|Tuesday, December 6, 2016
  • NA NDIQ NË

Zbutet Putin : Duam marrëdhënie të mira me SHBA 

putin-1-655x356

Presidenti rus Vladimir Putin foli me tone shumë më të zbutura në lidhje me qëndrimin e Moskës ndaj marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.

Sot në fjalimin mbi gjendjen e vendit, udhëheqësi rus tha se Moska dëshiron marrëdhënie të mira me Uashingtonin dhe se synon të bëhet mike dhe jo armike me administratën e ardhshme.

Në fjalime të mëparshme, zoti Putin është hedhur hapur në kritika ndaj Perëndimit dhe Shteteve të Bashkuara, por këtë radhë u përqëndrua kryesisht tek zhvillimet e brendshme dhe ekonomia.

Rusia, u shpreh në fjalim Presidenti Vladimir Putin, do të mbrojë interesat e saj, por nuk ka në plan të angazhohet në ballafaqime gjeopolitike:

“Nuk duam ballafaqime me askënd; as ne, as partnerët tanë dhe as komuniteti ndërkombëtar nuk kanë nevojë për ballafaqime. Ndryshe nga disa prej kolegëve tanë të huaj, të cilët e shohin Rusinë si kundërshtare, ne nuk kërkojmë dhe as nuk kemi kërkuar ndonjëherë armiq. Por ne nuk do të lejojmë njeri të shkelë apo injorojë interesat tona”.

Më parë Presidenti Putin është shprehur optimist se presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump do të ringjallte marrëdhëniet e trazuara mes dy vendeve. Sot në fjalim udhëheqësi rus tha se shpreson të gjejë pika të përbashkëta me Uashingtonin.

“Bashkëpunimi mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e sfidave globale dhe rajonale është në interes të të gjithë botës. Ne kemi një përgjegjësi të përbashkët për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar për të forcuar mandatet për kontrollin e armëve”.

Bashkëpunimi, tha zoti Putin, do të ishte veçanërisht i vlefshëm për të luftuar terrorizmin global:

“Shpresojmë të bashkojmë forcat me Shtetet e Bashkuara për të luftuar një kërcënim real – terrorizmin ndërkombëtar. Pikërisht këtë synim kanë ushtarët rusë në Siri”.

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë dallime thelbësore rreth mënyrës së zgjidhjes së krizës në Sir. Rusia mbështet presidentin Bashar al-Assad, Washingtoni ka theksuar se zgjidhja afat-gjatë për këtë vend nuk duhet të përfshijë zotin Assad.

Presidenti rus shpreson se udhëheqësi i ardhshëm amerikan do t’i lërë Rusisë dorë më të lirë në veprimet e saj në Siri.

Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Rusi zhvillohen në 2018. Megjithëse nuk e ka bërë të ditur nëse do të garojë për një mandat tjetër, përshtypja e përgjithshme është se ai do konkurrojë përsëri.

Add a Comment

%d bloggers like this: