Departamenti Amerikan i Drejtësisë zbardh takimet Rama-McGonigal: “Mundësi të shumta”

Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DOJ) publikoi këtë të enjte raportin e investigimit të tij për ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal. Ky i fundit u shpall fajtor dhe u dënua në fund të vitit të kaluar për një sërë akuzash duke përfshirë lidhjet e tij me oligarkë rusë të sanksionuar dhe fshehje të udhëtimeve në Shqipëri. Në këtë raport flitet edhe për lidhjet me “Personin A” (i identifikuar si shqiptari Agron Neza) dhe “Personin B” (i identifikuar si ish-zyrtari shqiptar Dorian Duçka).
Në investigim përmenden edhe udhëtimet e McGonigal në Shqipëri dhe takimet me kryeministrin Edi Rama. Në raporti thuhet se gjatë vitit 2017, Dorian Duçka organizoi një darkë private midis McGonigal dhe Kryeministrit Edi Rama në vendin tonë. Ky i fundit u takua sërish më ish-drejtuesin e FBI-së edhe në nëntor të 2017 sërish në Shqipëri.
“Më 9 shtator 2017, McGonigal i dërgoi një mesazh një fotografi të tij me Kryeministrin një miku personal dhe i dërgoi një mesazh një miku tjetër personal se Kryeministri po reformonte drejtësinë (në Shqipëri) dhe se kjo paraqiste “mundësi të shumta” – thuhet në raport.
Nuk dihet çfarë nënkuptonte ai me “mundësi të shumta”. Duhet nënvizuar se takimet me McGonigal i ka pranuar edhe vetë Rama.
“E kam takuar dhe do e takoja sa herë të kthehesha prapa sepse unë në takimet e mia jam kryeministër i Shqipërisë dhe vlerësoj se në të gjitha rastet kur më kërkohet takim nga zyrtarë amerikanë, evropianë apo të vendeve aleate, jam gjithmonë i gatshëm t’i pres” – është shprehur Rama kohë më parë.

Në raport, thuhet se McGonigal i ka fshehur kontaktet e tij me Duçkën dhe udhëtimet me të, siç duhej të bënte sipas politikës së FBI-së dhe si kusht për lejen e tij të sigurisë.
PJESË NGA DOSJA E DEPARTAMENTIT AMERIKAN TË DREJTËSISË
McGonigal pati disa takime dhe biseda të tjera me Personin B gjatë disa muajve në vijim.
McGonigal u takua me Personin B disa herë në New York City, duke përfshirë një rast në të cilin Personi B la pushimet familjare në Florida për t’u takuar me McGonigal, Personin A dhe ish-agjentin e FBI-së në qershor 2017 dhe një rast tjetër në të cilin Personi B e prezantoi McGonigal me një ish-zyrtar qeveritar të Rumanisë.
Personi B gjithashtu priti McGonigal në Shqipëri në shtator dhe nëntor 2017. Gjatë udhëtimit të shtatorit 2017, Personi B organizoi një darkë private midis McGonigal dhe Kryeministrit të Shqipërisë, dhe McGonigal u takua përsëri me Kryeministrin gjatë udhëtimit të tij të dytë në Shqipëri 2 muaj më vonë.
McGonigal nuk ia zbuloi ekipit të çështjes së FBI-së kontaktin e tij të vazhdueshëm me Personin B. Sipas Agjentit Special Mbikëqyrës, McGonigal kërkonte shpesh përditësime të çështjes se kush do të arrestohej dhe kur, ndërkohë që nuk i zbulonte ekipit se ai po vazhdonte të takohej me Personin B.
McGonigal gjithashtu nuk i raportoi FBI-së kontaktet e tij të vazhdueshme me Personin B, një shtetas të huaj, dhe as nuk i raportoi siç duhet udhëtimet e tij jashtë vendit me Personin B, siç McGonigal duhej të bënte sipas politikës së FBI-së dhe si kusht për lejen e tij të sigurisë.











