Instagram më në fund i lejon përdoruesit të shkarkojnë video Reels të postuara nga të tjerët për t’i ndarë ato në rrjete të tjera sociale. Rivali i tij, Tik Tok e ka këtë opsion prej vitesh dhe ka fituar popullaritet sepse njerëzit shohin në platforma të tjera video të shkurtra të shoqëruara me stampën e aplikacionit.
Adam Mosseri, kreu i Instagram u shpreh se përdoruesit në SHBA do mund të shkarkojnë videot Reels drejt e në galerinë e tyre të imazheve. Ata duhet të klikojnë ikonën e Share dhe më pas Download.
Mosseri specifikoi se ky veprim mund të kryhet vetëm për videot e postuara nga llogaritë publike. Këto të fundit janë në gjendje ta heqin opsionin e shkarkimit për videot e tyre nëse dëshirojnë.
Ndonëse nuk sqarohet nëse edhe në rastin e Instagram do të ketë një stampë që shoqëron videot, fotot e postuara nga Mosseri tregojnë se do të jetë e pranishme. Instagram ka lejuar përdoruesit që të shkarkojnë videot e tyre Reels nga kategoria Draft.
Në vitin 2021, platforma ndaloi promovimin e çdo videoje që kishte një stampë të Tik Tok ose aplikacioni tjetër./tvklan.al