|E diel, Dhjetor 17, 2017

“Terrorizmi akut” injoron identitetin kombëtar . 

Aleksander_Cipa

Aleksander_Cipa

Tiranë – E nisën me kokëprerje të gazetarëve. Vitin e shkuar, fotografit amerikan, James Foley, iu pre koka. Ndërkohë që pas disa shfaqjesh si reporter në terrenin e të ashtuquajturit Shtet i Kalifatit, gazetari i rrëmbyer në Siri, John Cantlie, tashmë do të jetë moderator i emisionit televiziv online në emisionin “Është koha për rekrutim”. Ky kanal televiziv është media e parë zyrtare e militantëve që jo vetëm po tronditin dhe kanë hutuar botën, por që po krijojnë premisën e një ndryshimi që nuk dihet se deri ku dhe se sa do të zgjerohet. Befasia nuk ka ngjarë e gjitha. Së paku kështu parathonë analistët dhe parashikuesit. Në laboratorët e studimeve strategjike dhe gjeostrategjike globale, janë hapur të gjitha skemat dhe mbahen naivisht, me mundësi të lartë besimi për të ngjarë, të gjitha skemat e mundshme.

Mpirja është e gjithkundshme, që nga SHBA deri në Europë. Gjakderdhja dhe pogromet po soditen e përcillen me heshtje vrastare. Europa klithi për masakrën mbi redaksinë e “Charlie Hebdo”. Ndërsa heshtja për masakrat e “Boco Haram” në Nigeri është po aq katile sa zhdukja e 2000 frymëve. Kjo soditje kriminele e botës mbi masakra të tilla, “do t’i kthehet për koke”, – thoshin profetikisht të parët tanë kur ndienin intuitivisht fillimet e dy luftërave të tmerrshme të botës.

Kjo që po ngjet është po aq e tmerrshme dhe më së shumti edhe me rrezik më të pashoq.

Masakra e dy terroristëve në redaksinë e “Charlie Hebdo” në Paris shkaktoi lemeri në krejt Europën, por njëkohësisht mjaftoi të bëjë me dije se sa e papërgatitur është ajo ndaj kësaj sfide. Kjo e keqe e ka ngjizur doktrinën e vet, duke përdorur diabolikisht një substancë religjioni. Profitët e saj nuk janë aq të pazgjuar dhe natyrisht nuk e kanë menduar si një kapitull të vetëm atë që po ngjet.

Shfaqja e medies së parë online e ISIS, është manierë e njohur politike dhe mekanizëm që ka kaluar nëpër sprovat e diktaturave e klasave politike. A po shfaqet udhëheqësia e ISIS në formën klasike të politikës që shtron rrugën e vet, duke përdorur “mjetet e propagandës”. Heshtja e botës dhe e shteteve që kanë përgjegjësi globale ndaj kësaj, është herezi me pasoja të paparashikuara për të ardhmen e disa kontinenteve. Kjo është parathënë e po rithuhet përditë e më me vendosmëri prej analistëve dhe interpretëve të zhvillimeve politike skaj më skaj kësaj bote. Burrat e pleqërisë së mençur dhe ata me mençuri të paplakur, në kohët e fundit po shprehen e rishprehen për diçka që tejkalon çdo befasi dhe hamendësim.

Po ne shqiptarët, si dhe ku po na prin kjo befasi dhe ky zhvillim në të cilin kemi një pjesëmarrje dhe një hutesë, një përfshirje dhe një vetëpërgatitje naive sikur të ngjasë në një botë tjetër?!

Në shtypin e ditëve të fundit, shkrimtari-politikan Ben Blushi dhe publicisti me një përvojë të ndërprerë, politikani Veton Surroi, kanë qenë dy prej përfaqësuesve të mendimit analitik në vend që kanë pasur një qasje disi më serioze analizuese ndaj asaj që po ngjet në hapësirën globale dhe në kontekstin religjionar pas dhe matanë ngjarjes së “Charlie Hebdo”, në Paris. Sipas Blushit: “Ajo që pritet është prakticiteti i islamit, pra kalimi nga një gjendje hyjnore në një gjendje humane. Një islam praktik do të ishte më i dobishëm se një Islam i ri, por një islam i ri nuk do të ishte detyrimisht praktik. Ai do t’i garantonte fuqi gjithë botës islame dhe do t’i jepte armëpushim gjithë botës jashtë islamit”.

E thotë këtë zoti Blushi, duke u vetëndier qytetar në Mesdheun që është një liqen i ndotur nga të gjitha mbetjet e shekullit të kaluar, nga papunësia dhe rebelimi politik si në Greqi, nga terrorizmi akut, si në Francë, nga autokracia dëshpëruese si në Turqi, nga konfliktet etnike si në Palestinë, nga luftërat fetare si në Siri, nga gjumi i mirëqenies pa ëndrra si në Slloveni, nga kapriçot e politikës hedoniste si në Itali, ndërsa Shqipëria, që është edhe në liqen, edhe në kontinent, jeton prej disa kohësh në shenjën e Hënës, pra në pesimizëm dhe do t’i duhen vite për të ndryshuar shenjë.

Ndërsa Veton Surroi sjell qasjen e raportit të krejt shqiptarëve me atë që po ngjet në tablonë e madhe të globit. “Shqiptarët, ndonëse paradoksalisht jo pjesë e institucioneve të hapësirës politike europiane, janë sot pjesë e hapësirës së kërcënuar europiane… Drejtuesit e shoqërive shqiptare mund të rrëshqasin lehtë në diskursin e “luftës kundër terrorizmit”, duke menduar se bëhet fjalë për një abstraksion, atje diku larg, e duke mos kuptuar se sikurse edhe nga çdo vend tjetër europian, sot në radhët e ISIS-it në Irak e Siri janë duke luftuar ata që u nisën për në luftë si shqiptarë e që do të kenë për detyrë me t’u kthyer të luftojnë për një kauzë të re, atë të ideologjisë së tyre, të interpretimit të tyre të islamit, të imponuar me dhunë”.

Përpos dy qasjeve fragmentare për të analizuar realitetin kompleks të marrëdhënieve të shqiptarëve me situatën dhe kontekstet e terrorizmit dhe preferencës së tij për të përfaqësuar me kësi radikaliteti gjakderdhës “mbrojtjen e doktrinës islame”, institucionet e shoqërive shqiptare në Ballkan janë në pozita të papërgatitura. Këtu nuk është fjala për institucionet e sigurisë kombëtare apo te solidariteti që dëshmohet me Komunitetin Mysliman Shqiptar. Realiteti është më delikat dhe rrjedhat e “nëndheshme” janë edhe më të panjohura.

Në hapësirën e rrjeteve dhe medias sociale në shqip, lehtësisht shquan çdo lexues e jo më një specialist i mediologjisë dhe politikës, diferencat mes asaj që raportohet dhe përcillet si opinionbërje përmes mediave klasike me realitetin e “terrorizmit akut”, siç e cilëson Blushi. Është një diferencë që nis së pari si version fansash e militantësh kundër islamofobisë, sikundër edhe një kategori, e cila tashmë është uzurpuar nga indoktrinimi islamik i huazuar nga bota arabe dhe ajo lindore. Në hapësirën virtuale shqiptare gjithnjë e më pak, po mbahet në qendër të vëmendjes dhe ofrohet si referencë e vetme historia dhe produkti i mendimtarëve të muhamedanizmit shqiptar, të cilët janë adhuruar e lëvduar si themelues të Rilindjes Kombëtare dhe etër të kombësisë e identitetit shqiptar. Ky tejkalim dhe eklipsim i tyre, po lë shteg për atë që me të drejtë Veton Surroi e sjell në vëmendje të opinionit publik në qasjen e vet “Paralagjet shqiptare të Parisit” ku ndër të tjerat nënvizon: “Në garën mes identitetit kombëtar francez dhe atij global islamik, për dy vëllezërit vrasës, ka fituar ky i dyti me lehtësi të madhe”.

Fjala është se tek ekstremistët tanë që tashmë janë rekrutuar me ISIS ka ngjarë triumfi i ideologjisë islamike mbi identitetin kombëtar të tyre. Lajmet e përcjella kohë më parë për aktet publike të militantëve shqiptarë të ISIS, të grisjes së pasaportave, nuk kanë qenë aq pa kuptim sa i kemi raportuar ne. Ky harakiri kombëtar, qenka një kumt religjionar, sipas tyre dhe kjo do të thotë se në ndërgjegjen e tyre ka triumfuar shtytimi për të qenë militantë të besimit të egër apo të “terrorizmit akut” se sa shqiptarë europianë që jetojnë e duhet të rrisin fëmijët e tyre në një vis ku parada e krerëve të religjioneve nuk është thjesht një shfaqje, por brendi e një trashëgimie e bashkëjetese.

Shfaqja e medias së parë të terrorizmit me stemë fetare, kërcënon më shumë se Europën, shoqëritë e pamatura të tranzicionit ideologjik që pak është njohur edhe si periudhë e rikthimit të besimeve.

alb365.com/Aleksandër Çipa

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Trafiku i seksit/ Ja ç’mendon DSHA

Një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit...

Close