|E mërkurë, Dhjetor 13, 2017

Rusia nën peshën e sanksioneve dhe izolimit. 

rusiaTiranë – Në samitin G-20 në Australi, Putini e kuptoi dhe e ndjeu qartësisht izolimin dhe ndarjen e thellë që ka krijuar me Perëndimin. Në mos e ka kuptuar plotësisht, të paktën e pa shumë mirë sa larg ka shkuar me sjelljen e tij dhe qëndrimin ndaj krizës ukrainase, që e përfaqëson plotësisht filozofinë politike të Putinit. Edhe pse mund të kishte iluzion ose ndonjë shpresë për ndonjë të çarë në kampin perëndimor, u ndesh me vendosmërinë e qëndrimit të përbashkët të SHBA dhe aleatëve të saj perëndimorë. Një gjë të mirë e bëri, që nuk u nxitua të reagonte, megjithëse nuk ishte aspak dakord me ato që i thoshin bashkëbiseduesit. U largua para kohe nga samiti, duke lënë prapa, shpresën për një reflektim të mundshëm të tij dhe reagim serioz të sjelljes së Rusisë në zhvillimet ndërkombëtare.
Rusia është realisht nën peshën e rëndë të sanksioneve ekonomike e të izolimit, për shkak të përgjegjësisë së saj në krizën ukrainase, aneksimin e Krimesë dhe të orientimit të saj nga sjellja konfliktuale. Në avancimin e strategjisë së saj të superfuqisë botërore, Rusia ka kaluar përtej rivalitetit, duke shkelur ligje e të drejtën ndërkombëtare. Ajo, si të thuash, me sjelljen e saj, ka mundësuar sanksionet e vetizolimin.
Kjo i ka shkaktuar Rusisë pasoja jo të vogla ekonomike, por dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ky është një zhvillim jo pozitiv në marrëdhëniet ndërkombëtare, por nuk është as i rastësishëm dhe as rezultat i ndonjë veprimi të padrejtë të Perëndimit ndaj Rusisë. Nëse vështron me kujdes këtë histori e proces izolimi, nuk mund të mos konstatosh se një kontribut të madh ka vetë Rusia, ose më saktë, sjellja e qëndrimi i Putinit, që e ka bërë këtë izolim më tepër një vetizolim.
Të gjithë e dimë tashmë se si u shkua te sanksionet ekonomike, pas shumë përpjekjeve, thirrjeve e kërkesës për vetëpërmbajtje ndaj Rusisë, për reflektim e dialog, për të mos shkelur ligjin ndërkombëtar dhe për të mos cenuar stabilitetin e rendit botëror. Sanksionet u shfaqën e për më tepër u imponuan si një trysni paqësore, që Rusia të reflektonte, të ndryshonte qëndrimin jobashkëpunues dhe mosreagues ndaj shqetësimeve e kërkesave që Perëndimi i parashtroi. Sanksionet u zgjodhën të funksionojnë si një mjet zgjidhës, edhe pse ato sjellin vërtet pasoja, më shumë ndaj vendit të cilit i adresohen, por dhe për palën tjetër, në këtë botë të sotme të globalizuar e të integruar. SHBA dhe vendet e BE zgjodhën rrugën e duhur, se konfrontimi do të ishte vërtet i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm në pasoja. Putini, me qëndrimin që vazhdon akoma, po dëshmon se ka një filozofi politike që dallon qartë nga ajo e SHBA. Se ka dallime, jo për probleme të dorës së dytë, por për probleme të rëndësishme, që kanë të bëjnë me liritë e të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sovranitetin, për qëndrimin ndaj konflikteve rajonale, kontrollin e armëve dhe pakësimin e atyre bërthamore, për përmbajtjen e legjitimitetit dhe mënyrën e garantimit të rendit botëror.
Në intervistën që përcolli përmes një kanali televiziv gjerman, Putini dëshmoi se i kishte ndjerë shumë presionin e izolimin, edhe pse e ndjente si tepër të ngushtë. Optimistët besonin në një reflektim serioz ndaj kërkesave të qarta e të drejtpërdrejta, që i përcollën drejtues kryesorë të Perëndimit, në interes të stabilitetit të rendit botëror. Fjala është për optimizëm të matur e një fillim ndryshimi të vogël, sepse zhvillimet në teren në Ukrainë, por jo vetëm kjo, nuk linin shteg për më shumë.
Në intervistën e tij, Putini përcolli disa ide që tregonin se si ai e mendon vendin dhe pozicionin e Rusisë në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Megjithatë, më shumë mëson nga mesazhi që përcolli pas takimit me ambasadorin e ri të SHBA në Moskë, ose duke i marrë ato bashkë. Putini, siç mësohet nga mediat, kërkoi nga Uashingtoni që ta trajtojë Moskën si një partner të vërtetë, por, këtë e shoqëroi me kërkesën, që tërheq vëmendjen, që Uashingtoni të qëndrojë jashtë çështjeve të brendshme të Rusisë.
Në substancë Putini përcolli mendimin se ‘jemi gati për një bashkëpunim praktik me partnerët tanë amerikanë në fusha të veçanta, bazuar në principet e respektit për interesat e njëri-tjetrit, të drejta të njëjta dhe jo ndërhyrje në punët e brendshme’. Ky mesazh është i qartë. Është vija që cakton Putini për SHBA. Më pas mund të shihet vlera e këtij pohimi, nëse është një ofertë serioze, apo një vendosje kufiri ndaj SHBA, një lloj imponimi se si duhet të sillet SHBA ndaj Rusisë këtej e tutje. Duhet parë nëse është një mesazh fillim dialogu, për të definuar përmes tij termat e bashkëpunimit.
Bëhet ky arsyetim sepse presidenti i SHBA e ka bërë shumë të qartë pozicionin e SHBA, në cilësinë e superfuqisë së vetme botërore, për të bashkëpunuar me partnerët. Dhe këtu vlen të përmendet, se në konceptin amerikan të partneritetit përfshihet dhe elementi i rëndësishëm i respektimit e zbatimit korrekt të marrëveshjeve të nënshkruara. Dhe Putini e njeh këtë qëndrim amerikan. Natyrisht, edhe kaq sa ka thënë ka rëndësi, por më shumë vlerë ka reagimi dhe veprimi konkret drejt dialogut e bashkëpunimit.
Për sa i përket kërkesës për partneritet, mund të vlerësohet normale, sepse kjo cilësi marrëdhënieje, që nuk e përjashton rivalitetin, përfshin elementin e dialogut dhe bashkëpunimin. Këtu tërheq vëmendjen pjesa që ka të bëjë me mosndërhyrjen në punët e brendshme të Rusisë. Deri më sot, nuk ka ndonjë informacion që të dëshmojë për këtë ndërhyrje në punët e brendshme të Rusisë nga SHBA. Mendoj se, po të kishte një rast të tillë, vështirë se do të mbahej sekret nga Rusia apo të pritej kaq gjatë për ta publikuar.
Nuk mund të mos tërheqë vëmendjen kërkesa apo referenca te mosndërhyrja në punët e brendshme të Rusisë, nëse mund të jetë një lloj kritike për ndonjë rast konkret, të jetë thjesht nënvizim principi apo të jetë kërkesë që Uashingtoni ta lërë e të mos e pengojë Rusinë të shtrijë influencën dhe pushtetin e saj në ish-vendet e BS, apo dhe të ish-kampit socialist, por që drejtpërdrejt tani fjala është për Ukrainën. Mund të mendohet që Putini kërkon të mos pengohet në ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë, që SHBA të mos ngrejë çështjen e aneksimit të Krimesë, por që të tjerat vijnë më pas.
Kjo do të thotë që SHBA të mos e pengojë Rusinë në realizimin e strategjisë që ka përgatitur, e cila, siç dëshmon kriza ukrainase, po jo vetëm kjo, përfshin ndryshim të hartës së Europës, copëtim të shteteve sovrane apo gëlltitje të tyre nga Federata Ruse. Duket qartë që Putini kërkon të vendosë raporte të reja me SHBA, duke tentuar t’i imponohet asaj, që nënkupton heqjen dorë nga principe tepër të rëndësishme. Dhe kjo, besoj shumë që, nuk mund të ndodhë.
Që Putini tenton apo kërkon të vendosë marrëdhënie të reja me SHBA, duke e menduar Rusinë superfuqi botërore, kjo është e kuptueshme. Në fakt, ka pasur një marrëdhënie, deri para shpërthimit të krizës ukrainase mes tyre, që ka funksionuar në përgjithësi, pa i përjashtuar kundërshtitë e dallimet e qarta në qëndrime të rëndësishme. Është po ashtu fakt se, nuk ka një tentativë amerikane për t’i ndryshuar marrëdhëniet.
Nuk ka as ndonjë tentativë amerikane për ta përjashtuar Rusinë nga përgjegjësitë si aktor i rëndësishëm në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare në përballimin e problemeve komplekse. Madje dhe në zgjidhjen e krizës ukrainase, SHBA dhe BE, kanë kërkuar me insistim e stoicizëm pjesëmarrjen dhe kontributin konstruktiv të Rusisë. Është Rusia, që edhe bëhet pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, të arritur më 5 shtator, që sistematikisht nuk e ka zbatuar ose ka penguar zbatimin e saj në terren, duke e futur krizën ukrainase në shtigje të rrezikshme për stabilitetin e rendit botëror. Po kështu është Rusia, që shkel, në mënyrë të shtuar, hapësirat ajrore të disa vendeve anëtare të NATO-s. Është po Rusia, që i ka shtuar referencat te armët bërthamore, duke u deklaruar edhe për nevojën e rishikimit të doktrinës ushtarake të mbrojtjes, me qëllim përdorimin e këtyre armëve bërthamore. Rusia është thirrur të bëhet pjesë e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar, përfshi dhe rastin më të fundit të veprimtarisë së ISIS, por që Rusia është vetëpërjashtuar. Rusia është thirrur të kontribuojë në pakësimin e armëve bërthamore, ku ka nënshkruar dhe marrëveshje e traktate dhe që rezulton se nuk i ka zbatuar.
Këto shpjegojnë në një masë të madhe mirë, pse Putini, pohimin për partneritet e shoqëron me kërkesën për mosndërhyrje në punët e brendshëm të Rusisë nga SHBA. Kjo dëshmon se Putini realisht nuk është duke kërkuar partneritetin dhe ai e di shumë mirë se ç’do të thotë partneritet. Putini po vazhdon realizimin e strategjisë së superfuqisë me mjete e rrugë të dhunshme, duke përdorur dhe të ashtuquajturit referendume të stisura vetë, apo duke shfrytëzuar edhe politikanë të dështuar, që mundohen të dashurohen me atë që e kanë sajuar si “putinizëm”.
Rendi botëror është rregulluar e ka funksionuar, mbështetur në principe të sprovuara e në të drejtën ndërkombëtare, në praktika që respektojnë sovranitetet e integritetet territoriale të shteteve të pavarura dhe institucioneve demokratike, të krijuara mbi bazën e zgjedhjeve të lira e demokratike, në marrëveshje e traktate të miratuara bashkërisht. Partneriteti e përjashton çdo lloj pazari apo veprimi që ecën në kundërshtim me këto principe e rregulla.
Partneriteti ka një përmbajtje shumë të përcaktuar, që mundëson marrëdhënie të besimit e të respektit reciprok, mosndërhyrjen në punët e brendshme të shteteve sovrane, dialogun dhe bashkëpunimin konstruktiv, ndarjen dhe marrjen e përgjegjësive për garantimin e rendit botëror e prosperitetit të kombeve. Natyrisht që, në këtë lloj marrëdhënieje, nuk përjashtohet edhe rivaliteti, që në momente të caktuara mund të zërë më shumë vend në këtë marrëdhënie.
Është fakt domethënës që, edhe atëherë kur Putini nuk e kishte lançuar hapur strategjinë e superfuqisë botërore, Rusia është thirrur të luante rolin e saj si partner i rëndësishëm në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Po kështu, është fakt se, divorcin nga ajo cilësi marrëdhënieje me Perëndimin e kërkoi Putini, për shkak të një axhende të përgatitur edhe në fshehtësi. Qëndrimi i SHBA dhe vendeve të BE përsëri insiston në rikthim të Rusisë në marrëdhënie partneriteti dhe nuk ka asnjë përpjekje përjashtuese apo padrejtësie ndaj saj.
Përkundrazi, Putini, duke publikuar fuqinë e Rusisë, nuk harron të nënvizojë se SHBA ka menduar se Rusia nuk do të rritej kurrë më, por tani është shumë vonë. Jo vetëm kaq, por shkon më tej, duke pohuar se ‘SHBA dëshiron ta nënshtrojë Rusinë’ apo se ‘Uashingtoni kërkon të zgjidhë problemet e veta në kurrizin’ tonë. Ai demonstron forcën, teksa deklaron se askush nuk ka pasur sukses në historinë e Rusisë dhe askush nuk do të ketë edhe sot sukses.
Në funksion të kësaj filozofie, shtypi pranë qeverisë ruse, ka përcjellë lajmin se Rusia përgatit surprizën bërthamore për NATO-n. Vërtet Putini ka deklaruar se ‘ne nuk përbëjmë kërcënim për askënd’, por ministri i Mbrojtjes nxiton të deklarojë se Rusia do të ndërmarrë patrulla bombarduesish në të gjitha pjesët e botës. ‘Ne, – ka deklaruar ai, – do të kemi prezencë ushtarake në Atlantikun perëndimor, Pacifikun lindor si dhe në Karaibe dhe gjirin e Meksikës.’ Kjo dëshmon qartë se Rusia kërkon të plotësojë një dimension ushtarak të superfuqisë botërore, duke u shtrirë me prani ushtarake jashtë territorit të federatës ruse. Kush i ka kërkuar këtë prezencë apo çfarë interesa thelbësore të Rusisë janë cenuar apo kërcënohen, që të justifikojnë këtë hap ushtarak? Çfarë konstruktiviteti do të prodhojë kjo prezencë ushtarake ruse? A nuk përbën realizimi i këtij hapi një kërcënim real të rendit botëror? Këto deklarime e qëndrime dëshmojnë se Putini ka zgjedhur një rrugë që nuk dëshmon shumë shpresë, për një reflektim realist të problemit real që është krijuar mes Rusisë dhe Perëndimit.
Putini po e lançon strategjinë e superfuqisë, duke afishuar të drejtën për të mbrojtur rusët etnikë jashtë territorit të Federatës Ruse. Madje këtë të drejtë po e përdor edhe si argument e justifikim të qëndrimeve të Rusisë edhe në krizën më të fundit në Ukrainë, aneksimin e Krimesë, por jo vetëm atje. Natyrisht që, nuk mund të mohohet e drejta e Rusisë të mbrojë rusët etnikë jashtë territorit të federatës, të kërkojë zbatimin korrekt të lirive e të drejtave të tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin në fuqi në shtetet sovrane ku jetojnë. Dihet mirë tashmë se si ka lëvizur popullsia në territoret e ish-BRSS, siç dihet dhe aplikimi i strategjive të rusifikimit të tyre. Megjithatë, kjo e drejtë as nuk mund të zmadhohet subjektivisht dhe as është e drejtë e pakufizuar.
E drejta ka përmbajtje rigoroze dhe është e ngritur mbi një realitet konkret, që është në zhvillim dhe që i shërben ecjes përpara dhe jo kthimit prapa. Mbrojtja e së drejtës mundësohet dhe është e vërtetë, kur ndërtohet, mbështetur në principe, në zhvillimin historik dhe vlerat njerëzore, kur mbështetet në respektimin e ligjeve, së drejtës ndërkombëtare, në principet e demokracisë e të shtetit ligjor. Makiavelizmi në mbrojtjen e të drejtave nuk justifikohet. Mbrojtja e të drejtave mund të mundësohet duke përdorur të gjitha këto hapësira ligjore e principe, por kurrsesi duke përdorur apo inspiruar dhunën, duke copëtuar sovranitete shtetesh apo duke i gëlltitur ato.
Referendumet janë vërtet formë e mjet i ushtrimit të demokracisë, por stisja e tyre, apo keqpërdorimi i tyre për interesa të tjera, është spekulim me demokracinë, është mohim i drejtësisë. Referendumet janë mjet demokratik, që mundësohet, pasi kanë shterur të gjitha rrugët e mjetet e tjera demokratike për mbrojtjen e të drejtave kombëtare e njerëzore; kur grupet etnike ndodhen përballë strategjive e praktikave asimiluese, gjenocidiste apo të dhunshme. Aneksimi i Krimesë dhe armatosja e separatistëve prorusë në Ukrainë nuk erdhi nga ekzistenca e ndonjë praktike e strategjie asimiluese e gjenocidiste ndaj tyre. Nëse përdor apo justifikon shpërdorimin e së drejtës së referendumit, atëherë nuk do të kishte shtete të qëndrueshme e as rend botëror të stabilizuar.
Putini, si politikan me përvojë, e kupton peshën e problematikës që rezulton nga sanksionet e vendosura ndaj Rusisë. Nëse në fillim ato mund të jenë nënvleftësuar disi, tashmë realiteti dëshmon se pasojat e sanksioneve nuk mund të mos konsiderohen as në planin ekonomik e financiar, por as edhe në elementin social e të kohezionit social. Tregues është fakti që, përmes zv.ministrit të Jashtëm Mjeshkov, Rusia i kërkon BE të heqë sanksionet ndaj saj, duke premtuar se dhe Rusia do të marrë masat e saj. ‘E vetmja gjë që presim, – nënvizoi ai, – është të heqin dorë nga sanksionet e pakuptimta, nga spiralja e sanksioneve dhe të listës së zezë. Kjo, nga ana tjetër, do të na lejonte të heqim listat tona’. Ai nuk harroi të hakërrehet, duke pohuar se, ‘nëse nuk veprohet, do të na detyrojë neve të marrim kundërmasat tona’. Siç e pranojnë dhe vetë në Rusi, sanksionet dhe çmimet e ulëta të naftës i kushtojnë Rusisë rreth 130-140 bilionë dollarë në vit, që përbën rreth 7% të ekonomisë ruse.
Në këto kushte, Putini është i interesuar shumë të mbajë nën kontroll situatën brenda vendit, edhe pse ai aktualisht gëzon një mbështetje në nivele të larta. Edhe deklarimet mbi fuqinë e Rusisë, apo të tipit se, ‘ne jemi në pjesën e drejtë të rrugës’, kanë si qëllim mbajtjen nën kontroll të zhvillimeve të brendshme. Kjo për faktin se, nuk mund të mohohet reflektimi i sanksioneve në nivelin e jetesës së njerëzve dhe në drejtim të punësimit. Kjo është, me sa duket, arsyeja që tashmë, nuk ngurohet të pohohet, se vendet perëndimore flasin për nevojën e sanksioneve, të cilat do të shkatërrojnë ekonominë dhe do të shkaktojnë protesta publike.
Në këtë funksion janë dhe akuzat se SHBA kanë qëllime negative ndaj Rusisë. Në këtë linjë, Lavrovi bëri deklaratën e përcjellë nga “CNN”, se SHBA nuk po synon të ndryshojë politikën e Federatës Ruse. ‘Ata, – nënvizoi ai, – dëshirojnë të ndryshojnë regjimin’. Është fakt se Putini shqetësohet nga format, që i quajti “revolucion color”. Në një takim me Këshillin e Sigurisë theksoi nevojën e parandalimit të një revolucioni kolor dhe për stopimin e ekstremizmit. Duke e shpjeguar mendimin e tij, Putini theksoi se, në botën moderne, ekstremizmi po përdoret si një instrument gjeopolitik. Ai evidentoi rrezikun e depërtimit të ideologjisë ekstremiste përmes sferës virtuale, por dhe nga emigracioni ilegal. Ky është realiteti dhe qëndrimi i Rusisë. Dhe, siç del nga zhvillimet e derisotme, është Rusia dhe Putini që mbajnë në dorë çelësin e lirimit nga sanksionet dhe izolimi.

alb365.com/Vasil Kureta

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Skandali – I dënuari rrihet në qeli, drejtuesit e burgut pengojnë hetimet

Fier - Një i dënuar në Burgun...

Close