vetmja mënyrë për t’i mposhtur ata është duke punuar së bashku në mënyrë efektive. ETIAS do të ndihmojë për ta bërë këtë: duke pikasur individualë problematikë dhe duke i ndaluar të hyjnë ne do të forcojmë sigurinë e brendshme të Evropës”.

Sipas njoftimit zyrtar, autorizimi ETIAS nuk është vizë. Ai është një regjim më i lehtë dhe më miqësor me vizitorët. Shtetasit e vendeve me liberalizim të vizave sërish do të mund të udhëtojnë pa viza, por do të duhet të marrin një autorizim të thjeshtë udhëtimi para se të udhëtojnë në zonën “Schengen”. “Kjo do të ndihmojë për të identifikuar personat që mund të paraqesin risk për migrim të parregullt apo risk sigurie para se ata të mbërrijnë në kufi, si dhe forcon shumë sigurinë e kufijve të jashtëm. ETIAS do të bashkojë gjithashtu një hendek ekzistues informacioni mbi udhëtarët pa viza, duke mbledhur informacion që mund të jetë jetik për autoritetet e Shteteve Anëtare para se ata të mbërrijnë në kufirin Schengen”, thuhet në deklaratë.

ETIAS vlerësohet nga Brukseli si “një hap përpara me rëndësi drejt sistemeve më të forta dhe më të zgjuara të informacionit për kufijtë dhe sigurinë”. “ETIAS do të lehtësojë gjithashtu kalimin e kufirit të jashtëm nga shtetas të vendeve të treta të përjashtuar nga vizat. Udhëtarët do të kenë një tregues të hershëm të qëndrueshëm të hyrjes në zonën Schengen, çka do të reduktojë kështu shumë numrin e refuzimeve të hyrjes”, thuhet në deklaratë.

Sipas rregullave të reja, me qëllim që të vendoset të jepet apo të refuzohet një kërkesë për udhëtim në BE, një sistemi automatizuar do të kryejë kontrolle paraprake, në përputhje të plotë me të drejtat themelore dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

“Ndonëse vendimi përfundimtar për të lejuar apo refuzuar një hyrje do të merret gjithnjë nga rojat kombëtare të kufirit që kryejnë kontrollet kufitare në kuadrin e Kodit të Kufijve Schengen, verifikimet paraprake të të gjithë udhëtarëve do t’i lehtësojnë kontrollet kufitare dhe do të sigurojnë një vlerësim të koordinuar dhe të harmonizuar të shtetasve të vendeve të treta të përjashtuar nga vizat. ETIAS do të menaxhohet nga Roja Evropiane e Kufirit dhe Brigjeve në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet kompetente të Shteteve Anëtare dhe Europol-in. Agjenciaeu-LISA do të hartojë dhe sigurojë menaxhimin teknik të këtij sistemi informacioni”, theksohet në deklaratë.

Funksionet kyçe të ETIAS do të jenë të:

– Verifikojë informacionin e paraqitur nga shtetasit e vendeve të treta të përjashtuar nga vizat (si informacion lidhur me identitetin, dokumentin e udhëtimit, informacionin mbi rezidencën, detaje kontakti, etj.), përmes një aplikimi online para udhëtimit të tyre në kufijtë e jashtëm të BE-së, për të vlerësuar nëse paraqesin risk për migrim të parregullt, për sigurinë apo shëndetin publik;

– Përpunojnë automatikisht çdo aplikim të paraqitur përmes një uebsajti apo një aplikim me celular kundrejt sistemeve të tjerë të informacionit të BE-së (si SIS, VIS, baza e të dhënave e Europol-it, baza e të dhënave e Interpol-it, EES, Eurodac, ECRIS),një listë të dedikuar sigurie të ETIAS (përcaktuar nga Europol) dhe rregulla kontrolli të shënjestruara, proporcionale dhe të përcaktuara qartë për të vendosur nëse ka tregues faktikë apo baza të arsyeshme për të lëshuar apo refuzuar një autorizim udhëtimi;

– Lëshojnë autorizime udhëtimi. Në rastet kur nuk identifikohen të dhëna apo elementë që kërkojnë analizë të mëtejshme, autorizimi i udhëtimit lëshohet automatikisht disa minuta pas paraqitjes së aplikimit.

Autorizimi do të merret përmes një procedure që është e thjeshtë, e lirë dhe e shpejtë; në shumicën e rasteve, një autorizim duhet dhënë brenda pak minutave. Autorizimi, aplikimi për të cilin nuk do të duhet më shumë se dhjetë minuta për t’u plotësuar dhe që kërkon vetëm një dokument të vlefshëm udhëtimi, do të jetë i vlefshëm për një periudhë pesëvjeçare dhe për shumë udhëtime. Një tarifë aplikimi prej vetëm 5 euro do të aplikohet për të gjithë aplikantët mbi 18 vjeç.

Konteksti

Siguria ka qenë një temë e vazhdueshme që prej fillimit të mandatit të Komisionit Juncker – nga Udhëzimet Politike të Presidentit Juncker të korrikut 2014, deri te Fjalimi i tij i fundit mbi Gjendjen e BE-së në shtator 2016. Në fjalën e tij, presidenti Juncker njoftoi se në nëntor Komisioni do të propozojë një Sistem Evropian Informacioni për Udhëtimet (ETIAS) – një sistem i automatizuar për të përcaktuar se kush do të lejohet të udhëtojë në Zonën Schengen. Ngritjes së këtij sistemi i është dhënë më tej përparësi në Planin e Veprimit të Bratislavës nënshkruar dhe vendosur nga 27 liderët e BE-së, që angazhohen: “Të ngrenë një Sistem Informacioni dhe Autorizimi për Udhëtimet (ETIAS) për të mundësuar kontrolle të mëparshme dhe, po të jetë nevoja, refuzimin e hyrjes udhëtarëve të përjashtuar nga vizat”.

Komisioni Evropian miratoi Agjendën Evropiane të Sigurisë më 28 prill 2015, duke përcaktuar veprimet kryesore për të siguruar një reagim efektiv të BE-së ndaj terrorizmit dhe kërcënimeve ndaj sigurisë në Bashkimin Evropian gjatë periudhës 2015-2020.

Që prej miratimit të Agjendës, është bërë progres i rëndësishëm në zbatimin e saj. Në nëntor 2015 Komisioni propozoi rishikimin e Direktivës për Armët e Zjarrit pasuar me një Plan Veprimi për armët e zjarrit dhe eksplozivët në dhjetor 2015. Për terrorizmin u miratua një Direktivë e re për Luftën kundër Terrorizmit nga Komisioni në dhjetor 2015 dhe një Plan specifik Veprimi për financimin e terroristëve në shkurt 2016. Në prill Komisioni propozoi krijimin e Sistemit të Hyrje-Daljeve (EES) dhe prezantoi një Komunikatë që shtronte udhën drejt një Bashkimi për Sigurinë të vërtetë dhe efektiv. Veç kësaj, në shtator u miratua një certifikatë e vetme e BE-së për sigurinë e pajisjeve të aviacionit.

Add a Comment

%d bloggers like this: