|E martë, Dhjetor 12, 2017

Zënkë. 

55e67cfe-90ab-45f3-a2e0-e1ca220844d0---0-     Tiranë – Rama lëvizte majën e thikës me nervozizëm brenda një kocke për t’i nxjerrë palcën.
Krasta ndiqte me pirun një kokërr ulliri mbi një pjatë.
Kështu nisi zënka që të nesërmen disa gazeta e cilësuan “Vaterloja e Thikave” dhe disa të tjera “Torviolli i Pirunave”. Kur Rama kuptoi se ishte e kotë të vazhdonte të gërmonte brenda një kocke pa palcë, i hodhi Krastës një vështrim rraskapitës. Krasta e kapi situatën. Pra, Rama po e fuste në një rreth vicioz me qëllimin e vetëm që nëse edhe ai, pra Krasta, do ta shihte Ramën, Rama do t’i thoshte pse më sheh? ndërsa po të mos e shihte Ramën, Rama do t’i thoshte pse s’më sheh? Por Krasta nuk ra në këtë kurth. U mbajt, dhe, pa e bërë veten, i tha Ramës.
-Nuk gjete gjë brenda kockës, jo sepse kocka s’ka palcë, se dihet që s’ka palcë pa kockë, por ti kockën nga palca nuk di ta nxjerrësh, sepse ti çdo gjë e bën për shou. Shkove e çlirove Lazaratin si Stalini Stalingradin, vetëm gjenerali Paulus mungonte.
Rama, i befasuar nga hidhësia cfilitëse e këtyre fjalëve, ja ktheu aty për aty,
-E kush flet. Ti autoreferenciali më i përbindshëm që njeh historia, ti që televizioni yt është një çmendinë, një kafaz budallenjsh ku të gjithë qeshin e bërtasin gjithë kohës si të ndërkryer kush e kush t’i bjeri sa më tepër në sy italianit.
Aty zënka mori zjarr.
Krasta Ramës,
-Ti je dramatik. Gjithçka në qeverisjen tënde është fjalë-fjalë-fjalë si të Hamletit.
Rama Krastës,
-Ti je qesharak. Gjithçka në televizionin tënd është parole-parole-parole si të Alberto Lupos dhe Minës.
Në atë moment pranë tyre ja behu i shqetësuar Tedi.
Zotërinj, datëlindja ime nuk është arenë zënkash, është festë. Largojuni konfliktualitetit. A t’ju qeras me një Paganin?
Rama,
-Thuaji Krastës që nuk është pije.
Krasta,
-Thuaji Ramës se tingujt i kam në gen.
Tedi,
-Boll me zënka. A e lexuat shkrimin “Manual për Kurva” që qarkulloi këto ditë nëpër gazeta, duke turbulluar mendjet e sa e sa kurvave?
Rama,
Spiunat që kemi mes nesh do t’i thonë Doktorit se këtu u fol për kurva. Doktori do ta plasi në Parlament. Do ta largojnë 10 ditë nga Parlamenti. Por sa pare bën, pasi të na ketë dalë nami. Na more në qafë Ted.
Krasta,
-Meqenëse shikoke aq qartë brenda sferës së kristaltë, a s’më thua, cila është puna më e vështirë në botë? Të ndërtosh një Mur kinez, të ngresh një piramidë Keopsi, t’ja marrësh Krimenë Putinit, ta ngjallësh Merilin Monronë, të shkrish akujt e poleve, ta arabizosh Shqipërinë, ta bindësh Kim Kardashian të vijë në takim në një motel në Kashar? Ti kësaj pyetje nuk di t’i përgjigjesh. Po të dije nuk do quheshe Ramë, por Doktor. Ja ku po ta them; Puna më e vështirë në botë është të qeverisësh shqiptarët.
-Leri këto dhe shih bëje mirë atë televizionin që e ke mbushur me ngordhsina me breçka dhe pa breçka që po na e paraqesin Shqipërinë si Las Vegas.
-Shqipërinë nuk po e bëjmë Las Vegas ne të Agon-it. Shqipërinë Las Vegas e gjetëm mes jush të tritolit, kanabisit dhe kallashnikovit.
-Fol më qartë.
-Mjeksia falas, ulja e taksave, ulja e papunësisë, zhdukja e korrupsionit, ti e di që këto janë përralla pa mbret. Le të jenë përralla. Jeta vetë është një përrallë. Problemi është se janë të njëjtat përralla. Përrallat duhen ndërruar. Shqiptarët mërziten po t’u tregosh gjithmonë të njëjtat përralla.
-A mund të ma shkoqisësh edhe pak?
-Po më habit me këtë moskuptim. Se vërtet unë di më mirë se ty kalabrezçen, por ti di më mirë se unë italishten. Pas 1 viti qeverisje, shqiptarët nuk janë aq budallenj sa të kërkojnë t’i kesh mbaruar të gjitha punët, t’i kesh mbajtur të gjitha premtimet, ama me të drejtë kërkojnë të dinë në cilin drejtim je duke ecur, çfarë fizionomie, çfarë fytyre ka kjo qeverisje. Përndryshe shqiptarët nuk e bëjnë dot dallimin, nuk e rrokin dot ndryshimin. Rrenat elektorale kanë çmim. Ti e di që 90% e ministrave, kryeministrave, mbretërve dhe perandorëve të botës janë mbi 70 vjeç. Atëherë pse vajte the për Doktorin gjatë fushatës gjyshi-gjyshi, ë? Tjetra, the gjatë fushatës se 20% e tokës punohet me plug, ndërkohë që në Shqipëri, sot nuk gjen dot një plug për be’. Nuk po them që bëre gabim që i përdore këto rrena. Po them që këto rrena të vjetra duhen zëvendësuar me të reja, përndryshe së afërmi do ta kesh pisk.
-Nuk më jep dot leksione për këto gjëra ti që nuk qeveris dot një emision mëngjezor në televizion. Turp të kesh. E ke lënë me dy meshkuj. Është estetikisht e papranueshme. Emisionet televizive, mëngjezore apo nokturne qofshin, nuk bëhen kurrë me dy meshkuj ose dy femra, sado gjenialë të jenë ata dhe sado kinge të jenë ato, por gjithmonë me një mashkull dhe një femër, edhe sikur ai të jetë idiot, dhe ajo ta ketë surratin prej balte fshatrash internimi.
I pezmatuar nga kjo akuzë kaq e rëndë, Krasta nuk u përmbajt.
-Unë e di që televizioni im është plot me shqiptarë të çmendur, që përmes të bërtiturave duan të hiqen për italianë të qytetëruar, dhe italianë të përmbajtur që shkojnë me shpresën se një ditë do të bëhen shqiptarë të shkathët. Por ti mos u hidh degë më degë nëpër emisione me apo pa femra dhe meshkuj, merru me punët e tua. Më qartëso, për shembull, një gjë sa delikate dhe urgjente; Një numër të përndjekurish do të vdesin nga kanceri pa e marrë këstin. Sepse e kanë më të afërt datën e vdekjes nga kanceri se datën e marrjes së këstit. A s’më thua, si ke ndërmend ta zgjidhësh këtë çështje ti? Do t’i lësh të vdesin nga kanceri pa marrë këstin, apo do tua japësh këstin para se të vdesin nga kanceri duke shkelur Ligjin? Pranoje se nuk mësove sa duhet nga përvojat e Doktorit lidhur me vështirësitë e qeverisjes. Nuk po të them, si të thotë Doktori, që je duke qeverisur me qelbësirat. Je duke qeverisur me simotrat e qelbësirave, me plehrat.
-U çmë bëre të qesh o Krasta. Po a nuk është televizioni yt një televizion plehrash ?
-Kjo dihet. Ne nuk e fshehim që punojmë dhe fitojmë me plehrat, për plehrat dhe nga plehrat. Plehrat janë biznesi ynë. Nuk është gabim të bësh televizion me plehra. Gabim dhe krim është të qeverisësh me plehra.
-Nuk the ndonjë gjë të re. Dihet se “çdo popull ka mbi krye plehrat që meriton”.
Krastës iu errën sytë. Dyshoi se Rama atë “krye plehrat” ja dedikoi atij si “kryeplehër”, dhe krejt i zbehtë tha:
-Një politikë si e jotja nuk mund të prodhojë një media më të mirë se e imja.
Rama flak për flak.
-Një media si e jotja, me plehra pa plehra, me breçka pa breçka, nuk mund të jetë veçse një media plehër.
Ndërhyri Tedi.
-E tepruat me këtë zënkë. Mos ma prishni atmosferën festive të datëlindjes. Mjaft!
Me të dëgjuar fjalën “Mjaft”, u afrua Erion Veliaj që i tha Tedit.
-Ke të drejtë Ted. Për më tepër që ti punën tënde e bëre si duhet, muzikën e luajte mirë.
Rama,
-Tedi është i talentuar. Muzikën e ke luajtur mirë që kur është arratisur.
Krasta,
-Ka lidhje arratisja me talentin?
Rama,
-Ka si s’ka. Nuk dihet nëse po të arratisesh je i talentuar, apo po të jesh i talentuar arratisesh. Ky sekret nuk është zbuluar deri më tani. Por lidhje ka. Noli, Konica, Kadareja, e shumë të tjerë të talentuar, të gjithë të arratisur e syrgjynosur janë.
Brenda kësaj zënke u këmbyen edhe kunja të tjera. Për shembull dikush nga të ftuarit duke iu drejtuar Ramës si i politikës, Krastës si i medias, dhe Tedit si i Artit, shtroi pyetjen; Si është e mundur që në NATO na pranuan fill pas Gërdecit, dhe në Europë fill pas Lazaratit, që janë meshkuj, dhe jo, ta zemë, pas Lezhës së përmbytjes dhe pas Divjakës së rrotës që janë femra? Asnjë s’pipëtiu.
Pra, edhe pse thika dhe piruna pati, zënka u bë vetëm me parole.

alb365.com/Edison Ypi

Add a Comment

Twitter
@ALB365 on Twitter
Latest Tweet:
0 people follow @ALB365

Këtë e pëlqejnë %d blogues:
Read more:
Shkëputet masivi shkëmbor, vdesin 2 minatorë.

   Mat - Tjetër tragjedi në minierat...

Close