|E enjte, Qershor 22, 2017

Topi që na ka marrë mendjen! 

brazili-2      Rituali një herë në katër vjet për kurorën botërore është ndoshta ngjarja më e rëndësishme në futboll, duke sfi duar çdo gjë tjetër në këtë rruzull. Janë edhe finalet europiane, apo dhe të tjera nga më të ndryshmet që zhvillohen në çdo cep të globit dhe ku futbolli imponohet me të gjithë forcën e tij, por si gara e Botërorit nuk mund të ketë tjetër për nga interesimi dhe vlerat krahasuese. Madje, edhe Olimpiadat, që zhvillohen që nga lashtësia dhe që prej shekujsh janë emërtuar si festa e sportit të përbotshëm, me gjithë madhështinë e tyre të përjetshme, vështirë se mund ta arrijnë magjinë që shfaqin finalet e një Botërori në futboll! A nuk ka ndodhur kështu që nga 1930-ta kur nisi kjo garë dhe që ka vazhduar thuajse pa ndërprerje për çdo katër vjet, për të mbërritur deri tani në Brazil, kur jemi dëshmitarë të një feste që ka fshirë nga faqja e dheut çfarëdo ngjarje tjetër të këtij planeti? Edhe pse prej një viti brazilianët protestojnë për të pasur standarde më të larta jetese, duke mos reshtur në kërkesat e tyre të drejta edhe në ditën e çeljes së finaleve që po zhvillohen atje, përsëri ata nuk mundën të bëheshin pengesë për lëvizjen e topit, që prej 20 edicionesh ia ka marrë mendjen kësaj bote! Shikoni se si edhe luftërat e përgjakshme në të katër anët e botës, që nga masakrat e përditshme të Irakut apo Afganistanit, duken si “të fshehura” nga ekranet televizivë, pikërisht se në to vendin e gjithçkaje e ka zënë ai, topi i futbollit. Dhe kjo nuk ngjet vetëm tek ne, në një vend që edhe, pse nuk ka asnjë lidhje organike me këto finale, ngaqë është i përjashtuar i përhershëm prej tyre, megjithatë, gati ka kaluar në një eufori çmendurake nëpërmjet emisioneve të panumërta televizive që u kushton!? Në të gjitha ekranet e botës është topi ai që zotëron kudo. Shembulli i Italisë, që startin e finaleve të Brazilit, nëpërmjet RAI UNO-s, stacionit të saj kryesor mediatik shtetëror, studion e saj të lajmeve të orës 20.00, gati si një ikonë e paprekshme, përkundrazi atë mbrëmje të së enjtes, sikur të mos ishte asgjë, e shndërroi në një “fushë loje” të pushtuar nga topi i futbollit, flet qartë për atë se çfarë force të jashtëzakonshme dhe çfarë pushteti të pamatë ka fituar kjo garë sportive, e bërë tashmë unike me tërë kompleksitetin e saj.

I përfshirë si e gjithë bota në vorbullën e finaleve të “Brazil 14”, por më së shumti në atë idiolatri idioteske shqiptare, që kërkon të futet mes më të mirëve dhe protagonistëve vetëm me fjalë dhe aspak me vepra, bashkë me disa të tjerë nëpër studio të ndryshme televizive, kemi nisur të bëjmë një lojë të shpifur “kungulleshkash”, duke u rrotulluar si ai topi i futbollit, por pa asnjë farë mjeshtërie që të na dallojë nga të tjerët, duke dashur që nëpërmjet kësaj butaforie të shpëlarë, t’ia heqim mendjen këtij populli nga hallet e shumta dhe shqetësimet e përditshme që ka, bashkë me problematikën e mprehtë që e rrethon prej kohësh. Por, edhe pse këto ditë të gjithë i kemi drejtuar sytë nga Brazili, edhe pse bota bën sikur nuk pyet për asgjë tjetër veçse për futbollin, e keqja megjithatë vjen e vërtitet përreth nesh, duke na kujtuar se pas një muaji, kur të përfundojnë këto finale, lëvozhga do të hiqet krejtësisht dhe plaga do të jetë po aty, e mahisur dhe e lënduar si më parë. Se e tillë është jeta: kur në një çast mendon se ia hodhe, ndërkohë e nesërmja të bën që të përballesh me të papritura aspak të këndshme. Siç qe dy vjet më parë ajo festë e bukur e plot dritë e Ukrainës, kur pat organizuar bashkë me polakët finalet europiane të futbollit, ndërsa sot është përfshirë nga një luftë civile e përgjakshme! Për ne shqiptarët, gjërat duken më rozë për së largu. Brazili, me topin që ka nisur rrotullimin atje, ka bërë të “harrohen” shumë gjëra që në fakt na pickojnë për çdo ditë. Gjithë “dashamirësi” të përcjellin për ankesat e bëra nëpër zyra të ndryshme shtetërore, duke të krijuar idenë se pas këtyre finaleve do të zgjidhet gjithçka, ngaqë topi do të vijojë të rrotullohet edhe në Shqipëri. Madje, për disa politikanë, problemi i mprehtë i këtyre ditëve, i kthyer gjoja në çështje “jete a vdekje”, sikur ka dalë në plan të dytë, për shkak të finaleve të futbollit. Ndonjë që ka pasur rast të shohë në mes të asaj morie të pafund emisionesh që kanë nisur për finalet e Brazilit, mund të ketë vënë re për një çast se edhe ata, më të zellshmit politikanë të shquar, jo për punë e shërbim ndaj popullit, por për sharje, ofendime, zhurmë dhe hakërrima banditeske në parlament, të pyetur për mbresat rreth këtij Botërori, u shprehën me një buzagaz të shtirë, sikur të mos ishin ata që gjëmën e bërë në vite ndaj këtij vendi, tani duan ta kthejnë në një lojë fare të thjeshtë, ku topi veçse rrotullohet duke na e marrë mendjen të gjithëve.

alb365.com/Ahmet Shqari

Add a Comment

Twitter
ALB365 on Twitter
Latest Tweet: Qarku Fier gati të shkojë në votim https://t.co/RwuFVYKxIg via @wwwalb365com
11,397 people follow ALB365
Twitter Pic Bougainv Twitter Pic cammipha Twitter Pic McBrideM Twitter Pic olsimust Twitter Pic albanaHa Twitter Pic kwabbybo Twitter Pic PercjaSu Twitter Pic Ianndest Twitter Pic brent633 Twitter Pic ivicespe Twitter Pic dawifey1 Twitter Pic maycol_p Twitter Pic bs_badgu Twitter Pic angie_an Twitter Pic be_be_AT Twitter Pic koseno Twitter Pic GoranPet Twitter Pic devendar Twitter Pic moazreza Twitter Pic shaunteb
Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
VIP-at në mbështetje të Kosovës në UNESCO

Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO ka marrë vëmendjen e të gjithëve, përfshi edhe personazhet e njohura Gjera po pritet që...

Close