Saturday, October 12, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMIRritet interesi për vajin e ullirit në Shqipëri

Rritet interesi për vajin e ullirit në Shqipëri

Shtrenjtimi i çmimit të vajit ushqimor që pas fillimit të luftës në Ukrainë ka rritur në Shqipëri interesin për vajin e ullirit. Në disa qarqe si në Fier dhe në Vlorë sapo ka nisur vjelja e ullinjve dhe prodhimi i vajit. Sektori përballet me vështirësi për shkak të mungesës së punëtorëve, rritjes së kostove për fabrikat e vajit dhe tregut.

Në kodrat e buta të Panajasë në Vlorë të kultivuara gjerësisht me ullinj specialisti bujqësisë Adhurim Lazaj dhe kolegu i tij Ramo Merkohitaj po ndjekin procesin e vjeljes. Dy specialistët që punojnë në Qendrën e Transferimit të Teknologjive Bujqësore që mbulon në nivel kombëtar ullirin janë optimist për prodhimin e këtij viti, ndonëse kushtet klimaterike nuk kanë qenë shumë favorizuese.

“Kushtet klimaterike në momentin e lulëzimit bënë që një pjesë e kultivarëve të mos lidhin aq sa duhet kokërr. Megjithatë prodhimi i ullirit këtë vit në shkallë kombëtare duhet të shkojë diku tek 120 mijë tonë”, thotë zoti Lazaj.

Vjelja e ulliirt këtë vit ka si sfidë fuqinë punëtore, mungesa e së cilës po del çdo ditë e më tepër në pah në Shqipëri në shumë sektorë prej emigrimit të lartë të të rinjve.

Sipas specialsitti Adhurim Lazaj “ulliri ka një nga kostot më të mëdha procesin e vjeljes. “Duke qenë në sezonin e vjeljes shumica e fermerëve e vuajnë mungesën e fuqisë punëtore. Shumica e sipërfaqeve të mbjella me ullinj janë edhe në terrene kodrinore dhe nuk mund të përdoret vjelja e mekanizuar, por vetëm me krah pune kështu që kërkohen punëtorë”.

Specialisti i bujqësisë Adhurim Lazaj flet edhe për sfidat të tjera të kultivuesve të ullirit. “Prodhuesit janë në sfidë me kohën, me ndryshimet klimaterike, me ndryshimet e tregut dhe sfida kryesore është me shtijen e prodhimit”.

Pjesa më e madhe e prodhimit të ullirit në Shqipëri shkon për vaj, për të cilin është rritur interesi konsumatorëve pas rritjes së çmimit të vajit ushqimor prej luftës në Ukrainë.

Mesin e këtij viti çmimi i një litër vaji ushqimor luledielli shkoi mbi 4 dollarë dhe vajrat e tjerë bimorë shënuan rritje te ndjeshme ndërkrohë që një litër vaj ulliri shitet në rreth 5 dollarë.

Në Shqipëri sipas të dhënave zyrtare varietet e ullirit për vaj zënë 87,6 % dhe varietetet e ullirit për tavolinë zënë 12,4 %. Sipas të dhënave të ministrisë së Bujqësisë Shqipëria ka rreth 350 përpunues të ullirit për vaj ndërsa konsumi vjetor i vajit të ullirit për frymë është afro 7.1 litra.

Në zonën e fshatit Oshëtimë në Vlorë familja Xhaferaj ka ngritur një fabrikë moderne vaji me teknologjinë që përdoret sot gjerësisht në Europë për prodhimin e vajit. Enrik Xhaferaj thotë se familja e nisi 30 vite më parë me rreth 100 rrënjë ullinj dhe tani ata kanë mbi pesë mijë rrënjë dhe po investojnë edhe për përpunimin.

“E nisëm diku tek 120 rrënjë dhe tani kemi mbi 5000 rrënjë ullinj. Në vitin 2021 menduam me vëllain tim Fatjon Xhaferaj të invesotnim në prodhimin e vajit me një fabrikë moderne me një kapacitet 35 kuintalë për orë. Është një nga linjat më të mëdha që ka Piralisi për vende si Shqipëria me një prodhim dhe treg të vogël”.

Aktualisht fabrika përpunon prodhimin e fermerëve të zonës të njësive Novoselë dhe Qendër. Zoti Xhaferaj thotë se synimi është eksporti i vajit dhe shtimi i sipërfaqes me ullinj por ai thotë se hasin vëvshtirësi për gjetjen e punëtorëve për ta zgjeruar aktivitetin.

“Pretendojmë dhe duam të vazhdojmë akoma më shumë në shtimin e aktivitetit si kultivues dhe prodhues. Vitin tjetër synojmë paketimin e vajit dhe daljen për eksport. Por hasim vështirës për punëtorë. Vendi është shumë i përshtatshëm për të shtuar ullinjtë pasi janë toka pjellore dhe afër detit me klimë favorizuese për ullirin, thotë Enrik Xhaferaj .

Edhe rritja e parashikuar e çmimit të energjisë në nëntor pritet të ndikojnë në rritjen e kostove të përpunimit për fabrikat e vajit pasi në dy muajt e fundit të vitit ato punojnë me kapacitet të plotë. Viti i shkuar ishte më i vështirë për prodhimin e ullirit me rreth 110, 2 mijë tonë nga 131,9 mijë tonë që kishte qenë në vitin 2020.

Shqipëria ka konsumuar dy vitet e funsit sipas specialistëve sasitë e mbiprodhimit të vajit të ullrit sidomos të vitit 2020 por edhe sasi që vijnë nga importi të cilat mbi bazë të të dhënave zyrtare janë rritur këtë vit me rreth 40% për vajin e ullirit ekstra i virgjër krahasur me vitin 2021. Vetëm për periudhën janar – gusht të vitit 2022 u importuan rreth 177.6 ton vaj ulliri ekstra i virgjër, me një vlerë rreth 868 mijë dollarë.

Sipas Ministrisë së Bujqësisë ulliri është një nga produktet që ka pasur një ecuri mjaft të mirë 10 vitet fundit me rreth 11 milionë rrënjë të regjistruara nga të cilat rreth 8milionë janë në prodhim.

Vlera e prodhimit të ullirit u rrit nga 36 milionë dollarë në vitin 2006 në 134 milionë dollarë në 2016 dhe në gati 147 milionë USD në vitin 2020,vlerëson Minstria e Bujqësisë. Shqipëria prodhon mbi 20 mijë tonë vaj ulliri në vit por mungesa e çertifikimit të prodhimit dhe e rafinerive përpunuese bën që eksportet të jenë ende në shifra të papërfillshme. /VOA/

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME