Një analizë për këngën “Zjerm”…

Eurovision 2025… pse kënga e Shqipërisë është një kryevepër e vërtetë e paparë më parë.
Ka këngë që dëgjohen.
Dhe pastaj ka këngë që jetohen. Që të hyjnë si një pëshpëritje e lashtë dhe të rizgjojnë diçka që e ke harruar.
“Zjerm” – Zjarr – është një prej tyre.
Është dhurata që Shqipëria i ka sjellë Eurovision 2025, këtë vit, por do të ishte reduktive ta quanim thjesht “një këngë”.
Është një lutje elektronike, një valle e shenjtë, një dialog midis shpresës dhe realitetit, i vënë në skenë nga dyshja italo-shqiptare Shkodra Elektronike: Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca.
Të lindur në Shkodër, në veri të Shqipërisë – një qytet ku gjuhët, fetë, ritualet dhe heshtjet kanë bashkëjetuar për shekuj – sot jetojnë në Itali, por mbajnë brenda tyre zërin e maleve, lumenjve, kujtesës. Dhe ai zë, në këngën “Zjerm”, bëhet një britmë që nuk bën zhurmë, por e vë zemrën në zjarr.
Kënga hapet me një vizion.
Një vizion që vjen nga Beatriçe, e ndritshme, e pastër, pothuajse fëminore në kokëfortësinë e saj.
Ajo kërkon vetëm një minutë. Vetëm një.
Një fragment kohe në të cilin bota më në fund mund të marrë frymë.
“Imagjino një minutë…
Pa ushtarë
Pa jetimë
Pa shishe në oqean
Vaji mban erë jargavani
Dhe fjala është e lirë
Mirësia nuk ka emër
Liria mësohet në shkolla.”
Ajo minutë e imagjinuar nga Beatriçe është gjithçka që i mungon botës: është ëndrra e dikujt, që e di se nuk jeton në vendin e duhur, por që ende zgjedh të kërcejë, të këndojë, të besojë.
E këtu, ajo këndon:
“Krijo me mua një zemër të pastër”
“Në natën time, të dërgoj dritë”
“Të lutem, ki mëshirë”
Dhe këtu shfaqet një frazë e fuqishme, plot simbole:
“Aman, miserere”
Një varg që bashkon dy besime, dy botë, dy dhimbje.
Dy fe takohen në një thirrje të vetme universale, e cila kapërcen kufijtë dhe bëhet njerëzim.
Nuk është një kërkesë për mëshirë për veten. Është një lutje për të gjithë botën.
Por menjëherë pas kësaj, Kola merr fjalën. Dhe e bën këtë me zërin e plagosur të dikujt që ka pushuar së ëndërruari.
“Zjarri bie mbi vallet tona fisnore”
“Shtatë thika shpojnë shpirtin”
“Njerëzit bien si ortekë”
“Nuk i shohim më yjet… i kemi shkelur”
Kola është ana tjetër e shpresës. Është zhgënjim.
Flet për një botë që nuk ka më poezi, që ka harruar hënën, që është e uritur për pushtet dhe e verbër ndaj bukurisë.
Kënga nuk është zemërim: është dhimbje e kthjellët. Është thirrja për të mos harruar realitetin.
Dhe pikërisht kur gjithçka duket e shuar…
Beatriçe fillon të këndojë përsëri.
“Në zemrën time, njerëzit e mirë
Njerëzit pa emër
Ata kërcejnë në luginën e shpirtit”
“Jarna ne’ tu, toka ime…
Vazhdo të shkëlqesh
Shkëlqe, shkëlqe”
Zjarri i Zjerm nuk është ai që shkatërron.
Është zjarri që pastron, që ndriçon, që shpëton.
Është flaka që mbetet gjallë kur gjithçka përreth shuhet.
Është forca e brishtë e atyre që vazhdojnë të kërcejnë, edhe mbi rrënoja.
“Zjerm” është minuta e Beatriçes.
Minuta që të gjithë ne, thellë-thellë, dëshirojmë.
Minuta në të cilën bota ndalet…
…dhe për një moment merr frymë vërtet.
Me një bashkim të paparë të elektronikës dhe traditës, poezisë dhe spiritualitetit, kënga e Shqipërisë nuk është vetëm më e fuqishmja e këtij Eurovisioni: është një përvojë.
-Shkruar nga Piccole Storie… Përkthyer nga Fatmir Shqarri… (Marrë nga Facebook i autorit)