|E hënë, Dhjetor 11, 2017

S’të ka faj komshia se s’di të qeverisësh shtëpinë. 

qeverisjaTiranë – Në ditët e fundit të nëntorit dhe në fillim të muajit dhjetor, për herë të parë ministrja Nikolla ka dalë më shumë se gjithë kohën që ka marrë atë post në media. Shkaku? Të kuptojnë sa më shumë shqiptarët, se sa e rëndësishme, largpamëse, e paparë ndonjëherë prej tyre, është nisma “Mësues për Shqipërisë”. Madje, fjalimet kishin edhe nota optimizmi deri në patetizëm që të kujton fundin e viteve 1970 dhe fillimin e vitit 1980. “Mësues për Shqipërinë” është nisma jonë e re në arsimin parauniversitar dhe unë jam krenare që kësaj nisme, për 17 ditë nga dita e nisjes së portalit i janë përgjigjur 8095 aplikantë. Janë 8095 arsye për të thënë që ‘Po’, mund të ndërtohet një sistem i shëndetshëm merite edhe në punësimet në arsim. Janë 8095 përgjigje për këdo skeptik në fillim të këtij aksioni të fortë që MAS ka ndërmarrë kundër korrupsionit”, deklaroi ministrja e Arsimit në deklaratën për shtyp të mbajtur në datën 1 dhjetor 2014. Mirëpo shuam shpejt “kokoshi u katandis një thelë”. Më 6 dhjetor 2014 nga e njëjta tribunë e institucionit që drejton, kemi një tjerët deklaratë, për të njëjtën çështje, të shpallur nga ministrja Nikolla, por me shifra pezmatuese. “Sot në 29 qendra në 12 qarqe të vendit, prej orës 11.00 deri në 13.00 është zhvilluar testimi me shkrim, i 5303 kandidatëve që kanë aplikuar në portalin ‘Mësues për Shqipërinë’, por që kanë përmbushur kriteret ligjore për të qenë pjesë e mësuesisë pas verifikimit të dosjeve të tyre”. Pra, në më pak se 5 ditë rezultoi se 2792 aplikantë nuk ishin të gatshëm, apo u gjetën të papërshtatshëm nga Ministria e Arsimit “për të thënë që ‘Po’, mund të ndërtohet një sistem i shëndetshëm merite edhe në punësimet në arsim”. 2792 më pak arsye që të na mbushin mendjen se arsimi do të ndryshojë rrënjësisht siç u premtua. Dhe për këtë nuk e ka fajin as nilisti, as skeptiku, por numrat që dilnin nga goja e ministres Nikolla, si petullat e ngrohta nga furra që duken shumë të fryra, por pastaj bien menjëherë sa ftohen pak.
E meqë jemi te skeptiku dhe e marr me kënaqësi këtë rol, le të më sqarojnë reformatorët e arsimit, modernizuesit dhe realistët, që në këtë rast përfaqësohen me ministren e Arsimit: Përse konkurruan mësuesit e arsimit profesional, në datën 6 dhjetor, kur dihet se këtë sektor nuk mbulon Ministria e Arsimit dhe Sportit? Le të më thotë ministrja se përse ka munguar informacioni për faktin se ku ishin vendet vakante dhe jo të mjaftoheshin me numrin në total, që është 2281 mësues në gjithë Shqipërinë. Po të shikosh lista, mësues të baletit kanë çuar dokumente në rrethe të ndryshme, pa e ditur se nuk bëhej fjalë për ta, po për shkollën në Tiranë. Le të më thotë për hir të transparencës ministrja, se përse në listën e aplikantëve të publikuar nga MAS, në kolonën pranohet/nuk pranohet, 1/3 e aplikantëve në shkollën “Dom Nikollë Kaçorri”, në Durrës, nuk kanë të shkruajtur pranohet e as nuk pranohet!?
Le ta quajmë si një gabim të vogël këtë dhe rikthehemi te mundësitë që nisma “Mësues për Shqipërinë” i jep zgjidhjen përfundimtare arsimit. Si do të mbulohen vendet bosh që rezultojnë sipas shifrave të dhëna nga ministrja e Arsimit pak ditë më parë që ishin 4400 e që tani na dalin 2281? A është i mjaftueshëm numri 2281, për të përmbushur nevojat e 177 mijë nxënësve? Për të mos qenë skeptikë dhe nihilist, le t’i referohemi deklaratës së ministres Nikolla të datës 6 dhjetor 2014. “Sot ne jemi krenarë që arritëm të shpëtojmë deformimin e dijes dhe personalitetit të rreth 177 mijë fëmijëve shqiptarë, që të paktën në një lëndë merrnin mësim nga mësues pa arsim përkatës apo jashtë profilit”. Po të bësh një përpjesëtim të thjeshtë, i bie që 2281 mësues do të jenë të gatshëm të japin mësim për një numër prej 77.5 nxënës. Po sipas shifrave të ministres Arsimit, nga 4400 mësues pa arsim përkatës dhe jashtë profilit, nga mungojnë ende pa rekrutuar 2119 mësues. Këto shifra nuk i kanë shpikur as nihilistët as skeptikët, por vetë institucioni më i lartë i arsimit në Shqipëri.
Transparenca, ndershmëria dhe meritokracia
Për hir të këtyre kritereve që ministrja e Arsimit e ka përzemër transparencën, ndershmërinë dhe meritokracinë, le të na shpjegojë se si u bënë lëvizjet në institucionin e saj, kur punonjësve u ke lënë kohë dy orë të mendonin nëse pranonin listën e pritjes ose jo. Cili qe roli i këshilltarit të saj në linçimin e njerëzve me shprehjen “nga partia ke ardh, të mirat e saj do të marrësh”.
Po për hir të kritereve të transparencës, ndershmërisë dhe meritokracisë, që znj. Nikolla dhe mentori i saj Rama i kanë shumë për zemër le të na thonë se cila ishte baza ligjore, mbi të cilën ajo urdhëroi pa emërimin, pa konkurrim znj.Tabaku në Lushnjë, duke përvetësuar kompetencat e Drejtorisë Arsimore Rajonale në Fier, e cila kishte shpallur konkursin më datë 26.01.2014.
Për hir të transparencës, meritokracisë dhe ndershmërisë, le të më thotë ministrja e Arsimit se përse janë anuluar konkurset për drejtorë në 9 shkolla të Drejtorisë Arsimore të qytetit të Tiranës, si vijon: “Besnik Sykja”, “Sinan Tafaj”, “Kostandin Kristoforidhi”, “Arben Broci”, “Eqrem Çabej”, “Ismail Qemali”, “Myslym Keta”, “Aleks Buda”, dhe “Sami Frashëri”?
Ndërsa flitet për mësues jashtë profilit, po aq duhet të bëjë përshtypje te ministrja e Arsimit, emërimi i drejtuesve në Tiranë e gjetkë, jashtë profilit të mësuesit, sikundër e parashikon ligji. Për hir të transparencës, le t’u japi përgjigje ankesave të sindikalistëve të arsimit në Fier, të cilët rendisin këto fakte: Në Patos, në shkollën “Meleq Gostnishti”, janë hequr 7 mësues, në shkollën “Mustafa Matohiti” 4, “Zhani Ciko” 4. Në Vajkan është larguar mësuesi i historisë me 17 vite punë me UT dhe ka qëndruar një mësuese me 3 vjet pune. Në Kallm të Vogël janë hequr 3 mësues, ndërkaq që drejtori i shkollës nuk ka dhënë provimin e shtetit. Në Kallm të Madh janë hequr 2 mësues, ndërkohë që drejtoresha është me Bachelor. Po kështu, për hir të meritokracisë, të na thotë ministrja e Arsimit, se përse drejtues të lartë të politikbërjes në MAS dhe institucionet e saj të varësisë kanë së paku 10 vite që janë shkëputur nga arsimi dhe iu besuan detyra të tilla?
Mësuesi, “dobësia” e MAS
Premtimin më të fundit të ministres për mësuesit e gjen në këto radhë: “Mësues të dashur. E vendosur po aq jam, të jem gjithmonë aleati dhe zëri juaj në mbrojtjen me çdo kusht të interesave tuaja dhe për të bërë shumëçka për të zbrapsur këdo që përmes ryshfetit të korrupsionit apo klaneve gjithfarëshe e ka bërë të pamundur punësimin, mbështetjen dhe rritjen në karrierë”.
Në fakt, përveç rastit unikal të një znj. Tabaku, ku përmblidheshin edhe ryshfeti, edhe paaftësia, edhe klanet, edhe korrupsioni, të cilin mistria as e ka vënë ujin në zjarr ta kontrollojë, ndonjë rast tjetër të gjetur brenda sistemit arsimor nga vetë mekanizmat e këtij sistemi nuk kemi. Prandaj, unë skeptiku nuk i kërkoj jo atë që premton, as e paragjykoj, por atë që ka detyrim ta bëjë institucioni i saj. T’u japë lekët e prapambetura që prej vitit 2013 hartuesve të testeve të Maturës Shtetërore në provimet me detyrim dhe me zgjedhje. T’u japë lekët që u takojnë mësuesve vlerësues në sesionin e dytë të MSH 2014. Në fakt, lekët e hartuesve të testeve nuk do të jepen as për 2013 e as për 2014. Për 2013-ën e kanë justifikimin “fajin e ka Saliu”. Po për 2014-ën? Profesioni i mësuesit nuk është fitimprurës, kështu që ca lekë është mirë t’ia falin shtetit.
T’u japë mësuesve shpërblimin e fundit të vitit, që ua ka mohuar një vit më parë, duke treguar sesa ajo dhe institucioni i saj respektojnë detyrimet që kanë ndaj mësuesit. Të tërheqë akuzat për korrupsion, ryshfet, paaftësi për të gjithë mësuesit pa përjashtim. Të dyshuar si të paaftë, mësuesit do t’i nënshtrohen testimit për të marrë një licencë mësuesie të fituar me djersën dhe investimin me shumë sakrifica të familjeve të tyre vite më parë.
Prandaj, besoj se jeni në kohë të reflektoni e mendoni, për të hequr dorë nga procesi antiligjor i vlerësimit dhe pajisjes me licencë të të gjithë mësuesve që do të fillojë në janar dhe përfundon në maj 2015. Le të zbatohet Udhëzimi Nr. 26, datë 15.8.2014 “Për zhvillimin profesional të punonjësve arsimorë” si dhe Udhëzimi numër 2, datë 05.02.2014, “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve”, të dyja të firmosura prej jush. Nuk mund që ministrja e Arsimit të deklarojë se “i japim fund korrupsionit”, duke centralizuar një proces, i cili i tejkalon me ligj drejtuesit e shkollës. Po aq bajate dhe të pështira janë deklaratat e disa njerëzve, që më parë nuk dinin se ku binte dera e Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve të saj, “për rreptësi në administrimin e provimit”, “korrektesë në korrigjim” e me radhë.
Zonja ministre, mos u mundoni të gjeni armiq të brendshëm dhe të jashtëm për të justifikuar dështimin. Madje, nuk është ndonjë turp i madh ta pranosh dështimin. Por ta fshehësh duke sulmuar “të tjerët që nuk të lënë të qetë të punosh”, të përpiqesh të denigrosh dhe kërcënosh me bukën e familjes punonjësit e arsimit është më shumë se dështim.

alb365.com/Dr Ndriçim Mehmeti

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Të përndjekurit politikë paralajmërojnë grevë urie

Tiranë - Dita e sotme që përkon...

Close