Ballkani është nën valën e të nxehtit ekstrem. Ministria e Kulturës e Greqisë urdhëroi mbylljen e Akropolit përgjatë orareve të drekës, për shkak të temperaturave të larta, duke i detyruar turistët të zgjedhin një moment tjetër gjatë ditës për të vizituar tempullin e famshëm. Kryqi i Kuq shpërndau ujë të ftohtë dhe fletushka informuese për ata që prisnin në radhë.
Nxehtësia ka ardhur kryesisht nga Afrika dhe meteorologët parashikojnë se do të vazhdojë deri të dielën. Temperaturat pritet të arrijnë deri në 43 gradë celsius. Por përveç Greqisë, edhe vende të tjera në Ballkan janë detyruar të marrin masa për të përballuar temperaturat ekstreme.
Në Kroaci, autoritetet raportuan temperaturat më të larta ndonjëherë në brigjet e detit Adriatikut, ku kryesisht qyteti i Dubrovnikut, pika më e njohur turistike e vendit u godit më së shumti, duke e bërë situatën më të vështirë për turistët.
Në Serbi, kompania shtetërore e energjisë raportoi konsum rekord për shkak të përdorimit të ajrit të kondicionuar. Maqedonia e Veriut luftoi edhe me dhjetëra vatra zjarresh, përgjatë ditëve të fundit, për shkak të temperaturave ekstreme.