|E diel, Shtator 24, 2017

Sa Lazarater lejohen me kushtetute ?! 

USA – Më bëri shumë përshtypje logjika, me të cilën Basha kërkon dorëheqjen e kryetarit të qeverisë: “Rama të largohet pasi tani­­­­ nuk ka më një Lazarat, por me dhjetra me qindra Lazaratë!”
Edhe më i humburi i planetit e kupton politikën e pistë që bëhet në vëndin e shqipeve qëkur nuk mbahet mend. Rama nuk ka sepse të ikë për shkak të Lazaratit. Ai nuk duhet të ikë as për shkak të tritolit dhe as të ekonomisë së rënuar.
Shkaku kryesor, shkaku i pastër e i vërtetë është që Rama duhet të ikë sepse duhet të ikë! Vërtite nga të duash aty del. Ai duhet të ikë që të vijmë ne.
E thënë kështu do të ishte më mirë dhe unë do të kisha respekt për kreun e Opozitës. Logjika e tij është e papranueshme, por arsyeja e lirimit të vendit në krye të qeverisë të paktën do të ishte thënë më realisht. planeti nuk do të fyhej e sidomos shqiptarëve Basha nuk do t’u ofronte veten për çoban me të tilla mangësi logjike.
E kuptojmë që me një Lazarat qeveria mbretëron për bukuri, se e pamë që me një Lazarat të vetëm mbretëruan plot qeverira deri tani. Dhe mund të mbretëronte dhe kjo e sotmja. Vetëm se kjo e sotmja na e paska shtuar zullumin se teksa kushtetuta e Shqipërisë lejon vetëm një Lazarat, tani na qenkan qindra!
Po unë përse vallë bezdisem, prekem, fyhem e ndihem i goditur nga të tilla shprehje defiçentësh? Shumë u paska zgjatur shqiptarëve mbushja e kupës me këtë llurbë deklaratash, shpifjesh e shpikjesh. Ky njeri mund të ishte më i saktë, dhe më i pranueshëm nëse nuk do të ofrohej të interpretonte farsat dhe tekstet e çaprashitur të një farsaxhiu pervers që mban pezull jetët e shqiptarëve.
Profeti i Bashës, babai që na e solli në këtë jetë të trazuar, njeriu që ka zënë diellin e atij vendi, përfiton që interesa grupesh dhe klanesh, pengojnë bërjen e shqiptarëve tok, që të arrijnë ta flakin në koshin e turpit të historisë. U bënë dekada që ky njeri gënjen, shpif, sajon, harton marrëzira dhe pjell gjëra të paqena. Dihet që njerëzit që i hyjnë ringut të politikës godasin heraherës edhe poshtë brezit, aty ku nuk lejohet, gënjejnë dhe ndërtojnë skenarë dhe komplote gjithfarësh. Por këtij djalli të trashëguar nga komunizmi i është mbushur mendja se bashkëkombasit e tij në vend të trurit kanë pelte, andaj nuk lodhet hiç të gjejë ca shpifje më të ngatërruara, nuk e vret mendjen të prodhojë ca djallëzira më jetëgjata, që të mos kundërmojnë menjëherë sapo ai i nxjerr nga goja.
Nuk kam hasur në leximet e mia të letërsisë historike apo artistike një personazh më të thjeshtë dhe më të deshifrueshëm se ky. Nuk dua t’ju lodh me rreshtimin e gënjeshtrave të tij të pranuara publikisht nga ai vetë, se janë rreshtuar, thënë dhe stërthënë, por them se mund të jetë i vetmi politikan në botë, absolutisht i vetmi, që nuk ka të botuar një libër, një vepërzë, një esse, një artikull, (me përjashtim të atij që i a zgjati Ramizi ta nënshkruante dhe ta botonte në “Drita” në vitin 1990). Nuk gjen nga jeta e tij asnjë citat, asnjë frazë, asnjë këshillë, që të mbetet e të kujtohet. Gjithëçka po le, i ka të gjitha çaprashitje të pështytura në mikrofon. Dhe është e kuptueshme që një njeri pa bosht ato nuk mund t’i botojë. Atë mënçuri, si komponente të djallëzisë, ai e ka.
Nuk rreshtoj të stërthënat, por më lejoni të kujtoj më të pakonsumuarat. Thotë se “ka një informacion të sigurtë nga një efektiv policie me inicialet O.N!” Për koincidencë qëllon që asnjë polic i thjeshtë, (apo dhe i komplikuar!) nuk i ka këto iniciale. Në vend të thotë se këtë e pati sajesë, ky burrë shteti bën një shfajësim kalamajsh: “Nuk mund t’i thosha të sakta inicialet,” thotë, “se e merrja më qafë atë njeri!” Bashkëpunëtorëve të tij në punërat e djallit u sugjeron të thonë që “informacionet i kanë nga ca ish-shefa të policisë.” Urdhëron komisionerët të ulurijnë që “hetimi nuk duhet të merret me denoncuesit, por me denoncimin, me faktin!” Vetë thotë që “kapoja i drogës duhet të ikë në shtëpi” (jo në burg,ëh! Çudi!) dhe nuk prêt hetimin, se atë e ka bërë ai dhe deri sa e ka bërë ai hetimin, ndëshkimin e jep po Shkëlqesia e Tij! Dhe në vendimet e tij nuk kanë punë as hetuesit, as prokurorët dhe as gjykatat! Janë absolutisht qëndrime groteske!
Dikur pat nxjerrë nga goja një nga kryeshpifjet e tij, një nga ato të cilat nuk e kanë detyruar kurrë t’i vërtetojë: “Netëve, zoti A le krevatin e gruas dhe shkon e i futet në krevat zotit B” (Nuk i përmenda emrat se është një sajesë katrane që vetëm autorit nuk ia sjell zorrët te goja, paçka se në mendjen e të gjithëve A dhe B tashmë janë përkthyer). A mund të ketë thënë ndonjëherë, ndonjë shtetar i Zambias apo i Banglladeshit një llapashitje të tillë prej përçori të dehur?! Kush ia solli këtij njeriu këtë fakt dhe kush ia përshkroi këtë skenë që na u zhvilluaka në një shtëpi 20 km larg prej çerdhes së shpifësit? Ia tha vetë A-ja? Apo B-ja? Apo ndoshta iu qa gruaja tek e pa burrin që i iku nga krevati?! Këto janë llapashitjet e tij tipike, për të cilat do të mbyllë sytë pa u skuqur.
Nëse qeveria merr denoncim nga një parlamentar, se shefat e policisë kanë parë ngarkesa të ndaluara dhe të paligjshme që bëhen natën, autori i vërtetë i denoncimit, mashtruesi i përshkrimit të ikjeve nga krevati, nuk do në asnjë mënyrë që të pyeten shefat “që kanë parë!” (Dhe ne qahemi për drejtësinë e katandisur kështu!). Ky zotëria, që ka errësuar djellin e një vendi të vuajtur, ndjek edhe këtu të njëjtën logjikë të “ikjes nga krevati.” Është njësoj sikur një burrë të marrë një kallëzim, se e shoqja e tradhëton dhe pa hezitim të shkojë të vrasë gruan, pa pyetje të shumta për kallëzuesin “ku e pe” dhe “si e pe”. Diaboliku ynë këshillon të veprohet: burri të falenderojë kallëzuesin dhe të rrëmbejë sopatën e t’i presë kokën të shoqes, ose ta nxjerrë gruan në gjyq dhe jaranit të saj t’i lutet t’i vijë për dëshmitar!
Pra janë shumë gjëra që në skenën politike shqiptare do të sillnin më pak lodhje dhe strese po të thuheshin më troç: “Ne nuk duam që muajin që vjen Europa të na japë statusin! Ashtu, pa na e dhënë, e kemi më kollaj të kthehemi në krye të punëve të Shqipërisë.”
Shqipëria për Europën, miqtë e mi, është si Lazarati për Shqipërinë, andaj, sikurse në rastin e fshatit, këta birbo duan që Europa të mos hyjë në Lazaratin e saj!
I kërkoj ndjesë Lulzim Bashës që e nisa me të, por nuk u mora fare me të më tej. Shpresoj që ai tani e ka kuptuar se shqiptarët atë nuk e urrejnë. Ata thjesht ndjejnë ndoht dhe keqardhje, që figurën dhe zërin e tij ai i ka dhënë me qira, siç jepen taksitë. Dhe po përsëris edhe një herë që unë do të dëshiroja ta shihja kryetarin e ri të PD-së veshur gjithnjë me një kostum me katrore. Në të gjitha vendet e Europës shënjat e taksive zakonisht janë katrorët.
Apo harrova: ne nuk do të kemi punë me Europën!

alb365.com/Pellumb Kulla

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Policia shoqëron Altin Goxhaj, do protestonte para Ramës.

Tiranë - Shkak për këtë është bërë një proteste e paligjshme që ai kishte parashikuar të mbante para Pallatit të...

Close