Rrjedhja e fundit e më shumë se 100 dokumenteve sekrete të mbrojtjes amerikane mund të jetë thjesht “maja e ajsbergut” e një grumbulli materialesh që kishte filluar të qarkullonte shumë përpara se të vihej re gjerësisht.
Zbulimi i materialeve “shumë të klasifikuara” përfaqëson tashmë shkeljen më të rëndë të sigurisë kombëtare të SHBA në shumë vite. Aty përfshihen detaje rreth mungesës së municioneve të Ukrainës, metodave të grumbullimit të inteligjencës amerikane të përdorura kundër Rusisë dhe prova të turpshme që tregojnë për spiunimin e SHBA ndaj aleatëve të ngushtë si Ukraina, Koreja e Jugut dhe Izraeli. Analistët sugjerojnë se dëmi për SHBA mund të përkeqësohet akoma.
Një nga dokumentet, i datës 23 shkurt të këtij viti dhe i konsideruar “sekret”, përshkruan në detaje se si sistemet e mbrojtjes ajrore të epokës sovjetike të Ukrainës S-300 do të pakësoheshin ndjeshëm deri më 2 maj nëse ruhej norma aktuale të përdorimit. Është e paqartë nëse Ukraina ka ndryshuar që atëherë normën e përdorimit të raketave S-300, nëse rezervat janë plotësuar apo nëse tani Kievi po mbështetet në sisteme të tjera kundërajrore.
I njëjti dokument i referohet gjithashtu një burimi të inteligjencës si “video me seri kohore Lapis”, një referencë e dukshme për një sistem satelitor pak të njohur për të ndjekur dhe parë nga afër imazhe të objekteve në tokë.
Të hënën, Ukraina mohoi raportin se ishte detyruar të ndryshonte disa plane ushtarake përpara një kundërofensive ndaj forcave ruse për shkak të rrjedhjes së dokumenteve. Ndihmësi presidencial Mykhailo Podolyak tha se planet strategjike të Kievit mbetën të pandryshuara, por se taktikat specifike ishin gjithmonë subjekt ndryshimi.
Autenticiteti i dokumenteve nuk është konfirmuar zyrtarisht, por Pentagoni lëshoi një deklaratë të dielën duke thënë se po shqyrtonte dokumentet të cilat “duket se përmbajnë materiale sensitive dhe “shumë të klasifikuara”.
Një burim i mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar tha të hënën se dokumentet që pretendojnë se një avion luftarak rus për pak sa nuk rrëzoi një aeroplan mbikëqyrës britanik në brigjet e Krimesë në shtator “përmban pasaktësi dhe nuk pasqyron atë që ndodhi në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Zi”.
Sekretari britanik i mbrojtjes, Ben Wallace, e zbuloi incidentin në parlament në tetor dhe tha në atë kohë se Mbretëria e Bashkuar nuk e konsideronte rastin një përshkallëzim të qëllimshëm, por se kishte ardhur për shkak të një mosfunksionimi teknik. Ai gjithashtu akuzoi Moskën për veprim të pamatur. Dokumenti i referohet incidentit si një “përgatitje për rrëzimin e RJ”, një referencë për emërtimin Rivet Joint për aeroplanët e zbulimit RC-135.
Ishte grupi investigativ i gazetarëve “Bellingcat” që e gjurmoi rrjedhjen e dokumenteve përmes një sërë kanalesh të përdorura nga komunitete të ndryshme të internetit, që përfshinin kryesisht adoleshentët me interesa që varionin nga pajisjet ushtarake, krishterimi ortodoks, muzika dhe lojërat video. Të gjitha këto përdornin “Discord”, një platformë mesazhesh e njohur për lojtarët. Gjuha raciste ishte e zakonshme në forumet e përfshira në internet.
Disa përdorues të “Discord” i thanë Bellingcat se burimi origjinal i rrjedhjes ishte një server i përdorur vetëm nga 20 persona, i cili përdorej me emra të ndryshëm, më shpesh si “Thug Shaker Central”. Ai u krijua nga ndjekësit e një YouTuberi të njohur të quajtur “Oxide”, i cili poston video rreth armëve dhe mjeteve të tjera ushtarake.
Burimet thanë se rrjedhjet e para të dokumenteve në “Thug Shaker Central” datojnë tetorin e kaluar dhe përfshinin shumë më shumë dokumente sesa janë zbuluar deri më tani. Dokumentet e fundit të zbuluara datojnë që në fillim të marsit. Organizatori dyshohet se vepronte si administrator i serverit dhe kishte krijuar një kanal brenda “Thug Shaker Central” të quajtur “Bear vs Pig” (Ariu kundër derrit) dhe që lidhej me pushtimin rus të Ukrainës.
Dokumentet nuk u përhapën përtej “Thug Shaker Central” deri në fund të shkurtit, kur një nga përdoruesit e kanalit “Bear vs Pig”, një adoleshente që quhej Lucca, filloi të postonte 107 nga dokumentet e fotografuara nga një server.
Disa ditë më vonë, një përdorues ripostoi 10 nga fotot në një server Discord për lojtarët e lojës video Minecraft. Ato qëndruan atje me sa duket pa u vënë re për 1 muaj tjetër përpara se një përdorues të postonte 3 prej tyre në një forum të krahut të djathtë, “4chan”, dhe pak më vonë në prill, 5 dokumente u shfaqën në aplikacionin e mesazheve Telegram. Në Telegram, një pjesë e dokumenteve për Ukrainën u përpunua për të fryrë viktimat ukrainase dhe për të zvogëluar viktimat ruse.
Pentagoni ia ka referuar hetimin departamentit të drejtësisë. Dokumentet kanë një sërë klasifikimesh, duke përfshirë sekretin e lartë dhe Noforn, që nënkupton “nuk mund të lëshohet për shtetasit e huaj”, duke sugjeruar që rrjedhja është bërë nga një amerikan. Dokumentet ishin printuar dhe palosur, ndoshta për t’u futur në një xhep, përpara se të fotografoheshin dhe ngarkoheshin në internet.
Një dokument tjetër, i shënuar “tepër sekret” është një përditësim i CIA-s në 1 mars dhe thotë se agjencia izraelite e inteligjencës Mossad po inkurajonte oficerët e saj të merrnin pjesë në protesta kundër planeve të qeverisë vendase për të dobësuar pavarësinë e gjyqësorit. Qeveria izraelite e mohoi kishte pasur ndonjë përfshirje të Mossad-it në demonstrata.
Një nga sfidat për hetimin e rrjedhjeve është se Pentagoni qarkullon gjerësisht një material të tillë, duke marrë parasysh ndjeshmërinë e tij. Mijëra persona të stafit dhe kontraktorë amerikanë janë shpesh në gjendje të kenë akses në materialet sekrete dhe Noforn. ©Marrë nga “The Guardian”,