Friday, September 30, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZË"GOZHDA" QË PO I NGULET TURIZMIT SHQIPTAR

“GOZHDA” QË PO I NGULET TURIZMIT SHQIPTAR

Nga Fatmir Gjoni – “Po habitemi përditë me çfarë po ndodh në këtë vend. Fatkeqësisht gjithkush ka një histori personale për të treguar këtë verë me turizmin shqiptar.
Po sjell edhe unë një të freskët të ndodhur jo më larg se dje. Nuk e sjell për t’u ankuar sesa për të reflektuar kushdo që ka diçka në dorë në këtë vend por edhe për ne si qytetar të tij.
Dje kisha planifikuar të bëja plazhin në bregdetin e Vlorës, me një mik që më kishte ardhur nga Italia. Dita rrodhi e tillë. 1000 lekë shezllon, pa faturë. E durova. Në lokalin kioskë një birrë kanaçe Heineken e vogël mu shërbye nga një fëmijë jo më shumë se 12 vjeç. Sërish pa faturë dhe me një çmim prej 400 lekë copa ose 3.5€. I durova edhe këto tre padrejtësi njëherësh. Erdhi vakti i drekës dhe vendosëm bashkë me mikun tim të shkonim në një restorant peshku me emër dhe i vjetër në zonë. Marrim makinën dhe shkojmë. E gjjthë rruga nacionale në të dy krahët ishte e mbushur me makina pushuesish. Tek lokali nuk kishte vende dhe ecën edhe nja 40 metra më tutje nëpër rrugën nacionale në drjetimin për Orikum. Qëllova me fat sepse në atë moment një makinë me targa kosove lëvizi nga ku ishte parkuar dhe e futa unë direkt. Pasi e kisha mbyllur makinen e po shkoja për nga lokali dëgjoj dikë që po thirrte nga pas. Kthej kokën pas, ndalem dhe e kuptova që po më thërriste mua. Më kërkoi se ku do shkoja. U habita. Nuk e dija se me çfarë tagri del dikush në rrugë pa të njohur e pa ditur të të pyes se ku shkon. Mu kujtua vetem pyetjet e policisë në kufij që të pyesin se ku shkon. Gjithësesi ju përgjigja që po shkoja tek restoranti për drekë. Pa marr frymë akoma më urdhëroi të heq makinën e ta parkoja andej nga do shkoja. U habita dyfish. Mirë që më kërkoi llogari nga do shkoja por tani më tregonte edhe nga të shkoja. Makina ishte e parkuar në rrugë nacionale. Biles 2 gomat preknin asfaltin. E informova që aty ishte rrugë nacionale. Që nuk kishte asnjë tabelë askund që tregonte parking privat e as ku ndaheshin këta që ndanin rrugën nacionale. Më pasoi një urdhër i dytë ku më tha se nuk ka nevojë për tabelë përderisa po të them unë ta lëvizësh. Ndërkohë i kishin ardhur në përkrahje djali diku 17 vjeçar e një tjetër i afërm i rritur.

  • Më fal i thashë por unë nuk mund të marr urdhëra nga kushdo që më del në rrugë se ku duhet të shkoj e çfarë të bëj me makinën time. Nëse unë kam cënuar pronën apo të drejtën tënde më mirë merr në telefon policinë. Sepse këtu është rrugë nacionale dhe unë jam po aq pronar sa ti në të. Do ha drekë e largohem për më pak se 2 orë.

  • Ika e u ula në restorant. Por me mendjen pas sepse e pashë që shikimet e tyre nuk ishin as mikëpritëse e as që mund t’u zije besë.
    Mbarova drekën dhe u ktheva tek makina.
    Para se ta nisja thashë ta kontrolloj makinën se mos m’i kanë bërë gjë, ndonjë gërvishje apo diçka tjetër nga ato marifetet e mendjeve të mbrapshta shqiptare. Dhe nuk gabova. Gomën e parë e kishin shfryrë nga ventili, dhe gomës së pasme i kishin ngulur gozhdë. Nuk e besova dot që në vitin 2022 të përballesh me të tilla situatash. Personat nuk ishin më aty. Dola e i kërkova vetë. Situatën e zgjidha vetë privatisht. Por më pas njoftova edhe policinë për tu treguar që të jenë në dijeni se në të gjithë vijën nacionale kanë dalë bandat e parkingjeve që zihen e përplasen me qytetarët dhe turistët.
    Unë e zgjidha privatisht se kam të bëj me zonën, por aty edhe mund të ishim vrarë. Mund të kishim dalë edhe në kronikën e zezë. Dikush që i ngul gozhdë makinës i vë edhe tritol ose nuk e ka problem të shkrepë edhe armën. Miku i italisë u habit. I thashë që jam përditë në përballje të tilla. Duhet t’i dalim përzot vetes sepse askush nuk na mbron. Ky vend udhëhiqet nga i pari tek i fundit me vetgjyqësi. Në mbi 400 mijë kilometra që kam bërë me makinë në vende të ndryshme të botës, në asnjë vend nuk më ka dalë kush të më thojë, ku shkon as të më kërkojë para e as të më thojë largo makinën sepse ashtu do ai.
    Nuk dua ta nxi Shqipërinë, por shija e eksperiencës së djeshme ishte e hidhur farmak. Në nivelin e të pabesueshmes. U binda që shumë frymorë në këtë vend janë çmendur. Njerëzit kanë humbur llogjikën. Nuk kemi as një javë që të tillë njerëzish vranë një fëmijë në det. Dhe vertetova që e gjithë vija bregdetare është e kriminalizuar dhe e rrezikshme. Dhe më e keqja, nga rreziqe që ti nuk di as nga të vijnë e as kur do të të përballesh me to. Persona që i kanë dalë zot rrugës nacionale që nga Velipoja deri në Ksamil. Policë që kalojnë përditë dhe që i shohin e nuk u thonë asgjë. Të gjithë e dinë, që nga pushteti vendor tek ai qëndror. Të gjjthë e dinë që u merren para turistëve për të parkuar në rrugë. Në Palasë të marrin para edhe për të parkuar në përrua. Kush e ka raportuar deri më sot që nëpër rrugët e Shqipërisë të kërkojnë lekë për të parkuar në anësore, nëpër ferra e nëpër përrenj?

  • Lindin pyetjet: A di gjë Ministria e Brendshme? Po Ministria e Turizmit a e di që turistit i kërkohet para me dhunë për të parkuar ose për t’i mbrojtur makinën?
    A i kanë specifikuar njësitë përkatëse hapësirën që ka të drejtë të përdorë, llojet e shërbimit që ka të drejtë të ofrojë dhe standardin që duhet të përmbushin ofruesit e shërbimeve në vijën bregdetare? Shumë prej tyre bashkë me shezllonet janë bërë pronarë rrugësh nacionale, malesh, kodrash e lumenjesh, apo gjithçkaje u zē syri duke shtuar të ardhura nga parkingjet-shpikje.

  • Plus, a i kanë kontrolluar ministritë përkatëse personat të cilëve u kanë dhënë lejet për shezllone, baret verore, etj, etj, që operojnë në vijën bregdetare? Shumë prej tyre më qëllojnë me historik kriminal. Ca i di edhe unë që nuk punoj në shtet. E çfarë kanë menduar këto ministri a përfaqësues vendorë që do bëjë një kriminel me turistin që vjen në bregdet? Do shkojë krimineli e ti thojë “më fal” apo “të lutem” turistit apo do i nxjerrë thikën, pistoletën, do i shpojë gomën ose do rrihet me klientin?
    Nësë vija bregdetare u besohet vetëm kriminelëve atëherë vetëm dhunë edhe luftë do jetë turizmi ynë. Por jo e gjithë Vlora dhe Shqipëria janë kriminela. Ka një çift, për shembull, pa shkuar tek hotel Paradise në Vlorë që nuk kam dëgjuar një herë të zihen me pushuesit. Shezllonin edhe sivjet e ka mbajtur me 500 lekë. Nuk ka kurrë muzikë. Edhe çmimet e pijeve dhe gjithçkaje tjetër i ka të arsyeshme. Edhe gjithmonë me faturë fiskale. Besoje apo jo po shteti ua ka prishur mbi 5 herë atë pak ambjent të qetë e të ngrohtë që kanë krijuar. Në krahun tjetër nuk ua kanë prekur dot kurrë horrave dhe kriminelevë në këtë zonë që vetëm zaptojnë hapësira publike ku mundin. E solla për të thënë që vetë shteti i inkurajon lulëzimin e të mbrapshtëve të këtij vendi.

  • Dje, ata persona nuk ia ngulën atë gozhdë gomës së makinës time, por mua. E ngulën në zemër për të më hequr edhe aq pak gjak e ndjenjë për këtë vend. Ja kanë ngulur atë gozhdë turizmit shqiptar. Ja kanë ngulur e po ua ngulin përditë edhe atyre pak njerëzve të mirë që kanë ngelur në këtë vend. Ja kanë ngulur të ardhmes së këtij vendi.
    Një lutje kam: Bashkëatdhetarë, THIRRINI MENDJES!

FOLA, SEPSE ASKUSH NUK FLET!

Le të ndryshojmë realitetin shqiptar duke ju kundërvënë problemeve, sjelljeve dhe fenomeneve negative. Një qytetar i përkushtuar dhe me vlera mund ta ndryshojë Shqipërinë. #perfshihem #përfshihem
✔️Shpërndaje e jepi zë . Përfshihu!
✔️Përfshihu duke sjelle problematikat e tua.
✔️Përfshihu duke dhënë zgjidhjen tënde.
✔️Përfshihu!

*shënim: në shpërdarje ju lutem respektoni të drejtën e autorit. Ju faleminderit!

RELATED ARTICLES

Leave a Reply

- Advertisment -

MË TË LEXUARA

LAJMET E FUNDIT

%d bloggers like this: