AKTUALITETEKONOMI

Kush do “hajë” burgun për rrugën Qukës – Qafë Plloçë, përsëritet rasti i Kolonjës…

Pogradec – Një pjesë e një masivi shkëmbor ka rrëshqitur këtë të enjte në aksin e ri nacional Qukës–Qafë Plloçë, duke bllokuar njërën nga tre korsitë e rrugës. Ngjarja erdhi si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit, madje ende pa filluar mirë dimri, ndërsa autoritetet e mirëmbajtjes janë në terren për pastrimin e rrugës dhe qarkullimi vijon me kujdes të shtuar.

Ky aks rrugor, i inauguruar vetëm disa javë më parë, me një vlerë kolosale prej 260 milion eurosh, sot u shndërrua në makth për drejtuesit e mjeteve, duke sjellë ndërmend një rast edhe më të rëndë, shembjen e rrugës Korçë–Ersekë në Kolonjë, e cila ra përpara se të hapej për qarkullim.

Ashtu si në Kolonjë, ku janë ngritur akuza për “shpërdorim detyre”, “falsifikim dokumentesh” dhe “korrupsion” ndaj autoriteteve dhe kompanive që ndërtuan segmentin, edhe në Qukës–Qafë Plloçë ngrihen pyetje të forta mbi cilësinë e punimeve dhe kontrollin teknik të rrugës.

A mjafton të fajësohet vetëm moti, apo kemi të bëjmë me të njëjtin skenar abuzimi me miliona euro fonde publike? Gjithshtu vëmendja duhet të jetë më e lartë kur rrezikohet seriozisht jeta e qytetarëve.

Në rastin e Kolonjës, kallëzimet penale kanë shkuar deri në SPAK, ndërsa kryebashkiaku i Kolonjës dhe disa zyrtarë të tjerë u morën të pandehur. Por publiku ende nuk ka parë askënd pas hekurave.
Sot, historia duket se përsëritet. Rrëshqitja në Qukës–Qafë Plloçë duhet të shërbejë si kambanë alarmi, kush do të mbajë përgjegjësi për projektet që shemben sapo inaugurohen? Kush do të shkojë në burg për abuzimet që jo vetëm dëmtojnë financat e shtetit, por edhe rrezikojnë jetën e qytetarëve?/Pogradecipress.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button