Friday, September 30, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeKULTURË"DASËM” ME SPIUNA…

“DASËM” ME SPIUNA…

Fejton: Thoma Goga

Po e them që në fillim, se personazhet në këtë rrëfim duket se janë anonim. Po në fakt ata janë real, përderisa dalin me pseudonim. Rasti e solli që të bashkohen në një dasëm. “Listrën” e ka nxjerrë një dosjexhi i thekur për këto punë. Ndiqni rrëfimin:


…Burrë e grua, Fshatari dhe Vesa prej javësh kanë qënë në siklet për dasmën e djalit të tyre Xhuxhi. Në fakt ai është i gjatë, po puna “në shërbim të popullit” ia donte që të bëhej “Xhuxh”. Histori më vete se si ra në dashuri me Pjeshkën, të bijën e Bjeshkës, kur ishte “me shërbim”. Punë spiunash…


E nejse. Fshatari mori Stilografin dhe bashkë me të shoqen, Vesën, po bënin “listrën” e të ftuarëve.

  • I pari është Daja,- tha burri.
  • Ajo dihet,- ja kthen Vesa,- pa Dajën s’ka dasëm. Vazhdojmë…
  • Edhe Doktori po.
  • Ua, si do lëmë Doktorin! Harrove ti kur u sëmur Xhuxhi? Vetëm me një Penicilinë dhe djali u ngrit e këndonte si Gjeli. Vazhdojmë…
  • Do ta thërrasim Komshiun se e kemi ngjitur te gardhi.
  • Domosdo, duhet ta mbajmë mirë. Nuk thonë kot se edhe gardhi ka veshë… Vazhdojmë…
  • Kapitenin dhe Kapterin që kam patur Ushtar, si thua?
  • Uuu, mbrojtja e atdheut është detyrë mbi detyrat…Vazhdojmë.
  • Agronomin, Zooteknikun do ta thërrasim se na janë gjendur. Na shikojnë Lopën dhe Delen.
  • Shëno edhe Daktilografisten se e kam patur brigadiere. Vazhdojmë…

  • Dhe kështu, që thoni ju, me konsensus u hartua një “listër” e gjatë. Thirrën me telefon Çiklistin që t’i shpërndante, po në dritare kishte qënë Pëllumbi. Sa dëgjoi fjalën “Postier”, hyri dhe rrëmbeu “listrën”. Pastaj fluturoi sipas adresave. Për orkestrën u kujdesën Fyelli, Çiftelia, Defi dhe Kitara. Drejtimi i dasmës iu besua Dirigjentit, sipas skenarit që bëri Shkrimtari dhe Poeti. Kurse shpenzimet për ushqime u terezitën nga Magazinieri dhe Financieri. Çdo gjë po shkonte si Sahati.
    Dita e dasmës erdhi shpejt. Që në pikë të sabahut orkestra u ndez. Gërneta dhe Mandolla të këpusnin telat e zemrës. Defi sa nuk u gris. Miqtë e ftuar u futën në tëndën alla fshatarçe. Në tavolinat e gjata me dërrasa u ulën pa ndonjë radhë, apo protokoll. Po një gjë ra në sy. Plepi, Lisi dhe Bredhi ishin afër e afër, gati ngjitur. Edhe Trimi, Proletari e Vigjilenti gjithashtu. Mbase ishte rastësi…

  • Dasmën e hapi Fashatari, si zot shtëpie. Bëri vetëm një dolli. Kurse vallen e parë e mori Daja e pas tij u ngjit Valltarja. Këngë, valle e dolli për çiftin e ri. Në një tavolinë afër Dritares desh plasi sherri. Memeci, që kishte përballë Dallgën, i bënte një shenjë gati të turpshme. I tregonte gishtin e mesit të kthyer. Disenjatorja, që bënte sikur vizatonte diçka, kur pa skenën, i tha Urithit. Dallga nuk duroi dhe u ankua te Daja. Shkrepsja, si shoqe e ngushtë e saj, desh mori zjarr. Lëre, lëre ç’vajti! Situatën e qetësoi Kalaja:
  • O zonjë, po të pyet ç’lidhje ke me dhëndrrin, se ky “flet” me shënja. Është shurdh-memec…
    Pati dhe skena të tjera gazmore si ajo kur Llulla kërkoi të vallëzonte me Shkrepsen, po u rrëzua se i shkau këmba. Ose kur Sapuni shkoi të puthte Iriqin dhe mbeti nëpër “gjëmba”. Vetëm Snajperi nuk “ndërroi” objektivin. Dikë shikonte përballë, që ja kishte bërë mendjen dhallë…
    Ja kështu që thoni ju, dasëm si kjo s’kisha parë. Gjithë kasabaja u tund. Personazhet e këtij rrëfimi ngjajnë si personazhet e një filmi që nuk paska FUND… (TH.G.)
RELATED ARTICLES

Leave a Reply

- Advertisment -

MË TË LEXUARA

LAJMET E FUNDIT

%d bloggers like this: