Adoleshencë

Ditmir Bushati – ‘Adoleshenca’ është një prej filmave që më ka përfshirë më shumë së fundmi, për shkak të forcës emocionale që përçon në rrëfimin e një ngjarjeje tragjike. Një djalë 13-vjeç akuzohet për vrasjen e një vajze. Familja e tij, shkolla, psikologu dhe hetuesit përpiqen të kuptojnë se çfarë ka ndodhur.
Siç shpjegon regjisori dhe njëkohësisht aktori kryesor i filmit, Stephen Graham, nxitja për realizimin e tij vjen prej një sërë incidentesh të dhunshme mes adoleshentëve, të cilat trondisin shoqërinë.
Historia e shtjelluar në film shërben për të kuptuar ndikimin gërryes të rrjeteve dhe platformave sociale tek të rinjtë, pamundësinë që ka shkolla dhe prindërit për t’i mbikëqyrur ata në çdo çast. ‘Adoleshenca’ trajton raportin e ndërlikuar mes familjes, shkollës, komunitetit dhe shoqërisë, teksa të rinjtë bëhen pre e traumave, bullizimeve dhe sherreve që përfundojnë në skena krimi.
Secili që e sheh këtë film, jam i sigurtë se do të ndjehet i përfshirë, për shkak të pyetjeve që ngrihen, bisedave që zhvillohen dhe ndryshimit shoqëror që kërkohet për të reduktuar fenomene të tilla që shkaktojnë plagë të mëdha në shoqëri.