|E diel, Tetor 22, 2017

SPAK: 3 mld euro u janë vjedhur shqiptarëve, gjurmim 1.5 mld dollarëve të fshehura jashtë vendit, ja shumat gjigante që do hetohen 

Struktura Speciale Antikorrupsion ka nisur të ngjallë panik dhe frikë tek politikanët, gjyqtarët dhe prokurorët. Përveç se me ngritjen e saj askush nuk do mund të vjedhë dot më me ritmet aktuale, një pjesë e madhe e tyre do të duhet që t’i kthejnë pas paratë e korrupsionit, teksa do u sekuestrohen paratë, pronat, shtëpitë, makinat, etj., që janë vënë me para të pista.

Por për çfarë shumash bëhet fjalë? Janë mbi 3 miliardë euro para korrupsioni të përfituara nga zyrtarët shqiptarë përmes aferave dhe abuzimeve me pushtetin. Në ligjin e ri për SPAK dhe atë të antimafias, theksohet se do hetohen të gjithë zyrtarët mbi të cilët ka indicie për korrupsion dhe atyre do u sekuestrohen pasuritë. Gazeta ka bërë një hulumtim se kush janë më të prekurit dhe që rrezikojnë që t’u merrte pasuria, si dhe për çfarë vlere bëhet fjalë. Së pari, janë vjedhur gjatë 4 viteve të fundit mbi 1 miliard euro vetëm me tenderat dhe abuzimet me pushtetin. Është vetë KLSH e cila në raportin për 2015 e bën publike këtë shifër. Për të gjithë këta persona që kanë abuzuar me tenderat, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë kallëzim penal në prokurori dhe bëhet fjalë për rreth 400 persona. Pikërisht këta individë kanë vjedhur mbi 1 miliard lekë nga taksapaguesit shqiptarë, para që pritet t’u merren, duke u sekuestruar pronat dhe gjithçka tjetër. Dosjet e tyre janë në prokurori dhe me ngritjen e SPAK pritet të rihapen, ku nëse vërehet se kanë kryer shkelje atëherë do vuajnë pasojat e tjera, përveç dënimit.

Paratë e nxjerra jashtë vendit

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, që do të ngrihet në kuadër të reformës në drejtësi, do të ketë një zyrë vetëm për bashkëpunimin me ndërkombëtarët, me qëllim gjetjen e parave të pista. Ajo do ndjekë modelin e Kroacisë, ku falë bashkëpunimit me FBI, DEA apo Interpol do gjurmohen llogaritë bankare të gjithë personave të dyshuar. Por sa është vlera e parave të fshehura jashtë vendit, të paktën zyrtarisht? Sipas një raporti të “Global Financial Integrity” nga Shqipëria vitet e fundit kanë dalë rreth 1.5 miliardë dollarë, para të vëna nga korrupsioni, krimi dhe droga. Bëhet fjalë për një shifër vërtet të lartë dhe shumica e parave kanë përfunduar kryesisht në Qipro, Zvicër, Maltë, apo dhe ishujt Kajman. Të dhënat bazohen edhe mbi raportet e Drejtorisë së Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe raporteve ndërkombëtare. Drejtoria në varësi të Ministrisë së Financave ka treguar se paratë dalin në mënyrë tokësore, ndërsa sipas një raporti të Byrosë së Sigurisë Diplomatike, pjesë  e Departamenti Amerikan të Shtetit, fshihen kryesisht në Zvicër dhe vende si Malta, etj. Ndërsa vetë DASH në raportin e 2016 thekson se një pjesë e madhe e parave të korrupsionit janë investuar në bregdet. Pra, me nisjen e reformës, do nisë dhe gjurmimi i tyre.

Fshehja e pasurisë

Në prokurori janë dosjet për dhjetra zyrtarë, që akuzohen se kanë fshehur pasurinë me vlera gjigante. Gazeta ka bërë një bilanc të të gjithë kallëzimeve që ka bërë Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ku rezulton se gjatë 2 viteve të fundit ka pasur akuza për disa persona, por vetëm 10 prej tyre kanë fshehur rreth 12 milionë euro. ILDKP ka nxjerrë me detaje të gjithë pasurinë e tyre. Nëse vërtetohet se ata e kanë vënë atë me para jo të pastra, atëherë rrezikojnë që t’u sekuestrohet. Por duke qenë se ka dhe dhjetra zyrtarë të tjerë të kallëzuar kjo shifër është më e lartë. Pra, 1 miliard euro janë vjedhur me tenderat, 1.5 miliardë dollarë kanë dalë jashtë vendit dhe mbi 12 milionë euro janë fshehur, në total i bie rreth 3 miliardë euro, duke futur dhe vitet e mëparshme. Këto para janë të vëna nga korrupsioni dhe puna e pandershme.

alb365/ktopalli

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
PS – LSI, çfarë po fshehin shpërthimet e fundit ?!

Në orët e fundit ka ndodhur një zhvillim realisht tronditës në koalicionin qeverisës,  bashkë me tërmetin që tronditi jugun e...

Close