|E premte, Qershor 23, 2017

Shenjtërohet Katedralja “Ngjallja e Krishtit”, krerët e Ortodoksisë botërore në Tiranë. 

87678_1   Tirane – Ka nisur rreth orës 08:30 mesha për shenjtërimin e Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë. Krerët e ortodoksisë botërore dhe bijëra besimtarë marrin pjesë në shenjtërimin e Kishës së re Katedrale “Ngjallja e Krishtit”.

Shenjtërimi i Kishës së re Katedrale, një ngjarje e rëndësishme për ortodoksinë, do të kryhet nga Tërëshenjtëria e tij – Patriarku Ekumenik Bartolomeu i parë, me pjesëmarrjen e Fortlumturive të tyre, Patriarku i Jerusalemit, i Serbisë, i Rumanisë, Kryepeshkopi i Qipros, i Athinës, Varshavës, si dhe kryepeshkopi Anastas.

Do të bashkëmeshojnë edhe përfaqësuesit e Patriarkanave të Moskës, Bullgarisë, Gjeorgjisë dhe Antiokisë. Sipas Kishës Ortodokse Shqiptare, ngjarja e shenjtërimit të kishës përbën një bekim të veçantë, jo vetëm për ortodoksët e Shqipërisë, por për të gjithë vendin, dhe është një dëshmi shumë e rëndësishme e ortodoksisë në mbarë botën.

Kompleksi i Kishës së re Katedrale “Ngjallja e Krishtit” në qendër të Tiranës së bashku me kishëzën “Lindja e Krishtit”, kambanoren dhe Qendrën Sinodike, është simboli i rindërtimit nga themelet në të gjitha fushat i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, nga viti 1991 deri sot.

Ndërsa pasditen e së dielës, ora 18.00. do të vijojë një koncert festiv rinor në Qendrën Kulturore moderne, në ambientin poshtë Kishës Katedrale. Në veprimtaritë festive do të jenë të pranishëm Presidenti i Republikës, Bujar Nishani; Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta; Kryeministri, Edi Rama dhe Kryetari i opozitës, njëkohësisht dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, të cilët në mëngjesin e së hënës, më 2 qershor, do të presin zyrtarisht Primatët Orthodhoksë.

KOMPLEKSI I KATEDRALES SË RE TË TIRANËS “NGJALLJA E KRISHTIT”

Kompleksi i Katedrales së re të Tiranës “Ngjallja e Krishtit”, është ndërtuar në qe-ndër të kryeqytetit, në një truall që u dha gradualisht nga autoritetet shtetërore (2001-2005) në kompensim të truallit të kishës së vjetër katedrale të Tiranës, e cila u shkatërrua nga regjimi ateist më 1967. Për studimin arkitekturor të veprës, në vitin 2002 u zhvillua një konkurs ndërkombëtar, ku fitues u shpall zyra “Papadatos Partnership LLP Architects”, nga Nju Jorku. Në vijim, projektit fillestar iu bënë përpunime të mëtejshme.

Kompleksi i veprës përbëhet nga këto korpuse: Kisha katedrale, Kishëza, Kambanorja, Selia e Sinodit të Shenjtë dhe Qendra Kulturore.
Koncepti arkitekturor i Kishës katedrale mbështetet në ciklin, që përmban kuptimin e kohës së pafundme (së përjetshme), aksi kulmor i të cilit (ai që lidh tokën me Qiejt) përbën edhe qendrën e të gjithë ansamblit. Ky aks është po ashtu edhe qendra e një kryqi të madh, me gjatësi dhe gjerësi 49 m, krahët e të cilit përbëjnë masat kryesore mbështetëse të kishës. Kisha mbulohet me kupolë, me dia-metër të brendshëm 26 m dhe lartësi 23 m, ndërsa katër masat mbështetëse përfundojnë me mbulesa gjysmëcilindrike.

Kryqi i kupolës, katër mbulesat gjysmëcilindrike të masave mbështetëse dhe tri absidat e Hierores janë të veshura me fletë bakri ngjyrë floriri. Në ndarjet ndërmjet dritareve të kupolës janë vendosur perimetrikisht 52 elementë dekorativë në reliev, ndërsa katër masat mbështetëse dekorohen me basoreliev, me temë siglën dhe kallirin, si simbol i sakrificës dhe pjellorisë.

Pamja perëndimore – fasada e kishës formohet nga një hark i madh. Ky hark krijon përshtypjen e mikpritjes dhe shiriti i ndritshëm i qelqtë, në ngjyrë të kaltër, të jep përshtypjen e harkut të ylberit. Muri perëndimor është i veshur me mermer të bardhë dhe në qendër të tij ndodhet hyrja kryesore. Mbi hyrjen kryesore është vendosur një kryq i madh i bronztë, i qarkuar nga dy kallinj, simbol i dashurisë sakrifikuese dhe i përkushtimit (Joani, 12.24).

Lozha (gjinekoniti), që ndodhet mbi narteksin dhe dy hajatet anësore, disponon dysheme të shkallëzuar, në mënyrë që të gjithë besimtarët të kenë kontakt pamor me naosin qendror, amvonin dhe ikonostasin. Kupola përbrenda është me reliev të dekoruar me mozaik, në qendër të të cilit mbizotëron “i Gjithëpushtetshmi”, ndërsa dymbëdhjetë ndarjet përreth mbulohen me paraqitjen e dekoruar të qiellit. Përqark të Gjithëpushtetshmit, dymbëdhjetë rreze të krijojnë ndjesinë e rrezeve të Dritës Hyjnore, e cila nëpërmjet dritareve përçohet në të gjithë qytetin. Po ashtu me mozaik është zbukuruar absida e hierores dhe katër harqet që mbajnë kupolën.
Llambadari qendror është kompozuar me fletë bronzi, duke krijuar nivele të njëpasnjëshme qirinjsh në formë rrethore dhe gjysmërrethore. Po ashtu, 120 qirinj, të shpërndarë në mënyrë perimetrike, plotësojnë ndriçimin e kishës.

Në qoshen veriperëndimore të truallit është ndërtuar Kishëza, e cila mbulohet me çati në formë kryqi. Kubeja e saj, e veshur me fletë bakri, përfundon me dritare rrethore. Hierorja veçohet nga një ikonostas i gdhendur në dru, ndërsa nga një dritare rrethore e qelqtë, në qendër të dyshemesë, drita natyrale hyn në pagëzimoren, e cila gjendet pikërisht poshtë kishëzës, në katin e nëndheshëm. Kishëza i kushtohet Lindjes së Krishtit dhe është e zbukuruar me ikonografi murale.

Konceptimi arkitekturor i Kambanores me lartësi 46 m u bë nga Kryepiskopi Anastas, ndërsa projektimi përfundimtar u krye nga një grup projektuesish. Ajo përbëhet nga katër llambadhe Pashke, të cilat simbolizojnë katër Ungjillorët që shpallin Ngjalljen. Ato bashkohen rreth boshtit qendror të shkallëve. Shkalla rrethore të çon në dy kate të hapura, ku janë vendosur 16 kambana. Mbi kambana, ka një orë katërfaqëshe shënon kohën.

Në anën lindore të Kompleksit gjendet Selia e Sinodit të Shenjtë, ku do të vendosen zyrat e Sinodit, të Kryepiskopatës, biblioteka dhe dy kishëza. Këto mjedise janë të vendosura në katër kate të mbidheshme e në dy të nëndheshme. Në katin e tretë, tri veranda të mëdha shikojnë drejt qendrës së Tiranës e Kishës katedrale.

Plotësimi i nevojave për një Qendër Kulturore dhe Konferencash u realizua me shfrytëzimin e dy kateve të nëndheshme, nën sheshin e kishës katedrale. Qendra përmban amfiteatër, me kapacitet prej 500-850 vendesh, që mund të përdoret, gjithashtu, edhe për referate, shfaqje dhe veprimtari muzikore. Krahu i mjediseve ndihmëse – prapaskenave, krijojnë mundësi që salla të përdoret edhe si teatër.
Në pjesën lindore të amfiteatrit, është krijuar një muze i vogël, një sallë referatesh, mjedise për bankete dhe një sallë për ekspozitat dhe veprimtaritë e fëmijëve.

Në të djathtë të shkallëve të mermerta madhështore që të çojnë drejt Kishës katedrale, ekziston një hapësirë e bollshme për ambientet e librarisë dhe të dyqanit të objekteve kishtare. Ndërkohë, në krahun e majtë të shkallëve ndodhen dy salla për takimet e të rinjve dhe e besimtarëve pas mbarimit të shërbesave kishtare. Në anën veriore, përpara Qendrës Kulturore, është krijuar një amfiteatër i vogël, i hapur, për veprimtari verore.

Me këtë vepër, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë synon të kontribuojë në plotësimin esencial të nevojave fetare të besimtarëve, në kultivimin shpirtëror të të rinjve, në rimëkëmbjen e jetës kulturore dhe sociale të Tiranës dhe, më gjerë, të të gjithë Shqipërisë. Gjithashtu, ajo ka si qëllim të kontribuojë në zhvillimin e marrëdhënieve ndërkulturore ndërmjet grupeve sociale dhe në plotësimin e nevojave strehimore të Sinodit të Shenjtë dhe të Kryepiskopatës së Tiranës. Morfologjia e jashtme e Kompleksit gërshetohet si me formën e Kishës katedrale, ashtu edhe me arkitekturën karakteristike të godinave ministrore rreth saj dhe integrohet harmonikisht në qendrën historike të kryeqytetit, duke i shtuar asaj elementë evolutivë të shek. XXI.
Iniciativa, mbledhja e fondeve dhe mbikëqyrja e veprës u bë nën kujdesin personal të Kryepiskopit.

Të dhëna për Kompleksin
Sipërfaqja e truallit: 5039 m2
Sipërfaqja e katedrales: 1660 m2
Lartësia e katedrales: kupola 29.2 m,
kryqi 32.2 m
Sipërfaqja e kishëzës: 55 m2
Lartësia e kishëzës: 6.3 m
Sipërfaqja e qendrës sinodike: 830 m2
Lartësia e qendrës sinodike: 22 m
Sipërfaqja e kambanores: 42 m2
Lartësia e kambanores: kubeja 43 m,
kryqi 46 m
Fillimi i veprës: korrik 2004
Përfundimi i veprës: maj 2012

alb365.com/balkanweb

Add a Comment

Twitter
ALB365 on Twitter
Latest Tweet: Rama – Fevziut/ Kam dështuar https://t.co/dc7ckyShYT https://t.co/bZhSf6tEvn
11,398 people follow ALB365
Twitter Pic Bougainv Twitter Pic cammipha Twitter Pic McBrideM Twitter Pic olsimust Twitter Pic albanaHa Twitter Pic kwabbybo Twitter Pic PercjaSu Twitter Pic Ianndest Twitter Pic brent633 Twitter Pic ivicespe Twitter Pic dawifey1 Twitter Pic maycol_p Twitter Pic bs_badgu Twitter Pic angie_an Twitter Pic be_be_AT Twitter Pic koseno Twitter Pic GoranPet Twitter Pic devendar Twitter Pic moazreza Twitter Pic shaunteb
Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Facebook Messenger shton një M

Facebook Messenger ka lansuar një asistent të ri të quajtur “Messenger M”. Përmes këtij asistenti, ju mund të merrni sugjerime...

Close