
Aktivisti dhe aktori Florjan Binaj ka folur mbi mundësinë e një rikthimi dhe angazhimi të tij në politikë. I ftuar në News24, Binaj zgjodhi të përgjigjej në një mënyrë ironike, duke cituar një slogan të vjetër të kryeministrit Edi Rama.
“Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tironë”, u shpreh ai, pa dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë.
Binaj u përzgjodh disa muaj më parë si kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, por së fundmi, PD ka paralajmëruar se do të ketë kandidatin e saj për kryeqytetin.
Binaj ka ngritur shqetësime mbi rënien e aktivizmit dhe mungesën e protestave në Shqipëri. Ai u shpreh me nostalgji për protestat e mëparshme, duke theksuar se ato dikur ishin hapësira ku shkëmbeheshin ide dhe ndërtoheshin forma konkrete veprimi. Sipas tij, sot protestat po tkurren dhe po humbasin rolin e tyre.
“Kam nostalgji për çdo protestë. Më vjen keq që ato po marrin formën e një pellgu gjithnjë e më të vogël dhe nuk janë më oazi ku lindnin idetë dhe veprimet”, u shpreh ai.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si reagimi qytetar është zhvendosur në rrjetet sociale, ku shpesh dominojnë debatet virtuale, meme-t dhe përplasjet online, ndërsa pjesëmarrja reale në protesta ka rënë.
Sipas Binajt, shtimi i profileve anonime në rrjetet sociale tregon një klimë frike, ku qytetarët shmangin shprehjen e hapur të mendimit për shkak të pasojave të mundshme.
“Njerëzit kanë frikë të flasin, madje edhe të shprehen me emrin e tyre”, tha ai. Aktivisti theksoi se kur mungon liria për të shprehur mendimin dhe bie rëndësia e vlerave, shoqëria përballet me kaos dhe pasiguri.
Ai solli në vëmendje disa nga protestat që i konsideron më të suksesshme në vend, si ato të studentëve, kundër armëve kimike dhe protestat e vitit 2022 për rritjen e çmimeve, duke shtuar se sot vendi po përballet sërish me të njëjtat problematika.
Në fund, Binaj kritikoi qeverinë, duke e akuzuar për distancim nga qytetarët dhe mungesë interesi për vështirësitë e tyre ekonomike, ndërsa sipas tij, presioni ndaj qytetarëve lidhet kryesisht me interesat elektorale. /BW











