Janë mësuar detaje të reja nga operacioni i SPAK që çoi në nxjerrjen e 11 urdhër-arresteve mes të cilëve edhe ish-drejtorin e Policisë së Tiranës, Erzen Breçani dhe djalin e tij, Eralbi Breçanin. Ish-zyrtari i policisë që pas largimit nga radhët e uniformave blu ka drejtuar një biznes privat security dhe djali i tij akuzohen për përkrahje të autorit të krimit në një ngjarje kriminale dhe pastrim parash.
Sipas të njëjtave burime gjithçka është zbuluar nga zbërthimit i telefonave të enkriptuar “Sky ECC”. Ata kanë pasur lidhje me Ervin Matën një emër të njohur për drejtësinë i cili është shpallur në kërkim.
Raportohet se Breçani dhe Mata kanë edhe lidhje krushqie me njëri-tjetrin pasi djali i Breçanit është i martuar me motrën e Ervin Matës. Mata u përfshi në një përplasje me armë në zonën e ish-Bllokut në 2018-ën me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha një nga shoqëruesit e këtij të fundit. Ai u qëllua nga ish-komandoja Merviol Bilo. Mata është prej vitesh në kërkim nga policia.
Lapsi.al mëson se mes të arrestuarve në kuadër të operacionit të gjerë të Prokurorisë së Posaçme është edhe një zyrtare e Policisë së Shtetit. Në pranga ka përfunduar Jonida Babameto, oficere e drejtorisë së kufirit dhe migracionit. Një tjetër polic i arrestuar është edhe Dedan Gjoni, shef i krimeve në komisariatin e Policisë numër 6.
Sipas asaj që raportohet ka edhe efektivë të tjerë të arrestuar në këtë operacion. Ndaj tyre rëndojnë akuza për pastrim parash, grup i strukturuar kriminal, trafik droge, sigurim kushtesh për të kryer vrasje, shpërdorim detyre dhe përkrahje e autorit të krimit.