|E shtunë, Tetor 21, 2017

Vota shqiptare dhe Europa. 

4ecdc069-7074-401e-9847-fc5276f6c87d---0-   Me një spot televiziv të pazakonte kryeministri i Shqipërisë dhe njëherësh kryetari i PS, Edi Rama, lobon për zgjedhjet italiane dhe evropiane duke u kërkuar emigrantëve shqiptarë të votojnë të majtën përkatëse. Spoti ndjek modelin shqiptar: e majta paraqitet si zgjidhje dhe ecje drejt suksesit, duke nënkuptuar se e djathta përfaqëson të kundërtën. Një javë më parë të njëjtën thirrje kreu socialist e bëri edhe në Torino në takimin me kryebashkiakun P.Fassino, një emër i njohur i të majtës italiane. Në mjedisin evropian është normale që një parti e majtë të mbështesë një parti tjetër të majtë, dhe e njëjtë edhe për të djathtën. Zgjedhjet evropiane kanë rëndësinë e tyre dhe padyshim gjermani Martin Shulz ka qenë dhe mbetet një emër i mirë për shqiptarët. E njëjta vlen edhe për rivalin e tij të djathtë, kryeministrin e Luksemburgut, Juncker. Atëherë cila është zgjedhja më e mirë shqiptare?

Pyetja meriton një përgjigje nëse Shqipëria do të ishte anëtare e BE-së. Shqipëria nuk voton, ndodhet në listën e fundit të vendeve aspirantë dhe me shanse pesimiste deri në dekadën e ardhshme. Në BE jetojnë komunitete shqiptare (Itali, Greqi, Gjermani, Belgjikë deri edhe Slloveni, Rumani e Kroaci) dhe me siguri secili prej tyre ka një opinion për çështjet evropiane dhe votën e tyre. Në zgjedhje kemi gjithashtu disa kandidatë shqiptarë, të cilët kanë zgjedhur parti të ndryshme politike. Në këto rrethana, nisma e dyfishtë e kryeministrit shqiptar përbën një risi, meriton analizë dhe hap debate të reja, ende të largëta për debatin e brendshëm politik.

Së pari, kryeministri ynë përfaqëson Shqipërinë dhe çdo qëndrim i tij është qëndrim i shtetit shqiptar. Shteti ka detyrim kushtetues të kujdeset për çdo shtetas shqiptar kudo ndodhet, ndaj edhe tendenca më minimale për ti ndarë ata të majtë e djathtë, për të lobuar për njërën palë kundër palës tjetër, nuk është sjellja e duhur shtetërore. Duket se kjo është kuptuar kur kryeministri e ka ndërtuar spotin e tij televiziv në emër të partisë politike që përfaqëson, dhe si anëtare e Internacionales Socialiste, ka veshur kostumin partiake evropian në zgjedhjet evropiane. Në këtë pikë, përsëri përfshirja e një shteti jo anëtar të BE-së, në një debat elektoral sado periferik evropian, përbën vendim më shumë emocional sesa një akt politik të pritshëm dhe afatgjatë.

Së dyti, ideja se e majta evropiane është zgjidhja, se ajo zgjidh problemet ekonomike, krijon vende të reja pune, përbën garanci për emigrantët dhe qytetarët, etj, të cilat shfaqen në spotin elektoral të Tiranës për Romën e Brukselin, janë lexim simplist edhe pa sens praktik. Jo vetëm sepse ato nënkuptojnë se e djathta, pra pjesa kundër të cilëve duhet të votojnë shqiptarët, bën të kundërtën dhe është shkaktare e krizës evropiane, por edhe sepse përfaqëson një retorikë dhe leksion të një vendi jashtë BE dhe me më 1000 herë më shumë probleme sesa familja evropiane. Vetëm një mendje shqiptare mund të mendojë p.sh, se alternativa e Angela Merkel apo David Kameron është negative për Evropën dhe se zgjidhja ideale qenka zgjidhja ideologjike apo që Holandë në Francë nuk ka sukses sepse është i majtë dhe Orban paska sukses sepse është i djathtë! Për më tepër, në rastin konkret, cili është kriteri që përcakton se majta italiane është më e mirë sesa e djathta për interesat shqiptare, kur Italia, mbetet një partner strategjik, dhe dallimi midis të djathtës/majtës nuk është reflektuar asnjëherë në raportet preferenciale me çdo qeveri shqiptare të tranzicionit?

Së treti, në dhjetor u kërkua alibia e mungesës së ftesës për në BE pikërisht tek grupet e djathta ekstremiste evropiane. Tani kur këto grupe do votohen dhe Shqipëria ka interes të lobojë sa më shumë për sqarimin e pozitës së saj për të mundësuar një përgjigje pozitive në qershor. Një vizitë e paralajmëruar e kryeministrit Rama në Holandë, p.sh, është lajm i mirë dhe ecje në drejtimin e duhur. Por ecja paralele, në kërkim të konsensusit të gjerë evropian në politikën zyrtare dhe hedhja me not në politikat e vogla lokale evropiane siç ishte spoti për zgjedhjet italiane, nuk mendoj se është hapi në drejtimin e duhur dhe as një zgjidhje e këshillueshme.

Së katërti, duke ia lejuar vetes përfshirjen në politikën e vendeve të tjera Shqipëria merr përsipër të pranojë të kundërtën, përfshirjen e vendeve të tjera në fushatat elektorale shqiptare. Imagjinoni nesër që ndonjë vend me interes specifik në Shqipëri të shpërndajë spot dhe të kërkojë publikisht votë pro apo kundër një pale politike shqiptare. Natyrisht që do të ishte problem, dhe do kishte reagim, siç ka ndodhur shpesh të të kaluarën, sidomos në zgjedhjet lokale. Tani ata e kanë pretekstin ose alibinë, dhe hyrja në praktikën e re na gjen të papërgatitur për veten, si shtet, si parti politike, si mjedis politik dhe si identitete politike. Vetë partitë tona, në kundërshtim me ligjin elektoral dhe ligjin mbi partitë, kanë krijuar degë partiake në disa vende evropiane, degë që furnizojnë me para dhe votues në zgjedhje, por që në thelb mbeten informale, jo efektive dhe jo përfaqësuese në aspektin politik shtetëror dhe publik.

Së pesti, kur e majta shqiptare lobon për të majtën evropiane dhe në vijim, e djathta për të djathtën, sic bëri në mënyrë qesharake pas zgjedhjeve lokale në Francë apo atyre parlamentare në Hungari, krijohet ideja e gabuar se e majta/djathta jonë janë aleate dhe të njëjta me të majtën/djathtën evropiane. Në fakt janë larg në identitet, në program, në strukturë, në praktikë, në organizim dhe në mentalitetin ndaj shtetit, qytetarëve dhe institucioneve. Fjala vjen, në çdo parti të majtë/djathtë evropiane liderit votohen, strukturat votohen, mendimi kritik lejohet dhe secili është në provë të shumëfishtë zgjedhore. A nuk ishte vetë Renci produkt i kësaj vote konkurruese? Po në Shqipëri? Prej një viti nuk ka votë as në PS dhe as në PD. Tek e para ka skaduar mandati i vetë kryetarit, tek e dyta kanë skaduar të gjitha mandatet përveç kryetarit. Partitë tona janë krijuar, drejtohen dhe veprojnë me modele shumë më të ndryshme nga modelet evropiane. Ndaj leksioni i tyre, identiteti i tyre, me të drejtë nuk merret shumë seriozisht.

Së gjashti, krahas zgjedhjeve evropiane ne patëm zgjedhjet parlamentare në Maqedoni dhe kemi ato në Kosovë. Në zgjedhjet në Maqedoni ku partia më e madhe shqiptare bojkotoi zgjedhjet presidenciale Tirana zyrtare dhe politike heshti, të njëjtën gjë po bën edhe në zgjedhjet parlamentare në Kosovë. E majta/e djathta në Tiranë nuk kanë kurajë madje as të publikojnë preferencat e tyre politike në Prishtinë dhe Tetovë, dhe jo më të prodhojnë spote dhe skenarë lobues pro platformave të caktuara politike. Sepse zgjedhjet ndër-shqiptare e rajonale nuk janë prioritet i tyre. Në zgjedhjet evropiane ndryshon sjellja, sepse kanë rastin të tërheqin vëmendjen, të tregohen diçka që de facto nuk janë dhe kështu, të vetshpallen si faktorë me ndikim tej rajonal, faktor evropian dhe ndërkombëtare. Mjafton të kujtojmë leksionet e Nanos në mediat amerikane kundër Evropës së Vjetër, leksionet e Berishës në Munich kundër politikës perëndimore në rajonin tonë, apo detaje që gjenden në spotin e ri të kryeministrit të ri, për të kuptuar se liderit tanë shpesh duken të ndryshëm por po kaq shpesh sillen dhe rezultojnë të barabartë!

Së fundi, le të supozojmë se vota shqiptare në Itali shkoi për të majtën. Ky nuk është lajm, është sjellje normale e çdo emigracioni. Atëherë cili është përfitimi shtetëror dhe shqiptar, apo më tej i vetë emigrantëve? Çfarë ndodh nëse ngjan tjetra, fiton e djathta kundër të cilës ne lobuam apriori? Asgjë e prekshme, përveç ndjesisë se pjesëmarrja në zgjedhje forcon kulturën demokratike. Tej këtij mesazhi minimalist, detyrimit formal nga rezolutat e IS, apo preferencave personave të lidhjes midis ndonjë politikani në Tiranë dhe ndonjë tjetri në ndonjë kryeqytet evropian, spotit të Ramës kryeministër dhe çdo partie politike shqiptare që tenton të ndjehet gjallë në zgjedhjet evropiane u mungon diçka thelbësore: premtimi se standardet evropiane do i aplikojmë në Shqipëri, duke filluar nga vetë e drejta e votës së emigrantëve në zgjedhje. Ne i këshillojmë sot ata të votojnë Shulzin apo Juncker, Renzin apo Merkel, por nuk i pranojmë të jenë votuesit tonë, pra të votojnë për atë që do drejtojë Shqipërinë. Dhe në këtë pikë, mbetemi unikë, vendi i vetëm në Evropë.

E sigurt është se zgjedhjet evropiane do kenë trendin e tyre dhe vota shqiptare, në çdo rast, nuk mund të jetë përcaktuese. E sigurt është gjithashtu se asnjë spot apo mesazh elektoral i Tiranës për Brukselin, i ardhur nga e majta apo e djathta, nuk do të mund të ketë ndikim dhe vëmendje sa vetë autorët e tyre mendojnë. E sigurt është që Evropa ka standarde, vlera, parime dhe mjete që të krijojë dhe garantojë një sistem përfaqësues politik të aftë të përballet me sfidat e shekullit të ri, diçka që ende nuk e gjejmë në Tiranë, diçka që kemi aq shumë nevojë. E sigurt gjithashtu se pas zgjedhjeve evropiane, shampanjës dhe telegrameve partive, Shqipëria mbetet në provë, në test për të herë hapin e parë në rrugën e gjatë drejt anëtarësimit të plotë në BE. Diçka që për ne ka më shumë rëndësi sesa secili nga emrat dhe partitë që zgjidhen apo drejtojnë periodikisht në Bruksel.

alb365.com

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Video-mesazhi i Lu: Shqiptarët dhe amerikanët…

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu nëpërmjet rrjetit social Facebook ka shpërndarë një video ku dërgon mesazhin falënderues me rastin...

Close