Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së zyrtarit të SHBA se Rusia ka financuar këtë parti politike me 500 mijë dollarë në vitin 2017. Ish-kryedemokrati Basha shprehet se PD “nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus”.
Basha thotë se si u reagua pas qarkullimit në media të pretendimeve se PD ka marrë para ruse. PD i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave. Basha shtoi se PD bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja.
“Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus. Kur pretendime të tilla u qarkulluan në disa media, Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht drejtësisë hetimin e këtyre akuzave dhe bashkëpunoi plotësisht me drejtësinë e cila hodhi poshtë çdo pretendim për financime të huaja. Ne jemi krenarë për partneritetin e palëkundur me aleatin tonë strategjik, SHBA dhe të vendosur të ecim përpara në krah të aleatëve tanë euro-atlantikë për konsolidimin e vlerave perëndimore dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaron Lulzim Basha në Twitter.
Lajmi nga SHBA
Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014. Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, sipas një zyrtari të lartë amerikan.
Sipas zyrtarit që foli me median, ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit. Raporti ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”.
Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende ku janë futur para ruse.
“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane.