Monday, June 27, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKULTURËLUMTURIA, HAJDUTËRIA, VARFËRIA…

LUMTURIA, HAJDUTËRIA, VARFËRIA…

Rrëfenjë satirike: Thoma  Goga

      Dikur diku frymonte një fshat. Shtëpizat i kishte të vogla fare. Kishte xhami, kishë dhe varre. Jetonin fshatarët me hallet e tyre dhe ndiheshin të lumtur. Punonin tokat e tyre, hanin nga prodhimet e tyre. Bënin dasma e gëzime. Po një ditë doli dikush, që hiqej si “i mençuri” i fshatit dhe i ftoi në kuvend te lëmi. 
– Do të bëhemi dhe ne si bota, -tha.- Na ka dalë nami se jemi “humbameno”. Po kjo s’është e vërtetë. Ja ku jemi ne “djalëria” që do i vëmë shpatullat halleve tuaja. Prandaj që të ndihet zëri dhe emri i fshatit tonë, mendoj të zgjedhim një si biçim “parie”.


       Kaq tha “i mençuri” dhe si marifetçi, në krye të parisë zgjodhi veten e tij. Që atë ditë në fshat filluan gërr-vërret. Nuk ishte më ajo harmoni mes fshatarëve. Kryetari i parisë me këto merrej. Nuk bënte punë tjetër. Rreth tij mblidheshin ca dembela, ca thashethemexhinj të thekur nga soji i tij. Fshati ua ngjiti nofkën “lakenjtë” e kryetarit. 


      Megjithë mundimin, fshatarët nuk jetonin si më parë. Po vinin kohë të vështira. Ditën punonin, natën ruanin prodhimet nga hajdutët. Nuk dëgjohej më “valsi i lumturisë”, po kënga e urisë. Më pas dhe ajo e mjerimit. Kryetari i parisë dhe lakenjtë, kërcenin “vallen e ngjalës”. Edhe pse nuk bënin asnjë punë, jetonin më mirë. Zaptuan toka e bënë vila. Fshatarët e kuptuan sektretin e varfërisë. Kështu lindi “zanati” i hajdutërisë.


     Në fillim paria vidhte popullin si me marifet. Dikush u bë taksidar, dikush xhandar, dikush llogaritar. Të gjithë “lakenjtë” e kryetarit. Hajdutëria mori dhen’. Mirëpo kjo “kolerë” përhapet shpejt. Sheh rrushi-rrushin e mbushet kuleta…Pastaj paria shkroi ca rregulla. Fjala vjen, u pritej dora atyre që vinin dorë në pasurinë e popullit. Po edhe ky “ilaç”, nuk bëri efekt. Ata që vidhnin u zgjateshin duart edhe më shumë. Pastaj filloi faza tjetër; duke vjedhur njëri-tjetrin. Dikush vidhte rroba të përdorura dhe i shiste. Po një ditë u kthye duarboshë nga pazari.
– Ku i ke paratë?- pyeti e shoqja.
– Këtë herë i shita me “çmimin” që i kam blerë…
     E kuptoni vetë; ishte  çmimi i hajdutërisë.

Kishte dalë një “më specialist” që ja kishte vjedhur. U dogj dhe ky variant. Nga dita në ditë “kolera” e hajdutërisë përhapej me forma të tjera. Mikrobi arrin deri në gjak. E kur s’ke çfarë të vjedhësh, ja fut vetës. Kështu ndodhi me një tjetër fshatar qyqar. Atë ditë kishte dalë bosh. Teksa futej në shtëpi, “vodhi” kapelen e tij dhe e futi në trastë. Kështu e ka “mikrobi”.


      Po nga të gjithë, këtij zanati ja kanë parë hajrin kryetari i parisë dhe lakenjtë e tij. Ata vazhdojnë akoma variantin; vidh e mos lë gjurmë. Dalin nëpër konferenca e llomotisin se “është rritur mirëqënia, nga reformat duket se po bëjmë shtet. Nuk jemi më ai fshati i humbur. Tani na njohin të gjithë…”.
– Na njohin për hajdutërinë,- ngriti zërin dikush në një kuvend te lëmi i fshatit.
– Pusho, more zagar!- bërtiti një xhandar.


    E kështu fshatarët kanë rënë në hall. U ra fati i keq të jetojnë në këtë palo shtet, që tani duket si një xhungël. Tamam si në pyll. Kafshon rëndë Luani mbret, pickon  dhe i nëmuri plesht…Prandaj në ish-fshatin “e lumturisë” nuk pushon refreni varfërisë…   

(TH.G.)

RELATED ARTICLES

Leave a Reply

- Advertisment -

MË TË LEXUARA

LINI KOMENTIN TUAJ

%d bloggers like this: