Pas masës arrest në burg që caktoi Gjykata e Fierit për 21.3 kg eksploziv gati për të kryer vrasje, Albi Mecini u paraqit të premten para një tjetër gjykate, këtë herë për zhdukjen e dy miqve Leonard Thodhori e Fatmir Sulovari në Sarandë. Ai ka pohuar para trupit gjykues dhe avokatit mbrojtës se nuk ka lidhje me asnjë nga ngjarjet si ajo në Sarandë me rrëmbimin e dy personave ashtu dhe me atë në Fier ku u gjet sasia e 21.3 kg lëndë eksplozive artizanale. Në Gjykatën ku mbërriti i shoqëruar nga forca të shumta policie, teksa ia la mbrojtjen avokatit. Për të dyja ngjarjet i besuari i Admir Tafilit, i dënuar përjetë, ka kyçur gojën, ndërsa policia thotë se disponon prova kundër tij.
Një tjetër masë sigurie arrest në burg është caktuar për Albi Mecinin, i arrestuar me mbi 21 kg eksploziv në Fier, që sipas policisë ishte nisur për të kryer një ngjarje të rëndë kriminale.
Pasi iu caktua të enjten masa e sigurisë arrest në burg për lëndën plasëse, këtë të premte, Mecini doli para gjykatës së Sarandës, për tu njohur me akuzat për rrëmbimin dhe zhdukjen e Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovarit.
Nën masa të rrepta sigurie ai u shfaq në gjykatë, teksa ka mohuar në dëshminë paraprake të pranojë përfshirjen në zhdukjen e këtyre shtetasve. Lidhur me këtë ngjarje, autoritetet pretendojnë se disponojnë prova që e përfshijnë Mecini mes të cilave gjurmë e AND-je të 29-vjeçarit, të përftuara në një banesë ku mendohet se u mbajtën fillimisht.
Për këtë ngjarje dyshohet edhe një i ri tjetër i identifikuar si Sebastian Lataj që gjithashtu është shpallur në kërkim. Gjatë operacionit policor të mërkurën, policia gjeti 3 bidonë me benzinë dhe dy karta ID, të Arafat Manërkollit, nga Dibra dhe Ervis Cukalit nga Tirana.
Të dy u shpallën në kërkim si bashkëpunëtor në planin e ngjarjes kriminale që sipas bluve mbeti në tentative. Kujtojmë se disa kohë pas rrëmbimit, Sofokli Baxherri ishte i pari që u arrestua nga policia, që rezulton ndërmjetës si qeradhënës i banesës ku dyshohet se u mbajtën të zhdukurit.
Por arrestimi i tij nuk zgjati shumë pasi gjykata e Sarandës pranoi kërkesën për masë më të butë, si ajo e detyrimit të paraqitjes. Në seancën e të premtes Ndaj Albi Mecinit, 29-vjeçari nuk ka pranuar të flasë duke ia lënë mbrojtjen avokatit të tij.
29-vjeçari me banim në Kamëz njihet si bashkëpunëtor i të dënuarit me burgim të përjetshëm Admir Tafilit, ku vite më parë organizoi arratisjen e këtij të fundit bashkë me disa të dënuar të tjerë nga burgu i Drenovës.