|E hënë, Dhjetor 11, 2017

Rreshjet/ Dëmi 10 milion Euro, shteti merr përsipër pagesën 

4.715 banesa dhe 41 biznese të dëmtuara, 10.622 hektarë të përmbytur, 5.526 hektarë të tjerë ku ka prani të lartë uji.

27 shkolla ende të papërdorshme dhe 65 ura të prishura ose të dëmtuara. Shifrat e dhëna dje zyrtarisht në Komitetin e Emergjencave Civile të kujtojnë një buletin lufte, ku mungojnë, fatmirësisht, viktimat në njerëz. Shirat, me një intensitet që është provuar rrallë herë në vend, kanë shkaktuar dëme të shumta materiale, që do të jetë e vështirë të riparohen.Sipas vlerësimeve të para të ekspertëve të shoqërive të sigurimeve, me shifra të tilla duhet të kemi të bëjmë me dëme me vlerë rreth 9-10 milionë euro, ku 8 milionë llogaritet dëmi në ndërtesa e objekte dhe pjesa tjetër në ekonominë bujqësore. Dhe kjo vlerë do të varet edhe nga fakti se sa do të qendrojnë nën ujë zonat e përmbytura. Shiu ka pushuar, por, sipas autoriteve, në zonat fushore të Fierit e të Vlorës pritet që uji të mos largohet edhe për 15 apo 20 ditë dhe kjo duke llogaritur që hidrovoret të punojnë pa pushim dhe pa difekte.

Numri i shtëpive të përmbytura, në këtë mënyrë rezulton të jetë rreth 7 herë më i madh nga ai që ishte dy vjet më parë, në përmbytjet më të fundit. Këtë herë janë përmbytur 56 shkolla, nga 16 që u përmbytën dy vjet më parë, ndërsa urat e dëmtuara kanë qenë 65 nga vetëm 10 që ishin në vitin 2015. Vetëm biznese këtë vit janë përmbytur më pak, nga 300 që ishin në 2015-ën, në vetëm 41 këtë herë. Por dëmet tek bizneset janë shumë më të mëdha se tek banesat. Këtyre të fundit, tashmë të dobësuara nga vështirësitë e taksave dhe rënies së konsumit, iu duhet të përballojnë edhe ndërprerjen e proceseve të prodhimit dhe dëmtimin e lëndës së parë, produktit të gatshëm apo mjediseve të punës.

Ndërkohë, më e rëndë ka qenë situata në janar 2010 në rajonet Shkodër e Lezhë, kur nga hapja e portave të HEC-eve mbi lumin Drin u përmbytën rreth 14.000 hektarë, ndërsa 12.000 njerëz u desh të evakuoheshin nga banesat.

DëmshpërblimiNë përputhje me Aktin Normativ që ka ndryshuar Buxhetin e Shtetit 2017 dhe që ka marrë tashmë edhe OK nga Kuvendi, në dispozicion të qeverisë për përballimin e situatave të emergjencave natyrore deri më 31 dhjetor të këtij viti janë vënë 7.5 milionë euro (1 miliardë lekë të reja). Pra, shifra që ka shteti nga Buxheti për këtë situatë duket se nuk e mbulon humbjen e shkaktuar tek familjet dhe bizneset e dëmtuara.
Megjithatë, vetë kryeministri Edi Rama ka deklaruar dje në mbledhjen e Komitetit të Emergjencave se “Natyrisht, përsa na takon, ne do të bëjmë maksimumin, siç kemi bërë edhe herën e shkuar, ku nuk kemi lënë askënd pa kompensuar deri në fund për dëmet që ka pasur”. Në këtë mënyrë, vetë kreu i Ekzekutivit angazhohet sërish që shteti të paguajë pa dallim dhe për secilindo dëmet e shkaktuara nga natyra.

Por, njëkohësisht Rama ka përsëritur edhe një thirrje që e bëri edhe dy vjet më parë në të njejtat rrethana: “Po ashtu është përparësi marrja e nismës ligjore për sigurimin e banesave dhe të bizneseve nga përmbytjet. Jemi ende i vetmi vend që nuk ka një masë të tillë me ligj dhe ku pastaj, njerëzit e prekur mbeten në mëshirën e fatit dhe në pritje vetëm nga buxheti i shtetit, që nuk mund të përballojë gjithçka dhe gjithmonë, edhe pse këtë herë, ne do t’i përballojmë si edhe herën e kaluar, të gjitha detyrimet që burojnë nga kjo krizë e rëndë. Por është shumë e rëndësishme që të gjithë qytetarët, të gjithë sipërmarrësit të stabilizohen dhe të kuptojnë se duhet si në çdo vend normal të marrin masa, të sigurohen nga fatkeqësitë natyrore, në mënyrë që dëmet e tyre të kompensohen plotësisht dhe në kohë reale në bazë të këtij mekanizmi”.

Pra, qeveria duket më e vendosur se kurrë që të kalojë një ligj, që do të detyrojë të paktën banorët e zonave me risk më të madh që të sigurojnë banesa e biznese. Në Evropë është e vërtetë që Franca, Polonia, Zvicra dhe Islanda psh e kanë të detyrueshëm sigurimin e pasurive ndaj fatkeqësive natyrore, sipas specifikave të emergjencave që kanë këto vende. Por vendet e tjera të BE ende e kanë fakultativ këtë sigurim. Madje edhe SHBA, që ka probleme të përvitshme me uraganet.

ProjektligjiNë shtator të vitit 2017, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare njoftoi se qeveria ka pregatitur një projektligj për të bërë të detyrueshëm sigurimin e pronës nga rreziqet natyrore dhe se projekligji i përfunduar po diskutohej me Bankën Botërore. Projektligji përfshinte sigurimin e pronës nga rreziqet natyrore si tërmetet dhe përmbytjet. Nëse projekti bëhet realitet, çdo pronar duhet të paguajë të paktën 7 mijë lekë (50 euro) për sigurimin vjetor të pronave, përveç taksave.

 

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Ujësjellësi – Ikën Totaj , komandohet Pirro Ndreu

Fier - Ujesjellsi me drejtor te ri,...

Close