Këtë të mërkurë është zhvilluar një mbledhje e Kryesisë së Partisë Demokratike të vulës që tashmë drejtohet edhe zyrtarisht nga Lulzim Basha. Mbledhja është zhvilluar vetëm 2 ditë nga mbajtja e Kuvendit Kombëtar. Mësohet se në mbledhje kanë munguar emra të rëndësishëm të kryesisë. Jorida Tabaku, Flamur Hoxha dhe Oriela Nebiaj nuk janë paraqitur pasi siç dihet kanë dhënë dorëheqje.
Nuk kanë marrë pjesë në mbledhje as: Gazment Bardhi, Helidon Bushati, Lefter Geshtenja, Saimir Korreshi, Bledjon Nallbati, Dhurata Çupi, Dashnor Sula, Juela Hamati dhe Jonila Godole.
Mësohet të pranishëm fizikisht kanë qenë vetëm 14 anëtarë: Lulzim Basha, Flutura Açka, Jemin Gjana, Mirela Karabina, Taulant Zeneli, Endri Hasa, Indrit Sefa, Kreshnik Çollaku, Roland Bejko, Gentian Gaba, Fitim Zekthi, Merita Bakiu, Taulanda Jupi dhe Orjola Pampuri.
U tha se morën pjesë online: Enkelejd Alibeaj, Agron Kapllanaj, Gazmend Koduzi, Xhemal Gjunkshi dhe Arbi Agalliu. Mbledhja e kryesisë është zhvilluar me dyer të mbyllura.
Një reagim kundër zhvillimit të kësaj mbledhje ka bërë deputeti Dashnor Sula që thotë se shkaktarët e krizës në PD nuk kanë nxjerrë mësime, por riciklohen dhe duket se duan ta shfrytëzojnë, sakrificën e demokratëve për interesa fitimprurëse personale.
“Çdo mbledhje në kundërshtim me ‘Kushtetutën’ tonë partiake, statutin e PD nuk e forcon opozitën, por zvogëlon atë. Kushdo që ka të parën interesin e qytetarëve synon ta rrisë PD, kushdo që do ta trajtojë atë për interesa okulte financiare nuk i intereson se sa zvogëlohet partia por do ta përdorë atë si një instrument për të bërë edhe më shumë para pa firmosur as edhe një ditë në qeveri” – shkruan Sula.
Kryesia thuhet se do të shqyrtojë statutin e ri të kësaj force politike dhe rendin e ditës për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar në 2 shtator.