|E hënë, Korrik 24, 2017

Transparenca, kushti për pranimet në universitet 

Nga REDI SHTINO – Më duhet t’i kthehem argumentit, pasi spekulimet me natyrë politike e konfliktuale mbi pranimet në IAL kanë mbërritur majën, ndërkohë që përpjekjet dhe fryma e ligjit të ri të arsimit të lartë, shkojnë në drejtim tërësisht të kundërt.

 Përsëris se mbi argumentin, dy janë elementet konkrete rreth të cilave gravitojnë shqetësimet madhore të pretenduara, ndërkohë që pjesa e mbetur janë përllogaritje matematike: • pamundësia e kandidatëve për t’u njohur paraprakisht dhe në kohën e duhur me lëndët e përzgjedhura prej fakulteteve, që krijojnë profil të privilegjuar në programet përkatëse. • pamundësia për t’u renditur fitues dhe pse me mesatare të lartë, që në Raundin e parë, për shkak të bllokimit të vendeve nga studentët e ekselencës, ndërkohë që çdo kandidat mund të kryejë maksimumi një zgjedhje.

Pra vendet e zëna virtualisht, janë aty të lira 9 në 10. Për një analizë të kujdesshme duhet të bëjmë disa hapa pas duke identifikuar arsyet që vendosen në thelemet e Reformës së Arsimit të Lartë: autonominë universitare dhe lirinë akademike, meritokracinë dhe transparencën.

E para, autonomia universitare parashikohet në funksion të “interesave specifike” që duhet të trajtojnë IAL–të, si hallkë e ndërmjetme institucionale ndërmjet pushtetit qendror dhe atij lokal.

Pikërisht për shkak të këtyre interesave hibride që u duhet të administrojnë, e të cilat janë të lidhura sa me territorin ku ushtrojnë veprimtarinë, aq edhe me sensin e përgjithshëm të shërbimit kombëtar që ofrojnë, autonomia në fjalë klasifikohet si funksionale.

Pra sensi/kuptimi i autonomisë universitare është i lidhur me funksionimin e IAL-ve. Sigurisht kjo autonomi duhet të jetë bashkudhëtare me përgjegjshmërinë e duhur dhe konstante, që mbetet të certifikohet nga organet kompetente.

Liria akademike, e quajtur ndryshe liria në kërkim të së vërtetës shkencore dhe përhapjes së saj, është e drejta për ta ushtruar këtë aktivitet në mungesë të ndërhyrjes së autoriteteve, në emër të zhvillimit dhe prosperitetit.

Është ndoshta ndër kompromiset e pakta që ka bërë pushteti me dijen, në funksion të humanizmit. Autonomia funksionale dhe liria akademike janë elementet e domosdoshme të qeverisjes universitare. Këto janë arsyet pse pushteti dhe politika duhet të rrinë larg këtyre vlerave, sidomos në kushtet tona, në mënyrë që të mund të ngrihet një sistem eficient meritokracie.

Mbi këtë frymë u ngjiz Ligji i ri i Arsimit të Lartë, sipas të cilit, parashikohet ndër të tjera se IAL-të gëzojnë të drejtën, për të hartuar dhe zhvilluar programet e studimit (në funksion të përcaktimit të fushave të veprimtarisë së tyre) dhe për të caktuar kritere për pranimin e studentëve në programet e studimit.

Kushtetuta shqiptare garanton autonominë e institucioneve të arsimit të lartë (IAL) dhe lirinë akademike, duke iu referuar ligjit si instrument normativ i aftë për materializimin e këtij misioni, në mënyrë të detajuar. Besoj se kaq është e mjaftueshme për të kuptuar se kush i vendos kriteret e pranimit të studentëve dhe pse.

Pra, ndër to edhe lëndët që krijojnë profil e që për rrjedhojë nëpërmjet mesatares së tyre ponderojnë mesataren e VKM-së. Pra, MAS për shkak të autonomisë universitare të parashikuar në Ligjin e ri, nuk mund të ndërhyjë në këtë pikë.

Ndërsa më përpara ajo miratonte kriteret e shpallura nga IAL për pranim, ashtu si edhe kuotat, tani nuk mund ta bëjë më dot as këtë. Kjo, për më tepër kur edhe vetë IAL-të i kanë duart e lidhura në këtë drejtim, pasi në fund nuk janë as këto që vendosin lëndët e profilit, por shkenca e fushës përkatëse.

Është kjo e fundit që dikton se cilat lëndë janë shtyllat e çdo profili. Por ndërkohë që konfuzioni mbi këtë pikë bie, ngrihet ai i pretendimit të kohës në të cilën u bënë ndryshimet e kritereve, që lidhen me lëndët e profileve dhe mënyrën se si u njoftuan. Mendoj se aty ku informacioni kulturor i përgjithshëm nuk ka qenë i mjaftueshëm për orientimin ndaj profilit të preferuar, kjo ka qenë lehtësisht e rikuperueshme me një vizitë të shkurtër në uebsjatet e fakulteteve, ku lëndët që ofrohen në programet e studimeve janë të publikuara.

Pikërisht për këtë arsye shkolla e mesme është një ushtrim me natyrë universale. Ajo është palestra në të cilën çdo nxënës ushtrohet me të gjitha instrumentet e dijes (lëndët) për të kuptuar se cila prej tyre është më e përshtatshmja, në funksion të rezultatit të dëshiruar. Është vendi i përgatitjes për zgjedhjen më të rëndësishme. Aty ku farkë- tohet arma e preferuar.

E pra, në këtë palestër të dijes nuk besoj ka nga ata që, duke ushtruar biçikletën, mendonin se do të mund të forconin muskujt e fytyrës apo të krahëve. Kështu, kush ka priviliegjuar Fizikën dhe Kiminë nuk mund të inatoset se nuk ka fituar Juridikun. Me pak fjalë, nuk është një ëndërr që zgjat një natë e nga e cila mund të zgjohesh para kohe e i papërgatitur.

Për të kuptuar se cila është dega e duhur dhe lëndët që e profilizojnë nevojitet një ushtrim konstant që zgjat vite: po, vite të tëra akademike. Sepse lëndët me koeficientët e tyre të lartë e të fryrë erga omnes nuk i shërbenin profilizimeve të fakulteteve dhe programeve përkatëse, ato u evituan në sistemin e ri. Sistemi i shkuar i detyronte nxënësit, nëpërmjet një formulë oportuniste, të bënin zgjedhje që shkonin jashtë kapaciteteve apo talenteve të tyre vetëm se ofronin më shumë pikë.

Kjo krijoi deformime domethënëse të kapaciteteve formuese të sistemit parauniversitar. Çdo lëndë duhet të ketë peshën e saj të natyrshme dhe të proporcionuar në panoramën e programeve të shumta që ofrohen, sipas profilit të cilit i përket. Sistemi aktual jep më shumë pikë për ata që kanë një formim më të ngjashëm me degët ku shkojnë, duke privilegjuar “profilizimin” sipas politikave bashkëkohore europiane.

Nuk ka më lëndë, të cilat me koeficientë të fryrë rrisin në mënyrë artificiale mesataren e përgjithshme të tri viteve, pasi nuk ekziston asnjë lëndë, e cila mund të jetë e vlefshme në mënyrë superlative për të gjitha fushat apo degët e studimeve. Për një shkëputje graduale nga e shkuara u rrit njëkohësisht edhe pesha e mesatares së lëndëve të të gjitha viteve. Ajo sot peshon rreth 50%, ndërsa përpara peshonte vetëm 20%.

Ekuilibri i munguar ndërmjet lëndëve për sa i përket peshës përkatëse është riorientuar në mënyrë të shëndetshme. Lidhur me ndryshimet e sjella, duhet kujtuar se ky ishte një parashikim specifik i Reformës, duke mos harruar se MAS mbi sa më sipër organizoi Panairin e Maturantit, duke informuar të gjithë kategorinë në fjalë.

Në kushtet e parashikimeve të Ligjit të ri, i cili delegon tek IAL-të çdo aspekt të pranimit, MAS i duhej të vendoste filtrin e transparencës, nëpërmjet Portalit të Maturantit, duke garantuar kështu publikimin e çdo të dhëne, për çdo kandidat, në mënyrë që këto të ishin të matshme dhe të prekshme. Kësaj garancie i shtohet ajo e publikimit të Librit të Transparencës, në të cilin gjenden të dhënat e rezultateve të të gjithë kandidatëve.

Në të pasqyrohen nota mesatare e lëndëve të shkollës së mesme, notat e provimeve të maturës të detyrueshme dhe me zgjedhje dhe preferencat e shprehura në përzgjedhjen e IAL-ve. Nëpërmjet këtij dokumenti IAL-të vihen përpara përgjegjësisë institucionale për rankimin e kryer.

Të dhënat e publikuara mundësojnë gjurmimin dhe evidentimin e procesit përzgjedhës. Për rrjedhojë, transparenca është maksimale. Po le t’i kthehemi gamës së gjerë të zgjedhjeve, pamundësisë për t’u renditur fitues, edhe pse me mesatare të lartë, që në Raundin e parë, për shkak të bllokimit të vendeve në mënyrë virtuale nga studentët e ekselencës. Nuk janë pak ata që konstatojnë se 10 zgjedhje janë shumë. Tepër!

Mesë të mjaftueshme për të krijuar më shumë konfuzion se sa për të orientuar. Përgjithësisht ata që e mendojnë janë ata që studimet i kanë mbyllur para shumë kohe, sepse atëherë fakultetet identifikoheshin me programet e studimit: çdo fakultet ofronte vetëm 1 program studimi.

Ndërsa sot ato janë disa. Sot kandidatët zgjedhin programet, jo fakultetet. Aktualisht Fakulteti i Ekonomisë ofron 5 programe: Administrim – Biznes; Ekonomiks; Financë; Informatikë Ekonomike; Administrim Biznesi (filiali në Sarandë); ai i Shkencave të Natyrës 10 programe, ndërsa Fakulteti i Gjuhëve të Huaja 9 programe. Vendosja e më pak alternativave do të kufizonte zgjedhjen “me një profil të vetëm”, ndërkohë që mund të ndodhë natyrshëm që studentët e ekselencës, të cilët kanë arritur rezultatin më të lartë në çdo lëndë, të ndihen të aftë në më shumë së një fushë.

Pikërisht në këtë drejtim shkon edhe eventualiteti i shprehjes së 10 preferencave në nivel horizontal e jo më vertikal, siç ishte në sistemin e shkuar. Ja pse Raundi i parë u vendos promovues për ekselencën dhe orientues për kategorinë e mbetur të studentëve. Ndërsa studentët e ekselencës nuk kanë nevojë të orientohen pasi zgjedhin të lirë dhe në konkurrencë minimale, të tjerët duhet të bëjnë sa më shumë llogari për të goditur probabilitetin më të lartë, në preferencat që kultivojnë.

Dhe jo vetëm kaq, por duhettë mund të dinë paraprakisht shkallën e konkurrencës që do të gjejnë në programet që do të zgjedhin. Në këtë mënyrë, shpalljet e raundit të parë e bëjnë të kuptojë se ku nga 10 alternativat që ka zgjedhur mund të ketë konkurrencë të ulët, të mesme apo të lartë. Në bazë të këtyre të dhënave informohet paraprakisht edhe mbi kapacitetet që duhet të përballojë në nivel grupi, përveçse profili.

Pra, mbi këto rezultanca kandidati mund të orientojë preferencat në mënyrë të suksesshme mbas raundit të parë, duke gëzuar njëkohësisht mundësinë edhe që t’i ndryshojë totalisht ato. Për më tepër që për çdo raund është parashikuar mundësia e ankimimit. Aktualisht janë të dhënat mbi ankimimet që flasin më shumë se gjithçka.

Vetëm 0.06% e aplikimeve kanë paraqitur ankimime. Kjo ishte totalisht e pamundur në sistemin e shkuar, ku alternativa e 10 zgjedhjeve ishte përjashtuese, që d.m.th. se sistemi elektronik në momentin që identifikonte kandidatin si fitues në një nga 10 opsionet e shprehura, në mënyrë vertikale, e përjashtonte automatikisht nga të tjerat. Ai regjistrohej aty ku në momentin e parë shpallej fitues, pa ditur më shumë mbi panoramën e mundësive dhe të ofertës.

Kjo formulë operonte në errësirë totale dhe pa transparencë. Falë saj studentët e ekselencës jo gjithmonë merrni rezultatin e dëshiruar pasi ishin të detyruar të mjaftoheshin me alternativën e parë. Ishte sikur të kishin vetëm një mundësi zgjedhjeje. Askush nuk mund të krahasonte mesataren e tij me atë të kandidatit që kishte në krah, në rankimin përkatës.

Sistemi elektronik vendoste në mënyrë automatike, pa i dhënë mundësinë askujt të mësonte nga ky proces për zgjedhjet që kishte bërë e aq me pak të ndërronte preferencë. Kjo në dëm, për së pari të kategorisë së ekselencës e jo më pak të pjesës së mbetur. Për rrjedhojë, nuk kanë munguar rastet në të shkuarën kur në degë të preferuara kuotat digjeshin, pasi sistemi i regjistronte kandidatët menjëherë me daljen e rezultatit. Sot kjo nuk mund të ndodhë më.

Sistemi të jep mundësinë të bësh llogaritë e tua dhe të konkurrentit më të afërt në çdo program, të përgjegjësohesh mbi zgjedhjet e tua e të mos lësh fatin në duart e të panjohurës. Ky model ngre një sens të lartë orientimi, transparence dhe meritokracie. Nga ky sistem mëson të mos humbasësh oportunitetin e jetës.

Në programet ku kërkesa është më e madhe se vendet në dispozicion këto të fundit plotësohen të gjitha: në këtë mënyrë ekonomizohen burimet në dispozicion të kërkesës. Zbritja e vizës së kuqe në raundin e dytë, bën të mundur që të ezaurohen në maksimum kuotat në dispozicion. Këtu përsëri maksimalizohet meritokracia, pasi e gjithë kjo nuk do të ishte e mundur me sistemin e vjetër.

Nga sa më sipër, n.q.s. transparenca është parakushti i domosdoshëm i meritokracise, mund të thuhet me bindje se sistemi i shkuar e dëmtonte rëndë të këtë të fundit.

alb365

*Zv.ministër i Arsimit dhe Sportit

Add a Comment

Twitter
ALB365 on Twitter
Latest Tweet: Pushuesit kosovarë gjenë ‘belanë’ në Vlorë https://t.co/AvNwnPz9Rx https://t.co/LFzVxjYHmm
11,312 people follow ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Po priste dru, babai godet me sëpatë në kokë djalin 3 vjeç

Dibër - Një fëmijë 3 vjeç është goditur aksidentalisht me sëpatë në kokë nga i ati teksa ky i fundit...

Close