Edi Rama prej dy vitesh pretendon se inceneratori i Fierit funksionon. Por e vërteta është krejt ndryshe. Më gjashtë prill të vitit 2021, rreth tre javë para zgjedhjeve Rama vizitoi inceneratorin. Pas një turi të gjatë brenda dhe jashtë inceneratorit, kryeministrit iu premtua se brenda atij muaji impianti i përpunimit të mbetjeve do të niste punën.
Rama nuk humbi rastin të akuzonte ata që e shigjetonin ndërtimin e inceneratorëve si aferë korruptive. “Punët e mira shahen” – tha kryeministri.
Rama mbajti të njëjtin qëndrim në një takim në tetor të vitit 2022 në qytetin e Fierit. Kryeministri deklaroi se mali me mbetje nuk ndodhej më aty. Përkundrazi, Fieri tashmë kishte një incenerator. Dhe se nuk mund të baltosej një projekt i tillë pasi disa persona të përfshirë kishin parë edhe xhepin përveç punës.
Por si qëndron e vërteta?
Një vizitë që Lapsi.al zhvilloi në inceneratorin e Fierit në korrik të vitit 2023 zbulon një situatë tjetër. Inceneratori nuk punon. Plehrat janë grumbull. Situata është njësoj si më përpara. Mali me plehra nuk ka shkuar asgjëkundi.
Inceneratorët nuk prodhojnë energji dhe nuk djegin mbetje. Përkundrazi djegin karriera politikanësh dhe prodhojnë urdhër-arreste. Kujtojmë se ish-deputeti Alqi Bllako ndodhet në arrest me burg, sikurse edhe ish-ministri i qeverisë Rama, Lefter Koka. Ndërsa ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ndodhet në arrati.
Inceneratori i Fierit nuk punon. As i Elbasanit. Ndërsa ai i Tiranës nuk ka filluar të ndërtohet. Pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto janë në kërkim. Megjithatë ata vazhdojnë të marrin miliona nga shteti shqiptar. ©LAPSI.AL