Saturday, December 3, 2022
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËTroja Shqiptare- Vaterlo e malazezëve!

Troja Shqiptare- Vaterlo e malazezëve!

Nga Azgan Haklaj – Oso Kuka flakadan i përjetshëm i lirisë!

Kullat që shenuan historinë e Kombit Shqiptar!

Lahuta e Malësisë, këngët e para të së cilës u botuan në vitin 1907, është cilësuar nga studiuesit shqipëtar dhe të huaj, si Iliada Shqipëtare.
Ajo e vëndos krijuesin e saj, Gjergj Fishten në Panteonin e kulturës, letërsisë dhe të patriotizmit Shqipëtar.
Besoj se ashtu si mua edhe mijra të tjerëve që e kanë lexuar me vëmendjen që meriton këtë kryevepër të letërsisë shqipe, ju ka lindur natyrshëm pyetja:
Përse Oso Kuka është përsonazhi qendrorë i Lahutës së Malësisë?
Poeti i madh i ka kushtuar jo vetëm një kapitull apo ( këngë) të veçantë këtij trimi legjendar, po për më tepër me përshkrimin mjeshtëror të portretit të tij i ka dhanë Oso Kukës tipologjinë e genit të Racës Iliro -Arbërore.
Fishta ka shkuar më tej duke i veshur heroit tipare të pavdeksisë si Homeri Akilit tek Iliada.
” Thonë i ka një palë musteqe
Kaçurel e leqe, leqe
Që me i mrri der në fletë të sylahit
Të gjatë e të trashë si llana e krahut”.
Apo më poshtë:
” Edhe plumi thonë si ngulet
Në ta tagani dhe përkulet
Top me i ra shpirti si shkulet”.
Nëse lahuta evokon me të drejtë historinë e lashtë të Atdheut, Qyterimin e lashtë Pellazgo-Ilir, Aleksandrin e Madh,Teutën,Pirron e Gjergj Kastriotin( Skënderbeun), ngjarjet historike të shkuarës së largët i kalon përciptazi, me një veshtrim empirik dhe i vën ato mjeshtërisht në sherbim të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare, Epopenë e Oso Kukës dhe të betejave me malazezët i ka në epiqendër të poemës.
Oso Kuka lindi në vitin 1820.
Ai doli në skenën historike shqiptare në vitet 50-60 te shekullit te XlX-të në kohën më kritike të Kombit Shqiptar.
Në vitin 1830-të osmanët prenë në besë dhe vranë në Manastir 500 burra të Toskërisë.
Viti 1831 shënoi rënien e pashalleqeve shqiptare, atij të Janinës dhe të Bushatllinjëve.
Bashkë me renien e tyre u shua dhe ëndrra për krijimin e një fronti të përbashkët në Gadishullin Iliria “Ballkanik” kundër Turqisë.
Në vitin 1832 Turqia filloi reformat e Tanzimatit.
Kudo në terë hapsirën shqiptare shpërthyen kryengritjet lokale,të cilat u kthyen ne lëvizje kombëtare.
Veçojmë kryengritjen e Beratit në vitin 1834 ,të Shkodrës në vitin 1835,Myzeqesë në vitin 1835, Dibrës në vitin 1844, Dardanisë “Kosovës” në vitin 1845 .
Kryengritjet më tē medha ishin ajo e Malësisë së Gjakovës e udhëhequr nga Binak Alija dhe Sokol Rama ,në qershor të vitit 1845, në Shqipërinë jugore të udhëhequra nga Rrapo Hekali, Zenel Gjoleka, Tafil Buzi, Hodo Aliu në vitin 1847 dhe në Shkup në të njëjtat vite e udhëhequr nga Dervish Cara.
Edhe keto kryengritje shqipëtare u shtypën me ekspedita ushtarake dhe se Porta e Lartë me organizimin e ri bëri ndarjen e shqiptarëve në katër vilajete, për t’i mbajtur më kollaj nën sundim.
E shkatërruar, e tronditur deri në themel nga luftërat për liri e çlirim kombëtar nga Turqia Shqipërisë i kanosej dhe një rrezik i ri.
Rusia Cariste tashmë me statusin e një fuqie të madhe ushtarake dhe politike, ndjehej e plotëfuqishme për të ngopur oreksin e Serbisë e të Malit të Zi për të zgjeruar kufijtë e territoreve të tyre në kurriz të shqiptarëve
Ilia Garashanini, ministri i jashtëm i Serbisë kishte shpallur “Naçertanijan” ( Serbinë e madhe).
Koleti, kryeministri i Greqisë kishte shpallur Megalidhenë( Greqinë e madhe)
Knjaz Nikolla i inkurajuar nga planet e Moskës dhe premtimi i Carit për mbështetje me armatim, para e mjete logjistike thërret në Çetinjë kriminelin me damkë Vulo Serdarin e Vasoviçit dhe e urdhëron të djegë, plaçkitë e të shkretojë viset shqipëtare në veri të Shkodrës.
Ekspeditat ndeshkimore malazeze e kishin kthyer Vraninën e rrethinat e saj në tokë të djegur.
Qindra burra ishin vrarë dhe barbarisë së malazezëve nuk u shpetuan as femijët e djepit.
Nga presioni i madh i popullit dhe duke qenë krejtësisht i paaftë për tē mbrojtur kufirin me Malin e Zi, guvernatori i Shkodrës Avdi Pasha organizoj mbledhjen e autoriteteve, të parisë sē qytetit dhe të popullit dhe u mundua me dredhi ti vinte fajin shqiptarëve duke i quajtur frigacakë e të pafe, për të mbrojtur vendin e tyre.
S’ka më burra këtu, ju keni mbetur në vajza ju drejtohet pashai turk me ligësi e fodullek të pranishmëve.
Trimi Oso Kuka i cenuar në gjënë më të shtrenjtë, në nderin dhe dinjitetin kombëtar ngrihet në këmbë si Ante, vën dorën mbi dy koburet e lara me argjend që mbante në brez dhe i drejtohet pashait osman:
” Avdi Pasha ma kadalë
Mos e thuaj dy herë atë fjalë
Se për dinë e për imanë
T’baj si t’kjan e zeza nanë
T’baj si t’kjan pa exhel ty nana
Se n’Shqipni ka djem si zana
K’ta më t’parët janë në fushë të mejdanit
K’ta më t’rreptit janë ballë dushmanit
Janë çelik për teh të taganit”.
Oso Kuka me një grusht djem të zgjedhur dhe tē sprovuar në beteja me turqit dhe malazezët mori përsipër të mbronte Kullën-fortesë të Vraninës dhe viset që sulmoheshin nga Vulo Serdari e banditët e tij.
Së bashku me luftëtarët e tij e kthen situatën brenda pak ditëve në disfavor të pushtuesit.
Ai kapi dhe asgjesoi dhjetra cuba plaçkitës duke i rikthyer popullit qetësinë dhe shpresën për të jetuar të lirë në trojet e tyre
Demarshet diplomatike të Knjaz Nikollës në kancelaritë evropiane me qëllimin final për të aneksuar Shkodrën dhe rrethinat e saj ishin kthyer në një rutinë, por gjendja në terren ishte krejt tjetër.
Oso Kuka e kishte kthyer kufirin në barrikadë të pakapërcyeshme.
Kur Mbreti Malazez po i mburrej për zotësitë e tij Mbretëreshës Milena, ajo duke e njohur mirë realitetin e ri guxon e ja përplasë në fytyrë me fjalët që kënga popullore i ka gdhendur mjeshtërisht.
” Nuk e njeh ti Oso Kukën
Që me gjak ai ta lan trupin
Hajt nji herë ka Podgorica
Me çelik tu ka nxanë Granica”.
I alarmuar së tepërmi nga disfata në Vraninē dhe nga frika e kordinimit në një komandë të vetme të kryengritjeve qe kishin filluar të shperthenin në të gjitha trojet Iliro-Dardano-Arbërore Knjaz Nikolla dha urdhër të sulmohej në befasi dhe të pushtohej me çdo kusht Vranina, si një pikë strategjike nga duhej të pushtohej dhe Kryeqyteti i Ilirisë Shkodra.
Ashtu si Leonidhës përballë hordhive perse të Kserksit Oso Kukës dhe çetës së tij ju desh të luftonin një me 300.
Në natën e asaj Beteje Homerike Oso Kuka ngrihet shpejt nga sofra e bukës
“Po ça ka ai Oso Kuka
Atij sonte s’po i hahet buka
Nuk han bukë veç sa me thanë
I lan durt e rrin njan t’anë”
Mbështetet në krah të oxhakut, e duke thithur llullën mendueshëm i kujtohet një ëndërr e frikshme që kishte parë një natë më parë.
Shife shpatullën e na trego çfarë thotë se kam pa një ëndërr të keqe i drejtohet Soko Tonës.
Kur mësoj se në shpatull paralajmërohej një betejë e përgjakshme dhe me shumë të vrarë, Oso Kuka urdhëroj lahutarin t’ja merrte kangës.
Kanë mbetur të gdhendura me shkronja të arta në Lahutën e Malësisë fjalët e luanit të Vraninës
“Çou Kaçel kape lahutën
Se prej luftës shqiptarët nuk tuten
Me na kndue një kangë shqiptare
Se s’mbajm zi për pa dal fare”.
Oso Kuka duke e njohur mirë pabesinë e malazezëve dërgon roje katër luftëtarë trima,
Met Zenelin, Vuksan Gjelin, Karrni Gilen dhe Sinanin.
Luftëtarët e Osos pastrojnë pushkët, mprehin shpatat dhe shtrihen për të marrë një sy gjumë si e kanë zakon ushtarët e regjur në beteja.
Në terrin e natës 3000 forca elitare të ushtrisë malazeze të prirë nga Mirko Gjura , ish mik i Osos dhe banor i Vrakës i afrohen në fshehtësi Vraninës.
Rojet shqiptare pasi vrasin tradhëtarin fillojnë betejën e pabarabartë me pararojën malazeze.
Lahuta na sjell mrekullisht madhështinë e kësaj beteje heroike.
“Ah qendro o Met Zeneli
Ban gajret o Vuksan Gjeli
Mos e lesho mori Zagore
Ngul Sinan bre re mizore
Se me gjasë ke dridhet Suka
Asht tuj ardh bash Oso Kuka.
Dragojt’ shqiptarë të prirë nga Oso Kuka dolën si shqiponjat nga çerdhja e tyre dhe fluturuan drejt në logun e zanave, siç e quan Fishta mejdanin e trimave.
“Aman Zot kur Osja mbrrini
Si re breshni kresë njaj vrrini
Me tridhjetë e disa burra
E zateti nëpër curra
Aty qiell ma nuk u pa
Aty pushkë ma nuk u da
Kriste ltina e dumdunja
Porsi breshni vinte plumja”.
Kush e ka pa Vaterlonë dhe i njeh permasat e kesaj kasaphanje përmes vargjeve të Hygoit:
” Vaterlo, Vaterlo, Vaterlo fushëvarr, është në gjendje të imagjinojë guximin e trimërinë lëgjendare të Oso Kukës dhe çetës së tij, të cilët luftuan si luanë për 10 orë kundër ushtrisë malazeze derisa kryetrimi i tyre e kthen kullën e Vraninës në një varr masiv për ushtrinë e Knjazit.
Perlat e Vraninës u kthyen në ferr për agresorët .
Kur e pa se ndihma ushtarake nga Shkodra nuk po i vinte dhe i kishin mbetur gjallë vetëm 7-8 luftëtarë të plagosur, Oso Kuka si luani i plagosur dhe i egërsuar u mbyll në Kullën e Barotit.
Dhjetra luftëtarë malazezë hipen në çatinë e Kullës që nuk jepej.
Ndërkaq 800 forca të tjera e kishin futur atë në një rreth të hekurt.
Kryetrimi Oso Kuka merr me të shpejtë vendimin që e bëri të pavdekshëm në histori.
” Ndigjo Nikollë të vraftë Zoti
Se ktu i thonë Oso Baroti
Se S’ke pa shqiptar me sy
Se djeg veten edhe ty….”.
Ai u vuni flakën fuqive të barotit për ta kthyer Kullën e Vraninës, këtë çerdhe shqiponjash nē varr masiv për armikun.
Kulla e Vraninës u hodh në erë bashkë me rrethuesit dhe mbrojtësit.
Oso Kuka vendosi të vetëflijohej dhe me shkrumbin e vet dhe të luftëtarëve të tij të digjte armikun.
Qindra malazezë u dogjën në flakët e barotit ndërsa dhjetra të tjerë ishin vrarë në orët e kësaj lufte të përgjakshme.
Kështu përfundoj kjo betejë pa të dytë në histori, në qershor të vitit 1862.
Oso Kuka bëri atë që nuk e bëri dot Pashai i Janinës, Ali Pasha që përfundoj me krye të prerë në tepsi, për tu derguar në Stamboll tek sulltani.
Ai e ktheu Vraninën në Trojën Shqiptare.
Kulla e Oso Kukës në Vraninë ra,por u ngritën shqiptarët.
U ngritën zërat për heroizmat dhe kërkesat e tyre.
Kjo kullë u bë simbol qëndrese në mbarë trojet etnike.
Dhjetra djelmosha shkodranë u vranë në moshën më të bukur të tyre, por e shpaguan vehten duke vrarë qindra armiq që u dogjën e u përveluan ne flakët e barotit.
Trimëria e kthyer në legjendë e Oso Kukës dhe akti i tij sublim i kanë dhanë kurajo e besim të patundur në të katër anët brezave pas trimit të Vraninës, në ëndrat e tyre për çlirimin e trojeve etnike dhe bashkimin e tyre në një shtet.
Emri dhe fama e Oso Kukës dhe e çetës së tij trime u përhap me shpejtësi si rrufeja nga Shkodra në Janinë e Kosovë,në Manastir e Shkup.
Çdo kullë shqiptare u kthye në kështjellë qëndrese për liri.
Ja si e përshkruan kënga epike djaloshin trim të Kosovës Zhuj Selmanin që qendroj 10-të vjet në kullat e Sherametit dhe kreu te njëjtin akt sublim në mbrojtje të kauzës shqiptare në vitin 1875.
“Flakë të kuqe e tym të zi
Në ato kulla kush ka hi
Zhujë Selmani me Kapakli.
Kah del Dielli e preron Hana
Zhujë Selman nuk ban ma nana”.
Beteja tek kulla e Abdullah Pashëdrenit në Gjakovë eshtë aksioni i parë i Lidhjes Shqipëtare të Prizerenit për mbrojtjen e trojeve shqipëtare nga coptimi nga vendimet e Kongresit të Berlinit në vitin 1878.
Pas luftimeve të ashpra malësorët dogjën kullën dhe vranë Maxharr Pashën të dërguarin e fuqive të mëdha.
U vra edhe Abdullah Pashëdreni, i cili e mori në mbrojtje Maxharrin.
Mbeti në betejë edhe Col Delia.
Beteja zgjati tre ditë 3-6 shtator 1878.
“Flakë e kuqe u dhez Gjakova
Për dritare zgjatet dora
Amanet trima shqiptarë
Një kovë ujë me e nderrue me arë
Col Delia i Geghysenit
Pushka e parë e Lidhjes së Prizerenit
Tuj vikatë tuj shkue si n’dasëm
Një vend te keq e ka gjetë pashën”.
Aktin e Oso Kukës e përsëriti Mic Sokoli në betejën e Shtimes, me dt 21 prill të vitit 1881 ,ku përfundimisht u thye Lidhja Shqiptare e Prizerenit.
Populli e ka kthyer në kengë aktin heroik te trimave shqiptarë.
“N’fushë t’Kosovës u lidh jezeri
Haj medet ka mbetë shumë njeri
Mic Sokoli e Zmajl Hyseni”.
Kulla e Vraninës ka simotër të historisë, sarajet e Ali Pashë Gucisë, të srategit të mbrojtjestë Plavë -Gucisë dhe një nga figurat kryesore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Kulla e Vraninës ka simotër sarajet e Haxhi Zekë Biberit,kryetarit të Lidhjes Kombëtare të Pejës
” Me Besa -Besë”.
Kulla e Vraninës ka simotër kullat e Binak Alisë e Mic Sokolit , Ali Ibres, kullat e Boletinëve, Dede Gjo’ Lulit, Idriz Seferit, kullën e Elez Isufit, kullat e Zogollëve.
Azem Bejtës , Ahmet Delisë, Sadik Ramës, Çun Mulës, Shaban Polluzhës ,Prek Calit ,kullat e Tahir Mehës, kullat e Jasharajve, kullat e Haradinajve e Jabllanicës, të cilat u kthyen në kala qëndrese dhe flakadanë te pashuar të betejave për lirinë e Atdheut gjatë historisë tonë.
Kulla e Vraninës ka si motëra Kullat e Junikut.
Ajo u ba burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë.
Nuk ka poet më të madh se popullin.
Askush me bukur se ai nuk përshkruan trimërinë e bijëve të vet.
“Mua po më thonë Brahim Sadiki
I kam kullat midis Juniki
Ku t’qëlloj pushkën e nisi
Vet po jes pashën koriti”
Me dt 21-25 maj të vitit 1912 u mblodh Kuvendi i Junikut me 250 delegatë nga të gjitha trojet etnike shqipëtare.
Truri i levizjes Kombëtare Hasan Prishtina lëshoi proklomaten shpetim a vdekje.
Ky Kuvend hartoi platformën për kryengritjen e përgjithshme dhe shpalljen e pavarsisë.
Kryengritësit të udhëhequr nga korifeu Hasan Prishtina, Robinhudi Shqipëtar Isa Boletini, tribuni popullor Bajram Curri ,në gusht çliruan Shkupin dhe në tetor thirrën Kuvendin e Shkupit.
Hasan Prishtina kërkoj bashkimin e katër Vilajeteve në një shtet të vetëm me kryeqytet Shkupin.
Kjo kryengritje çoi në Nentorin e Dytë.
Plaku i Vlorës Ismail Qemali shpalli pavarsinë, pikërisht me dt 28 Nentorë ditën kur Gjergj Kastrioti( Skēnderbeu) kishte ngritur krenar flamurin tonë në Kalanë e Krujës në vitin 1443.
Kuvendi i Junikut është prologu i pavarsisë.
Zeri brilant i Shkurte Fejzes na përcjell mrekullisht madhështinë e këtij Kuvendi , në vargjet e poetit Hamit Aliaj me rastin e 100 vjetorit.

“O Junik me kulla guri prej tek ti u nis flamuri
N’Mitrovicë e n’Kaçanik thërret Kosova o Junik”.

Në Junik Gjenerali Klark njohu legjitimitetin e UÇK-së.
Nga kullat e Zogollëve doli Burrështetasi Ahmet Zogu i cili është themeluesi i shtetit modern shqiptar.
Ky burrë u bë barrikadë tridhjetë vjeçare e pakapërcyeshme e komunizmit në Shqipëri.
Me shpalljen mbret të shqiptarëve mbajti lart frymën kombëtare.
Kulla e Oso Kukës ka simotër kullën e Sali Manit, Kullën e Konferencës së Bujanit dhjetor 1943-janar 1944.
Në këtë kullë, në këtë konferencë u vendos bashkimi kombëtar sipas parimit të vetë vendosjen së popujve pas Luftës së Dytë Botërore.
Edhe kjo Konferencë u tradhtua nga komunistët.
Kulla e Vraninës ka si motër Kullen e Muharrem Bajraktarit të Lumes.
Familjet emblematike të Kosovës, Jasharajt dhe Haradinajt shenuan epopenë më të lavdishme te Kosovës dhe Kombit Shqiptar.
Komandanti i UÇK-së Adem Jashari flijoj krejt familjen për lirinë e Kosovës në Kullat e veta duke luftuar me heroizëm të pashoq.
Familja Haradinaj vuni në themelet e pavarësisë së Kosovës Shkelzenin, Luanin, Enverin.
Kalorësi i Lirisë Ramush Haradinaj,pas një beteje të gjatë disa vjeçare në Hagë ,e së fundmi në Francë triumfoi dhe çertifikoi kauzën e drejtē të UÇK-së dhe luftën e saj për çlirimin e Kosovës ashtu siç e kishte çertifikuar Krishtërimin si fe zyrtare Konstandini i Madh me Ediktin e Milanos në vitin 313-të.
Pas një betejë të gjatë po finalizohet kauza e Ushtrisë Çlirimtare të Maqedonisë që kishte si pikënisje kullat e Zajasit, prirë nga strategu i luftës Ali Ahmeti.
Tashmë ajo e ka emrin Maqedonia e Veriut dhe e antarësuar në Nato dhe ka nisur rrugëtimin për në BE.
Atë është rrezuar përjetësisht monopoli etnopolitik.
Sot Parlamenti i Maqedonisë drejtohet nga Telat Xhaferi.
Rreth gjysma e qeverisë është shqiptare.
Gjuha Shqipe është gjuhë zyrtare.
Së shpejti shqiptarët si faktor shtetformues do të kenë kryeministrin ose presidentin.
Shqiptarët në Mal të Zi me votën e tyre ishin përcaktues të shkeputjes së Malit të Zi nga Serbia në referendumin e vitit 2006, po ashtu dhe të qeverisë properëndimore të zgjedhjeve të fundit dhe të antarësimit të Malit të Zi në NATO.
Shqiptarët patën fatin të kishin perkohësisht kryeministrin e tyre, i cili u shkarkua për shkak të aktit të turpshëm të Abazoviçit që firmosi marrveshjen me kishën serbe, të cilën presidenti i Republikës së Malit të Zi Gjukanoviç e quan fole krimi të çetnikëve serbë.
Kauza Çame eshtë bërë kryefjalë e kallzues të axhendes së kancelarive perëndimore.
Presheva mbetet nyja gardiane e shqiptarizmit.
Vëllezërit tanë atje presin përmbushjen e idealit të UÇPMB-së dhe Komandant Lleshit ( Ridvan Qazimit), vrarë pabesisht në pusi tre ditë pas nënshrimit të paqes.
Kombi Shqiptar pret finalizimin e ëndrrës mijëra vjeçare, krijimin e Shtetit Komb.
Kulla e Vraninës, kjo Krujë e dytë e Epopesë së Kombit është një nga shenjtoret më të mëdha siç është mbrojtësi i saj heroik Oso Kuka, simboli i trimërisë dhe patriotizmit shqiptar.
Poeti Hamit Aliiaj e ka skalitur bukur me penën e tij këtë kullë që eshtë kryefjala e qëndresës shqiptare permendore e nacionalizmit, memorial i ndergjegjes kombëtare,por e lanë në harresë.
“Moj Vraninë, Vranina e shkretë
Tek ti vijnë e mblidhen retë
Mblidhen retë e vajton moti
Tek kjo kullë, kullë baroti.
Kulla e Vraninës duhet të jetë për bashkëkombasit ashtu siç është Meka dhe Juruzalemi për tre fetë e mëdha botërore.
Historia ta ka gdhendur emrin me shkronja të arta Oso Kuka.
Eshtë koha që bashkëkombasit ta ngrenë me madhështi përmendoren.
Tungjatjeta Oso Baroti.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

MË TË LEXUARA

LAJMET E FUNDIT

%d bloggers like this: