Dy barazime në dy ndeshjet e para të javës së dytë të Superiores, të luajtur të shtunën, me shumë më tepër emocione në Durrës se në atë të luajtur në Kamëz.
Bylis e Erzeni marrin pikë në transfertë dhe mbeten të pamundura deri tani. Teuta shpëton mirë në fund përballë ballshiotëve me barazimin e fiksuar nga Hebaj, ndërsa Kastrioti, pavarësisht se mundi të aktivizojë të gjithë blerjet pas zhbllokimit të federimeve, nuk shkoi më shumë se 0-0 me Erzenin.
TEUTA 1-1 BYLIS
Teuta dhe Bylisi ndanë pikët në “Niko Dovana”, por janë ballshiotët ata që ndihen sikur kanë humbur dy pikë. Në fakt, skuadra e Bellait ishte më kërkuese në këtë sfidë dhe e nisën takimin me sulme të njëpasnjëshme, duke i vënë në vështirësi durrsakët. Teuta e Arapit e kishte të vështirë të krijonte raste.
Situata mund të ishte komplikuar shpejt kur arbitri Myrtaj akordoi një penallti për Bylis, por pas kontrollit me VAR e anuloi vendimin që kishte dhënë. Teuta megjithatë shkoi në pushim në disavantazh sepse në fund të fraksionit Antoni kaloi Bylis përpara.
Në të dytën, Teuta u duk më kërkuese në tentativë për të barazuar, pavarësisht se nuk krijoi raste për të shënuar. Zotërimi i topit dhe insistimi në gjysëmfushën kundërshtare u shpërblye me golin e Hebajt, i cili barazoi shifrat në 1-1. Rezultati nuk ndryshoi më deri në fundin e ndeshjes me formacionet që duhet të kënaqen me një një pikë.
KASTRIOTI 0-0 ERZENI
Më shumë emocione prodhoi lajmi i zhbllokimit të merkatos së Kastriotit dhe vënia në dispozicion e blerjeve të reja për trajnerin Cela se 90 minutat e lojës mes krutanëve dhe Erzenit. Vetëm dy raste serioze në portat respektive për një barazim 0-0, që mban të pathyer shijakasit dhe i jep pikën e parë në javën e dytë skuadrës së Celës.
Të dyja skuadrat nuk arritën të gjenin golin e epërsisë në një sfidë pa ngjyrë ku në pjesën e parë u regjistrua vetëm një ndërhyrje vendimtare e portierit Xhika, që i mohoi golin vendasve. Në të 41′ Ajazi provoi me një goditje me kokë, por portieri shpëtoi Erzenin me një super ndërhyrje.
Në pjesën e dytë u luajt e njëjta muzikë dhe vetëm në të 85′ Leite Rodrigez u shfaq i rrezikshëm me një goditje nga distanca, me topin që përfundon jashtë. Kastrioti rrëmben kështu pikën e parë të sezonit, ndërsa Erzeni shkon në katër, pas fitores në javën e parë ndaj Vllaznisë.