|Sunday, December 11, 2016
  • NA NDIQ NË

Të rinjtë e Kosovës dhe Serbisë: Jemi të ngjashëm, por nuk njihemi 

“Nuk njihemi, por jemi mjaft të ngjashëm”, është përfundimi, në të cilin kanë arritur rreth 30 të rinj nga Kosova dhe Serbia, të cilët kanë kaluar së bashku tri ditë në Prishtinë dhe Beograd.

Në kuadër të programit LinKS (Linking Kosovo and Serbia), të organizatës Iniciativa e të rinjve për të drejta të njeriut, të rinjtë kanë pasur rastin që përveç njohjes me përditshmërinë e moshatarëve, me shpresat dhe problemet e tyre, të bisedojnë edhe për marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, me përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, të organizatave vendore dhe ndërkombëtare, të shoqërisë civile dhe të medieve.

Çlirim Sheremeti, është maturant nga Prishtina dhe thotë se është aktivist rinor. Ai, duke folur për shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, thotë se e ka vizituar për herë të parë Beogradin. Sipas tij, është befasuese ngjashmëria që kanë të rinjtë në Prishtinë dhe Beograd.

“Nuk kam pasur idenë se sa gjëra të përbashkëta kemi. Unë nuk e kam ditur se Serbia, sikurse edhe Kosova, i ka problemet veta të brendshme me korrupsionin dhe papunësinë. Pas vizitës në Serbi, kam kuptuar se të rinjtë i mundojnë të njëjtat probleme sikurse edhe neve – problemet e papunësi, problemet me qeverinë, me lirinë e medieve… kemi mjaft gjëra të përbashkëta”, thotë Çlirim Sheremeti.

Në anën tjetër, Milica Kariç, nga Beogradi, vijon studimet e nivelit master në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se para vizitës në Prishtinë, është ballafaquar me mjaft paragjykime lidhur me vendin, të cilin do ta vizitonte.

“Shumë prej nesh, kur jemi nisur nga Serbia, kemi pasur paragjykime të caktuara, mjaft të fuqishme. Na flisnin se ekziston shansi që të ketë ndonjë konflikt, se nuk është në rregull që të flasim në gjuhën serbe në rrugët e Prishtinës dhe se nuk guxojmë të jemi mjaft të relaksuar. Kur kemi arritur në Prishtinë, është parë se asgjë nga ajo që na thuhej, nuk ishte e saktë dhe se frika është ajo që e bën mjedisin të frikshëm. Për këtë nuk kishte nevojë, sepse nuk është aspak e tmerrshme që të jesh në Prishtinë dhe të flasësh në gjuhën serbe”, thotë Milica Kariç.

Arijeta Murati, studente nga Prishtina, po ashtu duke folur për shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, thekson se në Beograd ka arritur përshtypjet më të mira se që kishte pritur.

“Nuk është kjo frikë, por frikë nga diçka e panjohur. Ishte bukur. Përvoja të reja dhe kemi parë gjëra të reja. Kemi parë se sa në të vërtetë janë të ngjashëm shqiptarët dhe serbët”, thekson Arijeta Murati.

Lidhur me problemet që i mundojnë të rinjtë serbë dhe shqiptarë, flet edhe një i ri nga Graçanica, me emrin Aleksandar Vuçiç. Ai është i diplomuar në Menaxhimin e Sigurisë. Sipas tij, problemet për të rinjtë janë të natyrës ekonomike dhe sociale, e para së gjithash mungesa e punësimit:

“Qoftë kur kemi të bëjmë me serbët nga Serbia, qoftë me serbët nga Kosova apo bashkësitë tjera në Kosovë, qoftë me shqiptarët nga Serbia apo shqiptarët nga Kosova… papunësia është problemi që na mundon të gjithëve”.

Të rinjtë nga të dyja vendet, kanë thënë se kanë pak informacione lidhur me dialogun në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ata theksojnë se do të angazhohen për përparimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shoqërive duke ofruar kundër-argumentet. Me qëllim që të forcohet bashkëpunimi ndërmjet të rinjve në rajon, Iniciativa e të rinjve për të drejta të njeriut, tash e 13 vjet organizon programe të shkëmbimit ndarjet Kosovës dhe Serbisë

alb365/REL/

Add a Comment

%d bloggers like this: