Milani bën një tjetër hap fals në kampionat. Skuadra e Piolit pësoi një humbje 2-1 në transfertën ndaj Torinos, duke i dhënë mundësinë Napolit që të arratiset në krye të renditjes me 6 pikë më shumë.
Torino ishte më e saktë në 45 minutat e para, duke e mbyllur në avantazh të dyfishtë. Në minutën e 35-të, Djidji do të zhbllokonte rezultatin me një goditje me kokë brenda zonës. Torino merr zemër dhe dy minuta më pas do të shënonte dhe golin e dytë me Miranchuk që shfrytëzon përgjumjen e mbrojtjes së kuqezinjve.
Milani u hodh në kërkim të golit në fillimin e pjesës së dytë, teksa trajneri Pioli bëri disa ndryshime në fazën e avancuar. Messias do të realizonte në minutën e 67-të, duke përfituar nga një gabim mes mbrojtësit të Torinos dhe portierit Milinkovic-Savic.
Skuadra e Piolit tentoi me të gjitha mënyrat që të gjente dhe golin e barazimit, por Giroud me shokë e kishin shumë të vështirë për të thyer mbrojtjen e hekurt të ekipit “granata”. Milani me këtë humbje mbetet në vendin e tretë me 26 pikë.