Monday, May 16, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËKUR MODELI JANË TË FORTËT DHE TALLAVAJA

KUR MODELI JANË TË FORTËT DHE TALLAVAJA

Nga Gjergj Meta – Ti je rritur me fjalë të tipit: “Hallall ia boftë Zoti atij!”, “Ai osht njish or ti”; “Osht i zoti nuk matesh dot me te se t’heq qafe”. Madje, kur i ke parë këta tipa që zbrisnin nga makinat e tyre luksoze, në lokalet e zonës, të blera në pak kohë, që sapo dilnin nga makina i fusnin një të shfryrë hundëve dhe një të pështyrë në tokë e përshëndesnin: “He or zjarm ça ke bo?”, ti “eksitoheshe” krejt dhe ëndërroje të ishe si ai.

Ndërkohë ty qysh të vogël nuk të ka thënë kush që numrat e matematikës janë hyjnorë dhe se shkenca është e bukur; sa e bukur është gjeometria dhe algjebra; se germat e shqipes janë të bukura e që Eposi i Kreshnikëve, poezitë e Fishtës e të Naimit, sonetat e Mjedës dhe përkthimet e Nolit janë një ushqim për shpirtin.

Nuk të ka thënë kush me ngulm se të lexosh Hygoin, Dostojevskin, Servantesin e Floberin, Shekspirin e Dikensin, njeh shpirtin krijues të kontinent krijues të kontinentit të vjetër. Po ashtu, nuk të kanë vënë në dorë kurrë një dialog të Platonit, një copëz nga etika e Nikomakut të Aristotelit, apo thjesht një faqe të Kantit, Hegelit, Nices a ku ta di unë. Madje, edhe emrat e tyre mund të duken të çuditshëm.

Ti je rritur me tallavanë dhe me reperat dylekësh dhe as të ka shkuar ndërmend se ka një Bach, një Mozart, një Bethoven e kështu me radhë. Sa shumë do të kishte ndryshuar jeta jote po të kishe njohur në vend të të fortëve të Laçit, Tropojës, Tepelenës, Vlorës, Fierit, Durrësit, së paku një nga këto emra që të thashë më sipër.

Më beso se jeta jote do të kishte qenë krejt ndryshe. Ti këto nuk i pate e as prindërit tuaj nuk i patën, duke qenë se në këto vite ata më shumë mundoheshin se si të siguronin bukën për ty dhe vëllezërit e motrat e tu.

Ata të lanë punën, por ti nuk e doje as punën, sepse e pe që yt atë dhe nëna jote me punë, çdo ditë në arat e tyre, nuk arrinin të siguronin as bukën e gojës.

Ti e vure re se prindërit tuaj në këto vite, megjithëse punuan çdo ditë tokën, ruajtën lopët, apo punuan roje në ndonjë biznes privat, në fund nuk patën lekët e mjaftueshme kur gjyshja u sëmur rëndë, apo ku mami pati një tumor në gjoks. Ti e pe se ata që mbaruan shkollën nga fshati apo lagjja jote filluan punë në një “call center” dhe i rrofshin klasikët e letërsisë, shkencat ekzakte etj.

***

Ndërkohë që ti shihje para teje parakalime “tangarllëku” nga moshatarët e tu, apo edhe pak më të mëdhenj me Kabriolet, Cayenne e pastaj edhe më banale si X6 apo Ferrari. E tani më vjen ndërmend kur ti fëmijë vije te Kisha bashkë me fëmijët e tjerë e luaje me ta, luteshe me ta, gëzoheshe bashkë me të gjithë moshatarët e tu. Por, çfarë ndodhi? Pse tani je aty pas hekurave, apo në vetminë e një are të mbjellë me lëndë narkotike të jashtëligjshme, apo brenda një magazine ku pastron kanabis? Pse? Ja ku po ta them se sot je thjesht një ushtar, një ushtar i vogël i papërfillshëm, i cili ka humbur lirinë e vet dhe rininë e vet.

Të kanë premtuar “të fortët” se po të bëje këtë punë fiton shumë, në pak kohë dhe je i sigurt, sepse “policia na mbron”. Jo i dashur, nuk ka një polici që mbron të keqen. Policia nuk mbron krimin, ajo herët a vonë do ta luftojë atë. Edhe policët janë prindër të disa të rinjve të moshës tënde dhe thjesht duan të marrin rrogën e tyre. Ka kriminelë në radhët e saj, mund të ketë drejtues të korruptuar, por jo policia.

Do të vijë momenti që një ditë do të hyjnë në magazinën ku je ti, me kapuça, të armatosur deri në dhëmbë, e do të bërtasin: “Ndal, duart lart!,” do të kapin e do të shtrijnë përtokë duke të vënë një tytë të ftohtë pistolete në kokë e do të vënë prangat.

Dhe ti si ushtar që je do të dënohesh, por “shefat” e tu jo. Ata do të vazhdojnë duke rekrutuar të tjerë të rinj si ti, duke filluar nga e para me premtimet e tyre e do t’i shohësh atje te ti në burg. E megjithatë të shkoi mirë që je në burg se mund të ishe edhe një kufomë më shumë dhe anonime në parcelat e kanabisit.

Por, unë do të vij edhe atje të takoj në burg, jo për të thënë se je djalë i keq, por për të thënë se me gjithë të gjitha, nëse ti do, në fund të tunelit ka gjithmonë dritë dhe se mund t’ia dalësh, por për këtë duhet të dalësh nga terri ku je futur, duhet të dalësh mbi vetveten. Për këtë duhet të kesh guxim e unë jam këtu për të t’inkurajuar që të ikësh nga parcelat apo magazinat e kanabisit e të nisësh një jetë të re.

RELATED ARTICLES

Leave a Reply

- Advertisment -

MË TË LEXUARA

LINI KOMENTIN TUAJ

%d bloggers like this: