|E mërkurë, Dhjetor 13, 2017

Rruga e myslimanëve shqiptarë drejt xhihadit në Siri . 

rruga-per-nexhihadTiranë – Në udhëtimin e parë jashtë Shqipërisë, ai u nis me 400 euro në xhep, një hartë të printuar nga interneti dhe me besimin se po përmbushte fatin e vet para Zotit. Destinacioni ishte fronti i luftës në Siri, por xhihadi i tij përfundoi më shpejt nga sa e kishte menduar.

Dy vjet më vonë, në një lokal të mbushur plot me njerëz në qytetin e tij të lindjes në veri të Shqipërisë, Ebu Merjem* shquhet që së largu prej mjekrës së tij të gjatë dhe pantallonave që varen pezull mbi kyçin e këmbës. I bezdisur nga vëmendja që tërheq pas vetes, ai zgjedh një ndarje thuajse bosh të lokalit për të rrëfyer arsyet që e shtynë drejt një lufte të largët dhe e kthyen sërish në vendin ku ndjehet i padëshirueshëm.

“Po të kisha mundësi, do të ikja edhe sot të luftoja në Siri. Xhihadin e ka vënë Zoti. Duhet me e dashtë diçka që e don Zoti,” thotë ai pa asnjë dilemë, edhe pas thirrjeve të shumë teologëve të njohur që shqiptarët të rrinë larg luftës së Sirisë. Ebu Merjemi është një 37 vjeçar i papunë, baba i dy fëmijëve të mitur dhe mysliman praktikant prej 17 vitesh. Ai është njëri prej rreth 90 burrave, grave e fëmijëve shqiptarë që u nisën drejt Sirisë gjatë viteve 2012-2014, me bindjen se do të bëheshin pjesë e një lufte të shenjtë. Që prej nisjes së konfliktit, 10 shqiptarë kanë humbur jetën në Siri dhe 30 të tjerë janë kthyer në atdhe, përpara hyrjes në fuqi të ligjit që i dënon ata për bashkëpunim me terroristët.  Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, rreth 50 prej tyre, të identifikuar tashmë nga autoritetet e sigurisë vazhdojnë të jenë pjesë e konfliktit në Siri. Shumica e shqiptarëve i sheh me dyshim arsyet që i shtynë këta njerëz të luftonin e të vriteshin në një luftë që s’është e tyrja. Por Ebu Merjem këmbëngul për të kundërtën.

Ai ka kaluar 37 vitet e jetës së tij në Shqipëri, por beson se shtëpia e tij ndodhet atje ku ka myslimanë. Nëse vëllezërit e tij sulmohen, qoftë edhe mijëra kilometra larg vendit të tij, ai ndjehet i detyruar t’u dalë në mbrojtje. “Vëllai im është myslimani amerikan, sirian apo francez. Armiku im mund të jetë edhe vëllai që ma ka bërë nëna. Nuk ka asnjë lidhje me kombësinë apo gjakun kjo punë. Unë shkova atje për fenë dhe pengu më i madh është që nuk munda ta përjetoja luftën,” thotë për BIRN xhihadisti shqiptar.

Rruga për në Siri      

Siria ishte vendi i fundit arab që u përfshi nga vala e protestave antiqeveritare, në pranverën e vitit 2011, por konflikti mori shumë shpejt nuancat e një lufte civile.

Katapultimi i organizatave terroriste në këtë luftë dhe afërsia gjeografike me Europën e kthyen Sirinë në “Mekën” e xhihadistëve nga e gjithë bota. Përdorimi i internetit dhe i rrjeteve sociale, direkt nga fusha e betejës, i dhanë një popullaritet të panjohur deri më sot, thirrjeve për xhihad anekënd globit, por veçanërisht në Europë, ku një numër jo i vogël i gjeneratës së dytë të emigrantëve me prejardhje nga Lindja e Mesme përqafuan ekstremizmin fetar si alternativë ndaj të ndjerit të përjashtuar nga shoqëria e vendit ku jetojnë. Nga fillimi i konfliktit e deri më sot, mbi 12 mijë xhihadistë të huaj nga 81 vende të botës janë bashkuar në armë me luftëtarët sirianë. Rreth 3 mijë prej tyre mendohet se u përkasin vendeve Perëndimore. Nëntëdhjetë prej këtyre luftëtarëve janë shqiptarë, ndjekës të rrymës selafiste që predikohet përkundër dëshirës së Komunitetit zyrtar Mysliman, në disa xhami të izoluara dhe me status të dyshimtë ligjor në Shqipëri. Këta besimtarë nisën të shfaqeshin gjithnjë e më dendur në aeroportin e Rinasit, në vjeshtën e vitit 2012, ku deklaronin se po udhëtonin drejt Turqisë për vizita shëndetësore. Pjesa tjetër e udhëtimit, drejt frontit të luftës në Siri vazhdonte ilegalisht.  Kryetari i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë, Justinian Topulli rendit disa arsye për përfshirjen e shqiptarëve në luftën e Sirisë. Ai thotë se ata u solidarizuan fetarisht me popullin sirian në luftën kundër diktaturës, po aq sa gjetën një mundësi arratisjeje nga realiteti shqiptar, ku nuk ndjehen komodë. Një arsye e tretë, por jo më pak e rëndësishme sipas Topullit është keqkuptimi dhe keqinterpretimi i teksteve fetare për ngjarjet e Ditëve të Fundit, ku gabimisht bëhet aludimi me ato që po ndodhin në Siri.

Emrat e të vrarëve shqiptarë në Siri

Anri Maliqaj nga Tirana

Ermal Xhelo nga Vlora

Denis Jangulli nga Tirana

Hamit Muslija nga Puka

Hasan Korvafaj nga Vlora

Diamant Rasha nga Tirana

Bledian Hamza nga Pogradeci

Sherif Taushani nga Mollasi i Elbasanit

Eri Alinj nga Pogradeci

Shkëlzen Dumani nga Peshkopia

alb365.com/reporter.al

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Merkel – Tsipras zbato reformat.

Gjermani - Kancelarja gjermane Angela Merkel ka...

Close